1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ku harxhohet pasuria e fituar me haram – Kamata e bankave dhe të ngjashme

Më të lexuarat

PYETJA: E lexova librin tuaj “Kamata e bankave është e ndaluar-haram”, dhe u binda me mendimet të cilat u përmendën aty, si dhe argumentet e potencuara, të mbështetura në Kur’anin Fisnik, sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe mendimet e dijetarëve të shquar të Ummetit. Kjo ndikoi që edhe unë vendosa ta përdori vetëm pasurinë që e kam fituar me hallall, ndërkaq ta largoj atë që e kam fituar me haram, si dhe të më mjaftojë pasuria e pastër, e mos të kem nevojë për të mbrapshtën, ta lë atë në të cilën kam dyshim dhe ta marr vetëm atë në të cilën nuk kam asçfarë dyshimi, duke qenë i bindur se pasuria e fituar me hallall, edhe me qenë pak, është e bekuar (e bereqetshme), më e vlefshme dhe më e dobishme në këtë botë dhe në botën tjetër se sa pasuria e fituar me haram, po edhe me qenë ajo shumë.

 

Pyetja ime tani ka të bëjë për kamatat e deponuara në disa banka aktualisht! Çka të bëj me ato (kamatat)? A t’ia lë bankës që të manipulojë me ato si të dojë, apo t’i marr për t’i dhënë në disa taksa dhe tatime të cilat m’i ka vënë qeveria, e ato (tatimet dhe taksat vër. përkth.) në të shumtën e rasteve janë të pa drejta? Apo t’i shpenzoj në lëndë djegëse (karburante), si benzin për veturën, gaz për amvisëri (kuzhinë) dhe të ngjashme? Apo këto kamata t’ua jap fukarave dhe për punë bamirëse, edhe pse në hadithin e ndershëm thuhet: “All-llahu është i mirë (i pastër) dhe e pranon vetëm të mirën.”

Për këtë arsye kërkoj prej jush që të më sqaroni se çka më është e lejuar mua prej kësaj, e veçanërisht kur dihet se kjo çështje u intereson shumë njerëzve të cilët mund të kenë të deponuara kamata nëpër banka, e të cilat arrijnë në miliona, e po ashtu kjo i intereson edhe çdo personi i cili ka fituar diçka me haram dhe dëshiron të pendohet dhe pastrohet prej asaj pasurie të ndaluar! Çfarë duhet bërë me pasurinë e tillë, jo të pastër, ashtu që ta takojmë All-llahun të pastër dhe me pendim të pranuar.

All-llahu e ndihmoftë me ju dinin e Tij dhe u bëftë dobi muslimanëve!!

 

PËRGJIGJJA: E lus All-llahun e Madhërishëm që vëllaun tonë të ndershëm i cili na pyeti ta përforcojë edhe më tej në të vërtetën dhe t’ia bëjë të mjaftueshëm hallallin, ashtu që mos të ketë nevojë për haram, e po ashtu edhe veprat e mira, e mos të ketë nevojë për mëkat, si dhe t’ia bëjë të mjaftueshme meritën e Tij, e mos të ketë nevojë për tjetër. E falënderoj All-llahun e Madhërishëm se shumë prej bijve të popullit tonë vazhdojnë ta ndjekin të vërtetën dhe nuk janë mashtruar me fetvatë1 e shfrenuara të cilat janë pa kontrollë dhe pa kufij, e të cilat i kanë kundërshtuar vendimet unanime të akademive shkencore, kongreseve ndërkombëtare dhe simpoziumeve profesionale që janë mbajtur në disa qendra të botës islame, e të cilat, pra, ishin unanime se kamatat e bankave janë të ndaluara – haram.

Ndërkaq, për sa i përket pyetjes të cilën na parashtroi vëllau i ndershëm në lidhje me kamatën e bankës e cila i është mbledhur, themi se kjo është si çdo pasuri tjetër e fituar me haram: ai i cili e ka fituar nuk e ka të lejuar që ta shfrytëzojë atë për vete, ngase nëse e shfrytëzon atë për vete, ai ka ngrënë një gjë të fëlliqtë. po ashtu, në këtë është njëjtë qoftë e shfrytëzoi atë (pasurinë e ndaluar, e në këtë rast kamatën, B.A.) në ushqim, veshje, banim apo për mbulimin e disa obligimeve materiale që i ka ndaj ndonjë muslimani apo jo muslimani, qofshin ato (obligime materiale) të drejta apo të pa drejta, e në këto bën pjesë edhe pagesa e tatimeve – edhe pse ato janë jo reale – ndaj qeverive të ndryshme, pasiqë edhe në këtë mënyrë, pa dyshim, ai përsëri i shfrytëzon, andaj edhe nuk është e lejuar përdorimi i tyre në këto gjëra. po ashtu, përdorimi i tyre për lëndë djegëse nuk është i lejuar, bile kjo edhe më shumë se ajo që cekëm më parë, edhe pse kam dëgjuar prej disa dijetarëve të Gjirit (ka për qëllim vendet arabe të naftës, B.A.) se e kanë lejuar përdorimin e kamatës në këto lloje, si dhe në ndërtimin e nevojtoreve dhe gjërave të ngjashme të cilat janë të pa pastra. Por kjo është fetva e çuditshme, e cila nuk ngritet mbi koncept të shëndoshë, sepse në fund personi përkatës e shfrytëzon këtë pasuri haram – të ndaluar për dobinë e tij personale. Andaj, nuk është e lejuar që njeriu ta shfrytëzojë pasurinë e ndaluar – haram për vete apo për familjen e vet. Përjashtim bën nëse është i varfër apo ka shumë borxhe, atëherë i lejohet të merr prej zekatit. 

Ndërkaq, për sa i përket lënies së kësaj kamate në bankë, kjo në asnjë mënyrë nuk lejohet, ngase nëse e merr banka për vete, me këtë banka e tillë forcohet dhe ndihmohet të vazhdojë në realizimin e planit të saj, e kjo hynë në grupin e ndihmimit të mëkatit, kurse ndihmimi i haramit është haram, siç e kemi sqaruar këtë edhe në kapitullin e parë të librit tonë Hallalli dhe harami në Islam.2 

 

Mëkati edhe më tepër shtohet kur janë në pyetje bankat e huaja në Evropë dhe Amerikë, në të cilat, për fat të keq, paratë e veta i fusin shumë pasanikë muslimanë. Lënia e këtyre kamatave në bankat e tilla është mjaftë e rrezikshme, ngase, si zakonisht, këto banka këto mjete ua falin shoqatave bamirëse, ndërkaq këto shoqata më së shumti janë shoqata propaganduese krishtere të cilat në të shumtën e rasteve veprojnë në vendet islame. E kjo don të thotë se paratë e muslimanëve merren për krishterizimin e muslimanëve, për largimin e tyre nga feja dhe humbjen e identitetit të tyre!

 

PËRFUNDIMI është se, lënia e kamatave në bankë, e veçanërisht në bankat e huaja, është haram pa fije dyshimi. Ky qëndrim është miratuar në më shumë akademi, e në veçanti në Kongresin e dytë të bankave islame në Kuvajt.

 

Andaj, sipas normave fetare, për rastet e këtilla, këto kamata, e po ashtu edhe çdo pasuri tjetër e fituar me haram, duhet t’u dorëzohen institucioneve bamirëse për të ndihmuar fukaratë (të varfërit), të ngratët, jetimat, udhëtarët, xhihadin në rrugë të All-llahut, përhapjen e thirrjes islame, ndërtimin e xhamive dhe qendrave islame, përgatitjen e misionarëve të zgjuar të Islamit, botimin e librave islame, si dhe për veprimtari tjera të bamirësisë dhe humanitetit.

 

Kjo problematikë u shqyrtua në një prej akademive islame, dhe disa prej vëllezërve tanë shkenctarë ishin mjaft skeptik në dhënien e kamatës për të varfërit dhe projektet bamirëse, sepse ata thonin se si mund t’i ushqejmë të varfërit me fitim të pandershëm? po ashtu, edhe si mund të pajtohemi t’ua japim të varfërve atë të cilën nuk pajtohemi ta marrim për vete?

Është e vërtetë se kjo pasuri konsiderohet e pa ndershme për sa i përket atij që e ka fituar në mënyrë të ndaluar, mirëpo ajo është e lejuar (e ndershme) për të varfërit dhe institucionet bamirëse. Kamata është e ndaluar për atë, kurse e lejuar për institucionet e tilla. Pasuria nuk është e mbrapshtë në vetvete, por konsiderohet e mbrapshtë kur ka të bëjë me person të caktuar, për shkak të caktuar.

po ashtu, këtë pasuri patjetër ta përdorë vetëm në njërën prej katër mënyrave vijuese sipas ndarjes logjike:

E para: ta marë këtë haram për vete apo për atë të cilin e ka nën mbikqyrje, e kjo nuk lejohet, siç e sqaruam më parë;

E dyta: që t’ia len bankës, e po ashtu edhe kjo nuk lejohet, siç përmendëm;

E treta: ta shporrë atë prej vetes duke e shkatërruar dhe asgjësuar. Kjo është transmetuar nga disa njerëz të devotshëm prej gjeneratave të para (selefit), e imam Gazaliu ua demantoi këtë tezë në librin e tij Ihja Ulumid-din, duke thënë: “Ne e kemi të ndaluar ta zhdukim pasurinë”;

 

E katërta: që të investohet për qëllime bamirëse, gjegjësisht për të varfërit, të ngratët, jetimat, udhëtarët, organizatat bamirëse islame shoqërore dhe të thirrjes, gjë që është edhe mënyra e cila imponohet.

Këtu dëshiroj ta theksoj atë se kjo pasuri nuk konsiderohet sadaka – lëmoshë, ashtu që të thuhet: “All-llahu është i pastër dhe e pranon vetëm të pastërtën (ndershmen)”3, por kjo konsiderohet investim i pasurisë së ndaluar në fushën e vetme të investimit. Ky person, në këtë rast, nuk jep lëmoshë, por ai këtu është ndërmjetësues që kjo pasuri të arrijë tek institucioni bamirës. po ashtu, mund të thuhet: ajo është sadaka prej fituesit të pasurisë së ndaluar (haram) për pronarin dhe poseduesin e pasurisë.

Disa njerëz thonë: Këto kamata të bankave janë pronë e huamarrësve, të cilët kanë huazuar prej bankës atë për të cilën kanë patur nevojë, andaj kjo pasuri duhet t’u kthehet pronarëve të tyre real.

 

Por, në fakt, huamarrësit e këtillë i kanë ndërpre lidhjet e veta me këto kamata në bazë të marrëveshjes e cila ka qenë në mes tyre dhe bankës, prandaj kamatat e tilla numërohen prej pasurisë të cilës nuk i njihet pronari i caktuar.

Për këtë lloj të pasurisë, gjegjësisht ajo e cila i takon një pronari të pa përcaktuar, individua e të cilit nuk ka shpresë të njihet, ka debatuar imam Ebu Hamid El-Gazali, i cili thotë: “Kjo pasuri nuk mund t’i kthehet pronarit, por pritet derisa të sqarohet mirë problematika e saj, ndoshta mund që mos të bëhet kthimi i saj për shkak pronarëve të shumtë. Kjo pasuri duhet të jepet lëmoshë në vend të pronarëve të shumtë të saj.”

Një grup dijetarësh mendojnë se kjo është e ndaluar, ngase është haram. Transmetohet prej Fudajlit, se i ranë në dorë dy dirhem, dhe posa mori vesh se nuk janë fituar në mënyrë të ndershme, i hodhi në tokë dhe tha: “Sadaka do ta japë vetëm atë që është e pastër, dhe nuk pajtohem t’ia japë tjetrit atë që nuk pajtohem ta marë për vete!”

Por ne themi: Po, kjo e ka kuptimin e vet dhe mund të konsiderohet si një alternativë, ndërkaq ne e zgjodhëm mendimin e kundërt prej këtij, duke u bazuar në hadith, transmetim të sahabiut dhe analogji (kijas).

Për sa i përket hadithit: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëroi që të jepet sadaka delja e pjekur e cila iu ofrua atij dhe i foli se është haram, andaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Ushqeni me atë pengjet e luftës”4. 

 

Kur zbriti ajeti kur’anor: “Elif, Lamë, Mimë. Bizantinët (Rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës së arabëve), por pas disfatës së tyre ata do të ngadhnjejnë”, idhujtarët e përgënjeshtruan dhe u thanë shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “A nuk e shihni se çka është duke thënë shoku juaj. Ai mendon se Bizantinët përsëri do të ngadhnjejnë”. Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] vuri bast me ta (kaull) me lejen e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kur e realizoi All-llahu i Madhërishëm të vërtetën për të cilën fliste ajeti kur’anor, dhe erdhi Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] me atë që vuri bast me idhujtarët në këtë çështje, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Kjo është e mbrapshtë”,dhe e dha lëmoshë (sadaka), besimtarët u gëzuan me fitoren e All-llahut, ndërkaq ndalimi i bixhozit zbriti pas lejes së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që ia dha atij për vënie bast (zënie me kaull) me mosbesimtarët.5

 

Ndërkaq në transmetim qëndron: Ibën Mes’udi [radijall-llahu anhu] bleu një robëreshë, por nuk arriti ta gjejë pronarin e saj që t’ia paguajë çmimin. E kërkoi shumë, por nuk arriti ta gjejë, prandaj shumën që e pati borxh ndaj tij e dha sadaka, dhe tha: “O Zot, kjo është për të nëse pajtohet, e nëse jo, atëherë shpërblimi për mua”.

Haseni [radijall-llahu anhu] është pyetur për pendimin e atij i cili merr prej plaçkës së luftës para se ajo të ndahet, si dhe atë që i merret atij pas shpërndarjes së ushtrisë, dhe ka thënë: Do ta jep atë lëmoshë.

 

Transmetohet se një njeri e kishte mashtruar interesi dhe kishte marë para ndarjes së plaçkës së luftës njëqind dinarë (monedhë ari), e pastaj erdhi te komandanti që t’ia kthejë ato, por ai refuzoi t’i pranojë dhe i tha: “Njerëzit u shpërndanë.” Ai shkoi te Muaviu [radijall-llahu anhu], por edhe ai refuzoi t’i marë. Shkoi te disa njerëz të devotshëm, dhe i thanë: Një të pestën dorëzoja Muaviut [radijall-llahu anhu], ndërkaq pjesën tjetër jepe sadaka. Muaviu [radijall-llahu anhu] mori vesh për këto fjalë dhe i erdhi keq pse nuk iu kujtua kjo.

 

Këtë qëndrim e përkrahin Ahmed ibn Hanbeli, Harith el-Muhasibiju dhe një grup njerëzish të devotshëm.

 

Ndërkaq, shikuar nga aspekti i analogjisë (kijasit), themi: Kjo pasuri sillet ndërmjet dy alternativave: që të humbet apo të investohet në gjëra të dobishme, pasi nuk kemi shpresë ta njohim pronarin e saj, e domosdo dihet se investimi i saj për gjëra të dobishme është më mirë se sa të zhduket. Nëse e hedhim, zhdukim, atëherë e kemi humbur edhe për ne edhe për pronarin, dhe nuk ka pasur asnjë dobi prej pasurisë së tillë, ndërkaq, nëse ia japim ndonjë të varfëri i cili do të lutet për pronarin e saj, pronari do ta fitojë bekimin e duasë së tij, e po ashtu edhe i varfëri do t’i kryejë nevojat e veta. Kurse arritja e sevabit (shpërblimit) për pronarin në lëmoshë, pa vullnetin e tij, nuk duhet të mohohet, pasi në hadithin e vërtetë qëndron: “Bujku dhe mbjellësi do të fitojnë shpërblim për çdo gjë që e hanë njerëzit dhe shpezët prej fryteve dhe drithërave të tij”.6

Për sa i përket atij i cili thotë: “Ne e japim sadaka vetëm atë që është e pastër (ndershme -hallall)”, themi se kjo është në rregull nëse kërkojmë shpërblim për vete, kurse ne tash kërkojmë ta shporim këtë padrejtësi, e jo të fitojmë sevab, dhe ishim të dyshimtë në zgjedhjen në mes zhdukjes dhe dhënies lëmoshë, por i dhamë përparësi lëmoshës ndaj zhdukjes.

 

Ndërkaq atij që thotë: “Nuk ia dua tjetrit atë që nuk e dua për vete”, i themi: Po, kjo është kështu, mirëpo kjo pasuri për ne është haram, sepse nuk kemi nevojë, kurse për të varfërin është e lejuar, pasi këtë ia lejon argumenti i sheriatit, andaj, kur dobia e kushtëzon lejimin, atëherë obligohet lejimi, e nëse lejohet, atëherë, pra, ne ia kemi dashtë atij atë që është e lejuar – hallall.

po ashtu themi: Nëse ai është i varfër, i lejohet ta marë pasurinë e tillë për vete dhe fëmijët e vet. Për sa u përket fëmijëve dhe familjes së tij, kjo është çështje e qartë, ngase varfëria nuk apstrahohet për atë se janë fëmijët apo familja e tij, bile ata kanë më tepër përparësi prej tjerëve që t’u japë lëmoshë. Ndërkaq për vete i lejohet të marë prej pasurisë së tillë vetëm aq sa ka nevojë, nëse edhe ai, po ashtu, është i varfër. Nëse këtë pasuri ia jep lëmoshë ndonjë të varfëri, lejohet, e, po ashtu, vlen edhe për atë, nëse është i varfër.7

Këtu dikush mund të pyes: A ka sevabe (shpërblim) ai i cili e merr kamatën prej bankës dhe e jep për çështje bamirëse?

Përgjigja është se ai nuk e merr sevabin e sadakasë, por fiton sevab nga dy aspekte tjera:

 

I pari: Ngase ai e ka larguar prej vetes këtë pasuri të ndaluar, e, po ashtu, edhe nuk e ka shfrytëzuar për vete në asnjë mënyrë. E kjo e ka sevabin e vet tek All-llahu i Madhërishëm;

I dyti: Ngase ai ka qenë ndërmjetësues bamirës për dërgimin e kësaj pasurie te të varfërit dhe organizatat islame të cilat kanë dobi prej saj. E ky për këtë punë do të fitojë sevab, Insha’All-llah. /punahallall.com

………………………………………………………………………………. 

 

Fusnotat:

 

1 Përgjigje në lëminë e shkencave islame, të cilat i japin dijetarët kompetentë për këtë veprimtari – ekspertët e lëmive të ndryshme (B.A.)

2 Libri është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe (B. A.)

3 Pjesë prej hadithit të vërtetë (sahih) të cilin e transmeton Muslimi dhe të tjerët prej Ebu Hurejres [radijall-llahu anhu]. Ky hadith bën pjesë në grupin e katërdhjetë haditheve të njohura të cilat i ka përmbledhur Imam Neveviu.

(Libri i Neveviut, Dyzet Hadithet, është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe ka patur disa botime B.A.)

4 Hafidh El-Iraki thotë: Hadithin (e përmendur B.A.) e transmenton Ahmedi nga një njeri prej ensarëve – medinasve… Senedi (zinxhiri i transmetuesve) i tij është i mirë.

5 Hadithin e vënies bast të Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu] me mosbesimtarët, me lejen e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur zbriti ajeti kur’anor: “Elif, Lamë, Mimë, Bizantinët u mundën”, në të cilin po ashtu thuhet: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Kjo është e mbrapshtë”, dhe e dha lëmoshë, e ka përmendur Bejhekiu në librin e tij Delailun-nubuvveti prej Ibn Abbasit, e në të nuk përmendet se kjo ka qenë me lejen e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ky hadith gjendet edhe te Tirmidhiu, i cili thotë se është i mirë (hasen), si dhe te Hakimi, i cili thotë se është i vërtetë (sahih), por, po ashtu, pa fjalinë: “Kjo është e mbrapshtë”, dhe e dha sadaka (lëmoshë).

6 Hadithin (e përmendur B.A.) e transmeton Buhariu prej hadithit të Enesit: “Çdo musliman i cili mbjell ndonjë pemë apo drith, dhe prej saj ha ndonjë njeri, shpezë apo kafshë, atij i shënohet sadaka.”

7 Shih: Ihjau ulumid-din 29/119-120.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit