kryeministri kanadez Justin Trudeau u takua me beben Justin Trudeau, foshnjën e një çifti refugjatësh sirianë që i vunë emrin e tij në shenjë falenderimi për vendin e tyre adaptues.
Foshnja dy muajshe, emri i plotë i të cilit është Justin Trudeau Adam Bilan, flinte i lumtur ndërsa kryeministri e mbajti për pak çaste në krahë.
Ai ka lindur në maj, në Kaljari, disa muaj pasi prindërit dhe dy fëmijët e tjerë ishin larguar nga lufta në Siri. Kur familja mbërriti në Montreal në shkurt, Trudeau nuk ndodhej atje për t’i përshëndetur siç kishte bërë me refugjatë të tjerë sirianë.
Por, çifti, Muhamed dhe Afra Bilan, e ndjenin se duhet ta falenderonin në ndonjë mënyrë, ndaj i vendosën foshnjës së tyre, emrin e tij. Nga nëntori 2015 kur Trudeau u bë kryeministër, e deri në janar të këtij viti, më shumë se 40 mijë refugjatë sirianë janë vendosur në Kanada.
Rreth 1 mijë prej tyre janë vendosur në Kaljari. Në janar, pas urdhrit të presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e emigrantëve nga 7 vende me shumicë myslimane, Trudeau, doli në mediat sociale për të konfirmuar angazhimin e qeverisë së tij për të ndihmuar ata që i largoheshin persekutimit, terrorizmit dhe luftës.
Në Ontario, në shkurt, një tjetër çift sirian ia kish vendosur emrin djalit të tyre Justin, në nder të kryeministrit.