Kryeimami Sahiti, vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve në Ankara të Turqisë
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve në Ankara të Turqisë, në të cilën u prit nga drejtori i përgjithshëm, z. Sinan Aksu.
Kryeimami Sahiti fillimisht falënderoi drejtorin Aksu për mikpritjen e ngrohtë dhe për gatishmërinë e Drejtorisë së Vakëfeve për të vazhduar bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore islame të Kosovës, sidomos në restaurimin e monumenteve të shkatërruara dhe të dëmtuara gjatë luftës së fundit 1998-1999, ku pësuan perlat e monumenteve arkitekturore të trashëgimisë fetare islame në vend.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm, z. Sinan Aksu, falënderoi kryeimamin për vizitën dhe për bashkëpunimin e Bashkësisë Islame të Kosovës me Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë në realizimin e një sërë projektesh të rëndësisë së veçantë për trashëgiminë kulturore dhe fetare të Kosovës.
Në fund të takimit, kryeimami Sahiti, i dhuroi z. Sina Aksu, monografinë e xhamive të komunës së Vushtrrisë, e botuar së fundi nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Institutit për Trashëgimi Kulturore Islame.