Kryeimami Sahiti priti në takim këshilltarin regjional për siguri të Bashkimit Evropian, z. Eddy Greif
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ka pritur në takim këshilltarin regjional për siguri të Bashkimit Evropian, z. Eddy Greif, i cili shoqërohej nga ekspertja nacionale e Zyrës së BE-së, znj. Heidi Lempio dhe nga zyrtari për politika në Zyrën e BE-së, z. Visar Bivolaku.
Kryeimami Sahiti e falënderoi z. Greif për vizitën dhe për bashkëpunimin e Zyrës së BE-së në Kosovë me Bashkësinë Islame të Kosovës, sidomos për mbështetjen e kësaj Zyre për dialogun ndërfetar dhe ndëretnik. Ai në veçanti tha se me Zyrën e BE-së kemi një bashkëpunim të mirë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes instrumentit ICSP, e cila është realizuar nga UNDP-ja, dhe që për qëllim ka pasur forcimin e kohezionit social dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.
Z. Greif, falënderoi kryeimamin Sahiti për mikpritjen, e më pas, përmes tij, falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për përkushtimin dhe kontributin për ndërtimin e paqes dhe për kultivimin e vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë në Kosovë. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Bashkësisë Islame do të vazhdojë edhe në të ardhmen.