Tri ditë pas dorëheqjes së tij nga posti i zv. kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ditën e tij të punës të hënën e ka filluar në Universitetin e Prishtinës, duke ua mbajtur provimin e radhës studentëve të Fakultetit Filozofik. Tashmë ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se po ndihet mirë, sepse veprimi i tij ishte bashkim i moralit dhe i politikës, sepse mosveprimi i tij do t’ia ulte kredibilitetin, pasi që e kishte dhënë një premtim publik se do të tërhiqet nga postet qeveritare nëse Kuvendi i Kosovës kalon nenin 37, 38 të Kodit Penal. Kuçi vlerëson se nuk e tradhtoi partia pjesë e së cilës është, pasi që dihet se disa nga deputetët e kësaj partie votuan kundër heqjes së neneve. Por thotë se disa nga deputetët menduan që përmes Kodit do t’i ndalin atakimet që mediet po ua bëjnë atyre. Kurse mohon që largimi i tij ka të bëjë me riformatimin e Qeverisë, ku Kuçi ka mundësi të kthehet sërish, pasi që ish-shefi i tij ende nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare pas dorëheqjes në letër që ia ka dërguar më 22 qershor.
Sido që të jetë, Kuçi mohon se do të mund të kalojë në pozitën e kryenegociatorit në bisedimet Kosovë-Serbi, sikur që mohon se është duke menduar për kandidim për president apo për rektor të Universitetit të Prishtinës.
Në intervistën për “Kohën Ditore”, ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se do të vazhdojë punën në Universitetin e Prishtinës. Ai po ashtu thotë se dorëheqja e tij nga postet e larta qeveritare ishte bërë vetëm për shkak të miratimit të neneve antimedia në Kuvendin e Kosovës. Ai nuk ua zë për të madhe bashkëpartiakëve, vota e të cilëve shkaktoi dorëheqjen e tij. Puna e tij në Qeveri thotë se ka marrë fund të premten e kaluar, ndërsa thotë se nuk e ka synim as pozitën e kryenegociatorit, as atë të kandidatit të PDK-së për president të Kosovës, e as të rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”kohaislame