Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, vlerësoi ndihmën mjekësore të Turqisë që dërgoi sot në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, theksoi se Turqia nuk ka lënë të vetëm vendet mike dhe vëllazërore të Ballkanit në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Şentop, nëpërmjet një postimi në Twitter, vlerësoi ndihmën mjekësore të Turqisë në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19, që i dërgoi sot në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.
Ai tha se Turqia nuk ka lënë të vetëm vendet ballkanike mike dhe vëllazërore në luftën kundër COVID-19. “Avioni ushtarak kargo me ndihma mjekësore për Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi u nis nga Ankara. Turqia do të zgjasë gjithmonë dorën e ndihmës për vëllezërit”, shkroi ai.
Kryeparlamentari turk gjithashtu postoi edhe fotot nga ndihmat mjekësore.