-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kthimi në tekst i përmbajtjeve audio vizuale – Shqip.ai platforma me Inteligjencë Artificiale e cila solli ndryshimin revolucionar në gjuhën shqipe

Më të lexuarat

Shndërrimi i gjuhës së folur në të shkruar e sidomos gjuhës shqipe ka qenë sfidë në vete. Së fundmi përmes ndihmës së Inteligjencës Artificiale një gjë e tillë është bërë e mundur.

Më 28 prill kompania Quantix ka prezantuar softuerin që bazohet në Inteligjencë Artificiale, përmes së cilit gjuha shqipe do të transkriptohet në mënyrë automatike nga përmbajtjet audio-vizuale në forma të tekstit të shkruar.

Teksti do të shkarkohet i gatshëm në disa forma të përshtatshme për t’u përdorur në media, gjykata apo institucione të tjera shtetërore.

Betim Drenica CEO i kompanisë Quantix, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se si erdhi deri tek ky ndryshim revolucionar i cili do t’ua lehtësoj punën shumë njerëzve në profesione të ndryshme.

Ai ka treguar se projektit “Albanian Speech to Text” mund t’i qasemi përmes platformës Shqip.ai.

Drenica ka shtuar se aktualisht teknologjia e tyre një orë përmbajtje e transkripton brenda 15 minutash mirëpo “jemi duke punuar që këtë kohë ta shkurtojmë edhe më shumë” .

“Projekti Shqip.ai është një projekt për të cilin ne kemi punuar për më shumë se tri vite e gjysmë dhe është një kulmim i arritjeve tona në njohjen e gjuhës së folur shqipe dhe kthimin e saj në tekst. Kjo është një problematikë shumë interesante sepse gjuha shqipe është një gjuhë e cila flitet nga një numër i vogël në botë krahasuar me gjuhët e tjera.

I ka sfidat e veta , sfida e parë është ajo e mos investimit në gjuhë d.m.th. përmbajtjes që është e strukturuar, sfida e dytë është ajo e investimeve në teknologji, neve si komb dhe si shtete kemi pas prioritete tjera dhe si rrjedhojë e tillë nuk ka një përkrahje të gjerë d.m.th. nga kompanitë e mëdha globale si Microsoft, Google, Amazon etj, kështu që ne si kompani para tri vite e gjysmë kemi filluar të punojmë në një projekt shumë ambicioz me shumë sfida për njohjen e gjuhës shqipe dhe kthimin e saj në tekst me anë të teknologjive të avancuara si Inteligjenca Artificiale”, u shpreh Drenica.

Drenica tregoi se deri te lansimi i këtij projekti ka pasur sfida të shumta dhe se tani kanë arritur deri të një rezultat shumë i mirë, një njohje e përgjithshme mbi 90% e gjuhës së folur standarde dhe disa elemente të dialektit gegë sidomos e folura në Kosovë.

“Shqip.ai është një produkt që e ekspozon krejt këtë teknologji dhe ju mundëson përdoruesve që një përmbajtje audio që ngarkohet aty të kthehet brenda pak kohe në tekst të strukturuar”, tha ai.

Ai theksoi se kjo teknologji është e qasshme në ueb faqen Shqip.ai dhe për shkak të kërkesës së madhe, përdoruesve do t’u kërkohet që të mbushin një formë aplikimi ku edhe do të ftohen për përdorim në ditët ne vijim nga ana e kompanisë.

Betim Drenica, drejtori ekzekutiv i kompanisë “Quantix” gjatë intervistës në Telegrafi/Foto: Burim Mjeku

“Javën e kaluar e kemi lansuar për publikun por për shkak të kërkesave të shumta për ta përdorur platformën jemi detyruar ta kthejmë në një qasje të kontrolluar. Si rrjedhojë e kësaj i kemi grupuar përdoruesit dhe në ditët në vazhdim do t’ju japim qasje të gjithë përdoruesve që ta përdorin platformën për një kohë të caktuar, sepse një teknologji e tillë është që kërkon resurse mbrapa resurse serverësh dhe si rrjedhojë ne duhet që ti kanalizojmë këto grupe që ta përdorin.

Synimi jonë është që ta vëmë në dispozicion të të gjithë atyre që kanë nevojë që përmbajtjen e tyre në shqip audio-vizuele ta kthejnë në tekst. Mjafton të shkoni në Shqip.ai që të aplikoni për regjistrim dhe në ditët në vazhdim ekipi ju jep qasje që të përdorni platformën në mënyrë të pavarur”, u shpreh Drenica për Telegrafin.

Drenica tha se përdorimi është shumë i thjeshtë. “Ju e ngarkoni një përmbajtje audio dhe ajo brenda pak kohe ju transkriptohet në mënyrë automatike”.

Ai shtoi se ndër përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti do të jenë mediat, e pastaj edhe institucionet tjera si ato të drejtësisë dhe edukimit.

“Gazetarët do të përfitojnë shumë për shkak se prodhojnë përmbajtje audio në një masë të madhe, d.m.th. mediat janë ndër përfituesit më të mëdhenj, por ka edhe fusha të tjera të cilat ne besojmë që do të përfitojnë. Psh: për shkak të transparencës dhe qasjes në dokumente të gjitha seancat e Kuvendit ato incizohen por nuk transkriptohen.

Ne besojmë që një produkt i tillë e kthen gjuhën e folur në gjuhë të shkruar dhe si rrjedhojë ju mundëson qytetarëve që të analizojnë se çka po flitet në ato seanca. Ka edhe fusha të tjera si ajo e sundimit të ligjit, sepse gjykatat përballen me një numër të madh të lëndëve, dhe një prej arsyeve ku zhvillimi i një seanca ngadalësohet është për shkak të përcjelljes së saj në tekst, dhe një teknologji e tillë mundëson që një seancë të zhvillohet në suaza normale”, tha Drenica.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Quantix më tej foli edhe për pritjen që është bërë në publik lansimi i kësaj platforme. Ai u shpreh më pak se një javë nga lansimi kanë pasur mbi 500 kërkesa nga përdorues të ndryshëm.

“Nuk e kemi prit që do të marr një kërkesë të tillë brenda më pak se një jave janë mbi 500 përdorues të ndryshëm nga kategori të ndryshëm si gazetarë, institucione e njerëz që janë kurioz që kanë aplikuar për ta përdor platformën. Pikërisht kjo kërkesë e madhe na ka bërë që të ndryshojmë strategjinë që t’ju japim qasje grupe grupe e jo të lejojmë që platforma të përdoret në të njëjtën kohë nga të gjithë këta përdorues. Ne jemi shumë të kënaqur që pas afro katër viteve ky produkt është duke u pritur mirë dhe po kuptohet shumë lehtë”, u shpreh Drenica.

Drencia gjithashtu tha se kjo është një ndihmesë e madhe për njeriun dhe nuk është në asnjë mënyrë një zëvendësimi i tij.

“Ka shumë pyetje që na bëhet se a mundet që kjo teknologji ta zëvendësoj njeriun. Përgjigja është jo. Shembull një seancë plenare e Kuvendit për tu transkriptuar merr një javë kohë dhe ne këtë mund ta kthejmë në një ditë, kjo është lehtësim i punës dhe nuk është kurrsesi një mundësi zëvendësimi që të largohet dikush nga puna. Inteligjenca Artificiale dhe kthimi i gjuhës së folur në të shkruar e ndihmon çdo profesion dhe nuk e zëvendëson faktorin njeri”, tha ai.

I pyetur se a ekziston mundësia nëse një pamje audio-vizuele në gjuhën shqipe ta kthejmë në tekst në një gjuhë të huaj, Drenca bëri të ditur se edhe kjo është e mundur.

“Është e mundur por kjo kalon nëpër një proces të dytë që është përkthimi. Fillimisht duhet që gjuhën e folur ta ktheni në gjuhë të shkruar, tek transkriptimi ekziston një veçori që ne pretendojmë dhe synojmë që ti afrohemi folësit 100%, dhe kjo shkencë pretendon që gjuha e folur kthehet në tekst dhe teksti nuk e ka humbur kontekstin për çka ka folur folësi, në anglisht njihet si “State of the art” dhe si e tillë mund të aplikohet edhe në fusha sensitive, ne e kemi kaluar këtë prag dhe pretendojmë që ta kuptojmë folësin në një masë të theksuar dhe pastaj teksti i tillë mundet me u përkthy në çfarëdo gjuhe”, tha Drenica.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit