Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, takim koordinues të jashtëzakonshëm kanë zhvilluar koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, BDI-së, VMRO-DPMNE-së dhe partisë E majta, transmeton Portalb.mk.
“Takimin e jashtëzakonshëm koordinues e thirri Kryetari i Kuvendit në drejtim të zhbllokimit të punës së përgjithshme të Kuvendit, përfshirë edhe punën e trupave punues, duke e marrë parasysh se puna e një pjese të trupave amë është bllokuar më shumë se 5 muaj”, raportojnë nga Kuvendi.
Raportohet që Xhaferi ka kërkuar nga partitë politike që të largohet praktika e bllokimit të Kuvendit, gjegjësisht miratimit të ligjeve.
“Partitë politike duhet të braktisin praktikën e mbajtjes peng të procesit të miratimit të ligjeve, mospasjes së kuorumit për shkak të shkaqeve të arsyeshme shëndetësore të deputetëve lidhur me pandeminë e KOVID-19, ose parashtrimin e numrit tejet të madh të amendamenteve për një ligj, duke e ngarkuar edhe shërbimin e Kuvendit e jo vetëm procesin ligjvënës”, kërkojnë nga Kuvendi.
Kuvendi njoftoi që nesër do të vazhdojë seanca e 32-të e Kuvendit.
“Kryetari theksoi se praktika e kushtëzimit nuk shkon në favor të askujt. Kryetari është përgjegjës për respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores, për ruajtjen e dinjitetit të Kuvendit. Kuvendi është institucion shtetëror, duhet të punojë në atë mënyrë dhe në punë nuk guxon të ketë ultimatum”, raportojnë nga Kuvendi.