Kryetari i komunës së Zagrebit Milan Bandiç në ndërtesën e administratës së qytetit ka pritur përfaqësuesit e Bashkësisë Islame në Kroaci, të udhëhequr nga kreu i saj, Muftiu Aziz ef. Hasanoviç i cili foli në lidhje për shënimin e 100-vjetorit të njohjes ligjore dhe institucionale të islamit në Kroaci, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 100 vjetorit të institucionalizimit të islamit në Kroaci, gjatë gjithë vitit në disa qytete të ndryshme do të mbahen manifestime, nga Dubrovniku në Osijek, kurse manifestimi qendror do të mbahet në Zagreb.
Nënkryetarja e Komunës së Zagrebit, Vesna Kusin tha se Zagrebi është një shembull i mirë i multikulturalizmit dhe bashkëjetesës së mirë të komuniteteve fetare dhe etnike.
“Ne me multikulturalizmin jemi takuar kohë më parë, dhe jo tani me rastin e ardhjes së valës së migrantëve dhe kur, unë do të thoja, Bashkimi Evropian po përballet me atë që ne e njohim dhe e vlerësojmë tashmë njëqind vite. Prandaj mendoj se Zagrebi mund të bëhet një shembull për të gjithë në BE. Shpresoj se do të jemi shembull i mirë se si do tekalohet kriza në Evropë dhe se si të zgjidhet çështja e pakicës muslimane në Evropë”, tha Kusin.
Muftiu Hasanoviç tha se sot kryetarit Bandiç ia kishte paraqitur të gjitha manifestimet e planifikuara për të cilat Qyteti i Zagrebit do të jetë bashkë-organizatorë.
Hasanoviç këtë përvjetor e ka cilësuar si të vetmin dhe të rëndësishëm, sepse Kroacia dhe Austria, janë vendet e vetme evropiane që mund të bëjnë një organizim të madh jubilar, që tregon një traditë të gjatë të islamit dhe bashkëjetesës. Sipas tij, Belgjika dhe Spanja pas 50 vitesh kanë mundësi për të shënuar këtë 100 vjetor.
“Jemi krenarë që si muslimanë ne mund të zhvillojmë marrëdhëniet tona dhe në këtë mënyrë të konfirmojmë multikulturalizmin e Republikës së Kroacisë dhe të konfirmojmë standardet e saj të larta në trajtimin e të drejtave të pakicave dhe ato fetare, por edhe aftësinë e një komuniteti të vogël islamik të jetë faktor konstruktiv dhe integrues në këtë shoqëri”, tha muftiu pas takimit.
Hasanoviç falënderoi të gjithë sponsorët të cilët do të mbështesin shënimin e përvjetorit, presidenten e Kroacisë, Parlamentin dhe Qeverinë, si dhe qytetin e Zagrebit, i cili do të jetë bashkë-nikoqir.
Manifestimi kryesor do të mbahen më 22 prilli, në Qendrën Kulturore “Lisinski” me “Koncertin për tolerancë” nga Filarmonia e Zagrebit. Muftiu njoftoi takimin e 50 udhëheqësve kryesorë muslimanë të Evropës, nga ku do të dërgohet mesazhi me sugjerimin që Kroacia të jetë model për zgjidhjen e problemit musliman në Evropë.
Në Muzeu Mimara më 26 prill do të hapet ekspozitë grupore nga koleksioni privat i artistëve muslimanë që kanë shënuar artin kroat dhe botërorë, i cili do të jetë i hapur për një muaj.
Seanca solemne e Kuvendit me rastin e këtij jubileu do të mbahet më 27 prill, në institucionin ku 100 vite më parë u njoh rëndësia e faktorit integrues të islamit dhe muslimanëve në shoqërinë kroate. Të njëjtën ditë, pasdite, në Teatrin Kombëtar Kroat do të mbahet akademi, ku do të performojë Filarmonia e Zagrebit me program i cili drejtpërdrejtë do të transmetohet nga Radio Televizioni Kroat (HRT), ku të pranishëm do të jenë i gjithë kreu shtetëror, njoftoi muftiu Hasanoviç .
Poashtu do të mbahet edhe promovimi i enciklopedisë dy-vëllimore me mbi 1500 faqe, të titulluar “Muslimanët në Kroaci”, në të cilën janë përmbledhur të gjithë muslimanët të cilët në çfarë do mënyre kanë kontribuar në Republikën e Kroacisë në 100 vitet e fundit.
Në çdo qytet, ku ka komunitet musliman do të mbahen manifestime, kurse në Rijekë dhe Dubrovnik do të mbahen simpoziume shkencore.