0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Kryesafeti – Nga Klajd Bylyku

Më të lexuarat

Nga Klajd Bylyku

Robert Michels, një ndër themeluesit e shkollës italiane të elitizmit, autor i veprës Partitë Politike, në të cilën ai zhvillon tezën e “ligjit të hekurt të oligarkisë,” me kujdes dhe elegancë shpjegon rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballen sistemet demokratike, në të cilat pushteti është shprehje e sovranitetit kombëtar dhe qeveria zgjidhet përmes votës popullore. Duke qenë se vepra është një botim i vitit 1911, për traditën politike evropiane kjo ishte një risi, ndaj që të gjitha konceptet politike trajtohen në dritën e një dikotomie, se si ato kishin funksionuar në një shoqëri me monark dhe se si kishin filluar të funksiononin në një shoqëri me sovran të zgjedhur me votë. Dhe një ndër çështjet kryesore që trajtohen në favor të një pushteti monarkik, është ajo e liderit politik, duke u arsyetuar se një mbret i cili qeveris me vetëdijen se pushtetin nuk e ka të kufizuar në kohë në trajtën e një mandati por të trashëguar përmes gjakut, atëherë është i prirur që në përgjithësi të qeverisë në mënyrë të drejtë, ngase vitet potencialisht të gjata në pushtet, do ta fusin pashmangshmërisht në histori, në të cilën është më e denjë të hysh si faqebardhë sesa si faqezi. Ndërsa në rastin e një presidenti apo kryeministri që vjen në pushtet përmes votës popullore, potencialisht kemi të bëjmë me premisa sociologjike radikalisht të kundërta. Nuk përjashtohet mundësia që i frikësuar nga mbarimi i shpejtë i mandatit dhe jo i sigurtë për fitimin e një të dyti, lideri i përkohshëm politik përballet me natyrën kalimtare të pushtetit të tij, gjë që e shtyn ta shfrytëzojë atë sa më shumë. Veç kësaj, një mbret shënon jo vetëm qeverisjen e vendit të tij por përfaqëson një epokë, që me fjalë të tjera do të thotë se ai është përfaqësuesi i kohës së vet, shpirti dhe zëri i saj, ndërsa një sovran popullor i zgjedhur me mandat, nuk ka për ta pasur kurrë ngarkesën historike mbi supe, sepse epoka e tij do të jetë shuma e një tërësie qeverish (administratash në një kontekst amerikan) dhe jo rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e tij.

Kjo premisë të cilën autori në fjalë e trajton gjerësisht duke e analizuar me shembuj nga partitë politike në Itali, Gjermani dhe Francë, mund të na ndihmojë ta kuptojmë nga një perspektivë sociologjike dhe kulturore palavinë që ndodhi disa ditë më parë në Bashkinë e Kukësit, ngase po të arsyetojmë me kujdes, kuptojmë se me rastin konkret nuk ia vlen as të merresh, duke pasur parasysh banalitetin nga i cili karakterizohet individi në fjalë dhe mjerimin në të cilin është zhytur populli dhe qyteti i Kukësit, banorët fisnikë të të cilit e kanë humbur ndjeshmërinë deri në pikën sa nuk u bën më përshtypje asgjë. Prandaj dhe mënyra e vetme për ta kuptuar atë që ndodhi është ta shohim siç në të vërtetë është: si një dukuri. Por këtu nuk kemi për qëllim natyrën shpesh herë imorale të funksionarëve shtetërorë apo të njerëzve të pasur, burra apo gra qofshin, sepse kjo ka qenë dhe do të jetë përherë kështu (pavarësisht se sa e dënueshme dhe e papranueshme është). Dukuria në fjalë është kulminacioni i njërës nga dy anët e lavjerrësit të mekanizmit të suksesit që ka prodhuar Kryeministri, i cili me vetëdije të plotë ka hartuar në fillim në letër dhe më pas në terren një arkeologji të rikonceptuar të shtresave shoqërore. E kemi fjalën për patronazhistët dhe aktivistët, të cilët në mënyrë publike në mënyrë të përsëritur janë shpallur si motorët e vërtetë të sukseseve të Partisë Socialiste. Ky grup njerëzish që për nga numri, pesha dhe ndikimi tashmë çdo ditë e më shumë po konsolidohet si një shtresë e mirëfilltë shoqërore, nga Kryeministri u përgëzua përzemërsisht disa ditë pas zgjedhjeve të grabitura parlamentare të prillit 2021. Përshkrimi i Partisë Socialiste si një makineri e mirëfilltë suksesi, iu vesh pikërisht patronazhistëve, të cilët pasi u falenderuan, menjëherë u shpallën si njerëzit që nuk kishin kohë për të humbur, por që duhet të përgatiteshin për betejën e radhës. Beteja e radhës erdhi sërish dhe patronazhistët, tashmë të përforcuar edhe nga radhët e aktivistëve, korrën suksese të të njëjtave përmasa, duke u shpërblyer në po të njëjtën mënyrë, me një fotografi madhështore publikuar nga Kryeministri mbrëmjen e zgjedhjeve, ku përsëri i përshkroi si arsyeja e vërtetë e fitoreve shkatërrimtare të Partisë, pagabueshmëria e pamëshirshme e të cilëve i kishte mundësuar atij që përpara mbarimit të procesit të votimit të parashikonte fitoren në më shumë se pesëdhjetë bashki të vendit.

Tani sukseset e pamohueshme të Partisë më të fortë të vendit përbëjnë njërin ekstrem të lavjerrësit tonë shoqëror, i cili përpiqet që zgjedhje pas zgjedhjesh të shtyhet sa më shumë të mundet, në mënyrë që përmes ekzaltimit të pashmangshëm që prodhon inercia e triumfit, me t’u arritur suksesi dhe përmbushur qëllimi, të lëshohet furishëm me të njëjtën fuqi matematikore tërheqjeje drejt ekstremit tjetër, që në gjuhën politike shprehet përmes falenderimeve të Kryeministrit, ndërsa në atë kulturore paraqitet përmes episodit të kryebashkiakut të Kukësit. Kjo është e vetëkuptueshme sepse historia e njeriut ka treguar që edhe në rastet kur grupe të mëdha njerëzish kanë luftuar për kauza të mëdha atdhetare apo ideologjike, vjen një pikë kur sfilitja dhe lodhja që shkaktohen nga triumfi, duhen shpërblyer me të njëjtën frenezi drejt shkapërderdhjes. E këtillë ishte gjendja e ushtarëve francezë të Napoleonit kur hynë në Moskën gjysmë të djegur, kur pas afro dy mijë e shtatëqind kilometrash marshim, u vërsulen si kusarë drejt shtëpive të braktisura të rusëve, duke vjedhur e plaçkitur ç’të mundnin. Sepse efekti i lavjerrësit është i dënuar të jetë i menjëhershëm: sa e madhe të jetë inercia, aq e fuqishmë është dhe tërheqja. Dhe kjo dikotomi sjelljeje, në rastin e patronazhistëve dhe gjithë nëpunësve të Partisë Socialiste të Shqipërisë pasurohet edhe nga një koincidencë që për ta rezulton fatlume: ata janë në harmoni të plotë si me traditën ashtu edhe me frymën, për aq kohë sa e para është imitim vertikal i brezave të mëparshëm të së njëjtës shoqëri, kurse e dyta është imitimi horizontal i bashkëkohësve të shoqërive të tjera.

E shpjeguar më thjesht, patronazhistët dhe e gjithë Partia Socialiste në formë është duke imituar etërit themelues të Partisë së Punës, duke ndjekur të njëjtën praktikë me ta, që konsistonte në poshtërimin, delegjitimimin moral dhe politik, dhunimin dhe goditjen e të gjithë popullit të ndryshëm nga ata, duke i cilësuar si kulakë dhe armiq. I njëjtë ishte diskursi i Kryeministrit në fushatën psikopatike që zhvilloi, ku të gjithë kundërshtarët i konsideronte si të padenjë, ndërsa kandidatët socialistë si të vetmit e vlefshëm. Duke iu drejtuar popullit të djathtë ai deklaroi se nuk ishte e nevojshme as të votohej, duke qenë se mjaftonte përzgjedhja që ai u kishte bërë kandidatëve socialiste që do të garonin, në cilësinë e individëve të vetëm që ia vlenin për të qeverisur. Në këtë kontekst e paraqiti edhe Safet Gjicin, si kalin e fuqishëm që do të tërhiqte karrocën, duke i paralajmëruar qytetarët e Kukësit se kjo e fundit nuk tërhiqej dot nga një lepur. Komunistët bënë të njëjtën gjë, derisa përmes propagandës, kërcënimit dhe dhunës, i vranë, i burgosën dhe i poshtëruan njerëzit. Kurse në përmbajtje sjellja e Kryeministrit, patronazhistëve dhe kuajve të karrocave nëpër Republikë, është postmoderne, që është dhe fryma dominuese e qytetërimit perëndimor sot, sjellje kjo që konsiston në ekstremin tjetër të lëvizjeve të lavjerrësit. Dhe duke qenë se postmodernia si tiparin bazë të zbrazjes së individit nga kuptimet ka paturpësinë, jo aq si një akt i kufizuar amoral sesa si një nxitje e vrullshme e asgjësimit të çdo ngarkese etike të veprimeve, episodi i Bashkisë së Kukësit ka ndodhur pikërisht gjatë kundër-lëvizjes së lavjerrësit.

Intensiteti i madh i betejës elektorale duhet të ketë bërë të vetën dhe pas fitores, njihet që javët dhe muajt e parë nga njëra anë karakterizohen nga zemërata e menjëhershme që shfaqet ndaj kundërshtarëve dhe nga ana tjetër nga ushtrimi kryeneç i pushtetit të sapofituar apo të sapokonfirmuar. Largimi i padrejtë i njerëzve nga puna, rikonfigurimi sarkastik i diskursit poshtërues i përdorur në fushatë (siç ishte turi i falenderimeve), dhënia pa kriter e lejeve të ndërtimit, spastrimi nga ferrat e brendshme (se qëllon që ka dhe ndonjë pasivist në mesin e aktivistëve), uzurpimi i hapësirave publike, janë sjellje të vetëmadhështisë post zgjedhore, ndërsa episodet si ai i Bashkisë së Kukësit, përtej korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës që mund të fshehin, për nga rëndësia llogariten të dorës së dytë, duke u parë si shfryrje e natyrshme dhe legjitime e një fuqie të akumuluar në fushatë, e cila duhet shkarkuar qoftë edhe duke i mbushur mendjen vetes se pas fitores zyrat e institucioneve shtetërore nuk janë hapësira publike në shërbim të qytetarëve, por ambjente private, falë vetë votës qytetare. Kjo na kujton zemëratën e Stalinit ndaj presidentit Truman në Potsdam, kur ky i fundit i kërkoi llogari për hyrjen e Ushtrisë së Kuqe në Berlin duke mos pritur ardhjen e amerikanëve dhe për përdhunimin e rreth dy milion vajzave dhe grave gjermane nga ana e ushtarëve sovjetikë. Kritikës së parë Stalini iu përgjigj duke i kujtuar se Aleksandri I në kundër-ofensivën e tij kishte shkuar deri në Paris, kurse ai ishte mjaftuar me Berlinin, ndërsa përdhunimet i justifikoi me lodhjen e madhe të ushtarëve të tij dhe qëndrimin për një kohë të gjatë larg vatrës familjare. Që do të thotë se ata që janë robër të epsheve proceduriale, vëlla Safetin mund ta përfytyrojnë dhe përligjin si një toger besnik të gjeneralit Zhukov, i sprovuar nga fatkeqësia e ndodhjes në Kukësin e vitit 2023 dhe jo në Berlinin e 1945-sës.

Por përtej parodisë, faji me të cilin duhet të ngarkojmë kryebashkiakun është pakrahasueshmërisht më i vogël sesa faji që bart mbi supe Kryeministri, i cili ka prodhuar lavjerrësin në fjalë, që nëse e vë në punë një herë, është e vështirë t’ia korruptosh më ekuilibrin matematikor që ai kërcënon të gëzojë vazhdimisht, sepse një prishje e tij do të thotë ose humbje e zgjedhjeve, ose revoltë e safetëve, që janë anë e së njëjtës gjëmë. Në këtë kuptim, duke qenë se shtysa deterministe e strukturimit të zhvillimeve publike në shoqërinë shqiptare përcaktohet nga lavjerrësi sociologjik i pushtetit, atëherë na lind detyra të paktën të kuptojmë shtresat apo grupet shoqërore që e përbëjnë këtë shoqëri.

Mbështetur në skemën e shpallur nga Kryeministri dhe në vëzhgimet në terren, shtresa më e madhe shoqërore është ajo e proleve, në kuptimin që Huxley ka për këtë term. Prolet nuk janë vetëm votuesit e majtë apo të djathtë, madje nuk janë as vetëm ata që nuk votojnë, prolet janë para së gjithash ata që besojnë se nuk janë të kërcënuar nga lavjerrësi i pushtetit, pastaj janë gjithë të tjerat bashkë. Dhe për ta kuptuar më mirë këtë shkrirje të shtresave shoqërore të përftuara nga kjo skemë e re, na mjafton të shohim organizimin urban dhe kulturor të kryeqytetit të vendit, ku jeton gjysma e banorëve të Republikës. Në këtë kuptim, duke qenë se prolet përbëjnë shumicën e shoqërisë, edhe spektri i tipologjisë së sjelljeve që ata kanë zhvilluar është më i madh. Për shembull prolet janë ata që e besojnë se nëse në Tiranë ecën me biçikletë në shtëpi arrin më shpejt, janë ata që e dinë përmendësh refrenin e këngës së fushatës, janë ata që qoftet e sheshit çdo Vit të Ri i shijojnë vetëm duke i ngrënë si instalacion, janë ata besojnë se të gjithë popujt rrjedhin nga pellazgët. Shumica e proleve te kryeqytetit del se votojnë Safet Velinë, por një pjesë e mirë edhe nga ata që nuk e votojnë nuk heqin dorë nga bindja se Saliu po u rikthye në pushtet do të na prodhojë çdo muaj ’97-ta, besojnë se Enver Hoxha bëri hidrocentrale dhe zhvilloi vendin, ashtu siç ka të tjerë që besojnë se pa Amerikën nuk ka të ardhme. Pas tyre vijnë patronazhistët, të cilët për nga mënyra e organizimit, konceptimit të karrierës dhe veprimtarisë publike të kujtojnë mizat e tregut të Zarathustrës.

Mizat e tregut janë ato që mbajnë në këmbë pushtetin, me disiplinën dhe bindjen e pashembullt ndaj më të fortit. Në skemën në fjalë ato përkojnë me ata që Nietzsche i quante gazetarë dhe komedianë, ku të parët formësonin në mënyrë të rreme opinionin publik, kurse të dytët mbanin nën kontroll në mënyrë mesnike turmat hibride që ishin kalimi nga majmuni drejt mbinjeriut. Mizat e tregut janë më të kualifikuara dhe dinë gjithçka. Janë të diplomuara, zotërojnë çdo rrjet social, nuk dinë vetëm refrenin e këngës së fushatës por sistemojnë edhe karriget e mitingjeve, nuk hanë vetëm qofte por zotërojnë edhe kioska ku ato shiten, janë të pasura, janë të paepur në betejë dhe ashtu siç veteranët e vjetër të partisë si ideal kanë shokët e vjetër të Partisë-nënë, këta kanë organizatën e hershme rinore të Safet Velisë, palavi premature e operacionit çezarian të së cilës edhe janë, me dallimin triumfues se të parët garuan si shtatanikë të detyruar në radhët e G99, ndërsa mizat patronazhiste janë partizanët e rinj që luajnë kukamshefthi me smartfonë dhe jo mitralozë në duar, duke gjëmuar nga pas edhe të ndryshmit e fundit të çdo lagjeje të vendit, për të kuptuar dhe raportuar me saktësi se sa ka mbetur numri i species në arrati që nuk identifikohet me ta, njësoj siç ata me mitralozë pasterizonin nëpërmjet togave të pushkatimit fshatrat e qytetet e vendit nga armiqtë e popullit.

Por pjalmimin që mizat e tregut të pamaskuara si bletë e kryejnë gjatë gjithë kohës nëpër administratë dhe popullatë, nëpër lagje dhe rrjete sociale, për të përftuar mjaltin e kutive të votimit, nuk mund ta bëjnë dot kurrë pa joshjen dhe kërcënimin e një shtrese të tretë, vetëkuptueshmërisht më e vogël në numër dhe më dinake në metodë, e që është ajo e safetëve, kurse në përputhje me emërtimin e Nietzsche-s, ajo e plebenjve. Këta të fundit i shtypin të gjithë me këmbë dhe i druhen vetëm pushtetit. Jetojnë larg duhmës dhe zhurmës së tregjeve dhe ndryshe nga mizat, pushtetin nuk e duan për të siguruar jetën por për të turistizuar epshin. Ata gënjejnë prolet, kontrollojnë mizat dhe qeshin si poni teksa poshtërohen në fushatë nga kryekali. Ata janë si në përshkrim ashtu dhe në emërtim në përputhje me parlamentarizmin me të cilin Nietzsche tallet, duke qenë se janë pikërisht deputetë, kryebashkiakë, drejtorë, pronarë mediash, çifligarë. Atyre u shpërndahet sasia më e madhe e njëherazi e barazvlefshme e kërcënimit dhe joshjes, e poshtërimit dhe shpërblimit, e mundit dhe suksesit, u akordohet pjesa më e madhe e rrëshirës së rreme të pushtetit. Këta janë arkitektët e vërtetë të organizimit të shkëlqyer të mizave të tregut, prandaj dhe meritojnë të shpërblehen më shumë, ngase rrezikojnë më shumë nga të gjithë dhe lavjerrësi në fjalë, nëse nis të funksionojë një herë, është i pamanipulueshëm dhe në rast gabimi, ashtu si revolucioni, i ha bijtë e vet.

E megjithatë, lavjerrësin e zotëron ai që e shpiku dhe që prolet, mizat dhe plebenjtë i vëzhgon nga poltrona e vetme e panoptikonit politik, duke i nxitur dhe frikësuar me shpresë dhe ndëshkim, me triumf dhe poshtërim, me joshje dhe shantazh. Është pikërisht kjo gjendja aktuale e shoqërisë dhe klimës politike shqiptare, që lëkundet midis përvojës së Partisë së Punës dhe shthurjes neveritëse që Partia Socialiste e Shqipërisë mishëron në të gjitha hallkat e saj zyrtare dhe jo zyrtare, të dukshme dhe të padukshme, të ligjshme dhe të paligjshme, të konceptuara dhe zbatuara në mënyrë të shkëlqyer nga guximtari politik që në përpjekje për t’u bërë Mbinjeriu që do të mundte Berishën, i rrethuar nga shqiponja dhe gjarpri i Zarathustrës, dështoi në mesianizmin e tij aristokratik duke u rrethuar nga plebenjtë e makinerisë së suksesit që drejton, prandaj dhe ka së paku detyrimin moral që ashtu siç përpara zgjedhjeve deklaroi se ishte kryekali, tani të pranojë se është kryesafeti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit