4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Krizat me të cilat përballet demokracia bashkëkohore: sfidat dhe perspektivat – Florian Çullhaj

Më të lexuarat

Krizat me të cilat përballet demokracia bashkëkohore: sfidat dhe perspektivat

Florian Çullhaj

Sot kemi arsye të besojmë se trualli – konteksti më i madh shoqëror, historik, kulturor dhe ekonomik – ku demokracitë e shekullit XX duhet të funksionojnë është bërë i pafavorshëm. Frank Michelman në esenë e tij, How Can the People Ever Make the Laws? A Critique of Deliberative Democracy, paraqet katër gjendje/kushte bashkëkohore të pafavorshme për lulëzimin e demokracisë. Ndërsa, Alessandro Ferrara, në librin e tij Democratic Horizon: Hyperpluralism and the Renewal of Political Liberalism, këtyre kushteve u shton dhe pesë të tjera duke përcjellë një panoramë të plotë mbi sfidat e demokracisë së periudhës në të cilën jetojmë. Ferrara në analizën e tij huazon një metaforë nga sfera e botanikës, ku demokracia, qua regjimi politik, është si një bimë që, nëse gjendja e saj gjenetike mbetet e njëjtë, në një truall pjellor ajo mund të lulëzojë dhe të rritet, ndërsa në një truall jopjellor është e destinuar të vyshket dhe të thahet. Vëmendja jonë duhet të drejtohet më shumë për cilësitë e tokës ku ‘mbillet’ demokracia, sesa për një dobësi të brendshme gjenetike të ‘lules demokraci’.

Në vazhdim, analiza do të fokusohet tek paraqitja në mënyrë sintetike e të nëntë kushteve të pafavorshme, duke u ndalur në detaje mbi implikimet e tyre politike vetëm në tre syresh, përkatësisht: a) prevalenca e ekonomisë financiare brenda ekonomisë kapitaliste; b) përshpejtimi i përgjithshëm i kohës së shoqërisë; dhe c) transformimi i sferës publike. Kushte që përbëjnë sfidën më të madhe me të cilat demokracitë e shekullit XX duhet të përballen.

Kushtet e pafavorshme për demokracinë moderne:

• Shtrija e të drejtës së votës në shkallë të lartë ka sjellë uljen e vlerës së saj. James Fishkin e ka quajtur “injoranca racionale – pse të humb kohë të angazhohem në politikë kur vota ime është një në dyzet milion”. Ose në rastin e Indisë, kur e drejta për të votuar ka prekur kufijtë e një miliard syresh. Nuk ekzistonte para të drejtës së votës për të gjithë.
• Kompleksiteti i artikulimit institucional të një demokracie. Kjo ndikon në raportin ndërmjet asaj që qytetari vepron politikisht dhe asaj që ai sheh të përfaqësuar, kush e vendos raportin ndërmjet votës dhe asaj që qytetari lexon në gazetë. Vendimmarrja ka shumë rrathë shkakësorë të ndërmjetëm që t’i japësh domethënie përgjegjshmërisë në votim.
• Anonimiteti i proceseve të formimit të vullnetit politik. Sipas Ferdinand Tönnies: Gemeinschaft-Gesellschaft. Termi gemeinschaft, i përkthyer shpesh si “komunitet”, i referohet individëve të lidhur nga normat e përbashkëta, shpesh për shkak të hapësirës fizike dhe besimeve të përbashkëta. Ndërsa gesellschaft, e përkthyer shpesh si “shoqëri”, i referohet shoqatave në të cilat interesi vetjak është justifikimi kryesor për anëtarësimin. Kjo formë organizmi nuk është më një marrëdhënie ballë për ballë, pra nuk ka më formim të vullnetit politik të përbashkët, procesi sot është anonim.
• Pluralizmi i madh kulturor, i cili vjen si pasojë e emigrimit që kanë transformuar përbërjen kulturore të vendeve evropiane. Deri në 1989 bota qe bipolare dhe kishte një identifikim: ose pro kapitalizmit ose kundër tij. Kur ky aks identifikimi pushoi së ekzistuari, u ringjallën forma të vjetra identifikimi, si fetare, etnike e të tjera që janë pafundësisht më të fragmentuara sesa binomi treg i lirë apo ekonomi e planifikuar.
• Shtresëzimi i qytetarisë. Ne mendojmë në mënyrë fiktive se brenda një shteti jetojnë vetëm qytetarë të atij shteti, që është një mendim fiktiv. Demokracitë e shekullit XX janë të ngjashme me demokracitë antike, ku një pjesë e qytetarëve të atij vendi vendosin për pjesën tjetër që nuk janë qytetarë të atij vendi, por janë thjesht rezidentë. Kjo është 1900, e djeshmja.
• Demokracia ka lulëzuar vetëm në kombinim me ekonominë e tregut. Eksperimenti që demokracia të lulëzojë pa ekonominë e tregut, por në ekonomi të planifikuar dështoi. Kapitalizmi i sotshëm ka në qendër të tij ekonominë financiare e cila ka karakteristikat e brutalitetit të kapitalizmit të shekullit XIX. Sot jemi dëshmitarë në perëndimin e punës si gjenerator i akumulimit të pasurisë; kjo bjerrje ka ndikimin në prestigjin social dhe në influencë politike.
• Përshpejtimi i kohës. Kemi më pak kohë për kolegjialitet për të marrë vendime. Kjo sjell vertikalizimin e vendimmarrjes dhe i jep shumë pushtet atyre që janë në krye të institucioneve.
• Integrimi në rajone, si për shembull: Europa, ASEAN ose MERCOSUR. Sot është e e qartë se çfarë do të thotë “demokraci” brenda një shteti, por nuk është ende e qartë se çfarë do të thotë “demokraci” nën një agregim shtetesh.
• Sondazhet. Përdorimi me tepri i sondazheve mbi popullsinë për pëlqimin ndaj qeverisë shfaq dy probleme. Së pari, legjitimiteti i qeverive para njëqind vjetësh varej nga zgjedhjet, sot varet nga sondazhet e fundit. Perceptimi i legjitimitetit të një qeverie hipën e zbret si aksionet në bursë. Kjo ndikon në kontroll-balancën ndërmjet pushteteve, sepse kur një qeveri vepron në kufijtë e ligjit, pushtet e tjera sillen ndryshe me të kur ajo është e pëlqyer nga 70% e popullsinë dhe ndryshe kur është në nivelin e 38%. Pra sondazhet alternojnë ekuilibrin ndërmjet pushteteve. Së dyti, si pasojë e këtij mekanizmi të ri legjitimiteti, qeveria nuk shqetësohet më për problemet e së ardhmes por për sondazhin e radhës dhe kjo ndikon në cilësinë e demokracisë.
• Populizmi. Populli është element i pamohueshëm i çdo demokracie dhe populizmi si ide e koncepton popullin si elektorat dhe elektoratin si komb, duke i dhënë të drejta për ndryshimin e kushtetutës të zgjedhurve vetëm nga një fraksion i popullit. Ky kusht i ri i pafavorshëm i demokracive moderne, sjell implikime të vështira për gjithë sistemin sepse kushtetuta është domen i popullit si i tillë dhe jo i qeverisë së radhës.

Thellim në tri kushte të reja të pafavorshme

Në mesin e kushteve të reja të pafavorshme, të cilat favorizojnë zhdemokratizimin e shoqërive demokratike, me siguri mund të përfshijmë: prevalencën e ekonomisë financiare brenda ekonomisë kapitaliste (një faktor që rrit më tej vështirësinë nga ana e qeverisë për të drejtuar ciklin ekonomik). Demokracia gjithnjë ka pasur një lidhje ambivalente me ekonominë kapitaliste, por është fakt i pamohueshëm se demokracia moderne përfaqësuese mund të stabilizohet dhe të lulëzojë vetëm në kombinim me një ekonomi kapitaliste. Gjatë tri dekadave të fundit, kapitalizmi ka pësuar një transformim të rëndësishëm që ka ringjallur tiparet e brutalitetit, tipik për fazat e para të kapitalizmit në fillimin e Revolucionit Industrial. Që nga vitet 1980, ekonomia financiare duket se është më e aftë të gjenerojë pasuri, sesa prodhim dhe në përgjithësi mjetet e saj prodhuese po bëhen gjithnjë e më “virtuale”, të ndara nga çdo parametër i matshëm dhe material në botën reale.

Një shembull për këtë fenomen është qyteti i Detroit-it, qyteti më i madh dhe më i populluar në SHBA, i quajtur ndryshe Qyteti i Motorëve ose Kryeqyteti Automobilistik i Botës, i cili, në vitin 2013 paraqiti falimentin. Detroiti u sulmua më së shumti nga Wall Street-i dhe jo nga sindikatat. Në përgjithësi, mbizotërimi i kapitalit financiar në ekonomi kalon në favor të kapitalit dhe qirasë dhe në mënyrë të pakujdesshme ul të ardhurat, pasurinë relative, fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht edhe ndikimin politik të klasës së mesme të punësuar. Pra, ekonomia e teknologjizuar financiare përkthehet në një pushtet absolut global prej fuqisë së kapitalit që zotëron, e cila është ekstraterritoriale dhe e largët nga realiteti. Pushteti i saj absolut qëndron në faktin se sistemi financiar i përcakton ligjet shtetit dhe si absolut, ai është kapriçoz. Ideja se tregjet do të kuptojnë është e vështirë të realizohet për aq kohë sa nuk mund të bësh një marrëveshje/negociatë me tregjet financiare. Që një qeveri të fitojë zgjedhjet, duhet të mbijetojë, por ajo nuk e ka pushtetin që të ndikojë tregjet financiare nëpërmjet një procedure “më jep-të jap”. P.sh. të jap një politikë në favor dhe më rrit PPB-në, kjo është e pazbatueshme. Ose politikat shtetërore u shkojnë për shtat tregjeve financiare, ose nuk u shkojnë; dhe ndodh si në 2008-ën që kjo mosmarrëveshje gati rrënoi shtete demokratike. Ky kusht nuk ekzistonte përpara pesëdhjetë vjetësh dhe demokracitë e kohëve të sotshme duhet të përballen.

Përshpejtimi i përgjithshëm i kohës së shoqërisë, në të gjitha sferat e jetës, gjithnjë ka më pak kohë për diskutim, kolegjialitet, konsultim. Një parti politike, një firmë globale, një OJQ e suksesshme e cila dëshiron të ketë emër në sferën publike, redaksia e një gazete që nuk dëshiron të mbetet prapa konkurrencës – të gjithë duhet të mbajnë një qëndrim, të bëjnë një deklaratë, të shesin dhe të investojnë. Të shfrytëzojnë maksimalisht çdo mundësi për shikueshmëri, të publikojnë lajme përpara konkurrencës në një botë në të cilën koha është “koha reale” koha e internetit. Ky proces i kushton rëndësi më të madhe njohurive, lirisë, pushtetit të udhëheqësit politik, drejtorit ekzekutiv, koordinatorit, kryeredaktorit e kështu me radhë. Përtej fuqisë së demokracisë që të ngadalësojë ritmin e jetës shoqërore në epokën e internetit dhe lidhjen globale në kohë reale, por demokracia do të duhet të ballafaqohet me sfidën e implikimeve përshpejtuese të një vertikalizimi neutralizues të pushtetit, ndoshta dhe autoritar.

Transformimi i sferës publike të shkaktuar nga vështirësitë ekonomike të mediave tradicionale
Përdorimi masiv i sondazheve mbi opinionin publik dhe ndikimi i tyre në legjitimitetin e perceptuar të veprimit të ekzekutivit. Pse ky trend duhet të përfaqësojë një ndryshim të mundshëm të rendit demokratik? Përfytyroni perceptimin e legjitimitetit të një kreu të qeverisë – qoftë një president apo një kryeministër – para dhe pas shpikjes së sondazheve dhe përdorimit të tyre masiv. Më parë, legjitimiteti “i perceptuar” ishte i lidhur kryesisht me rezultatet e fundit elektorale. Ndryshimet e legjitimitetit mes dy fushatave elektorale ishin objekt thjesht i supozimeve dhe polemikave mes kampeve kundërshtare. Në ditët e sotme, në vend të kësaj, në sajë të përdorimit të vazhdueshëm dhe masiv të sondazheve, legjitimiteti i perceptuar i një lideri merr modelin e luhatshëm të bursës. Këto lëkundje legjitimiteti, të perceptuara në kohë reale, japin shkallë të ndryshme të forcës dhe kredibilitetit ndaj veprimeve të ekzekutivit dhe mbi të gjitha nxisin degët e tjera të pushtetit të reagojnë ndryshe – dhe kështu në thelb ndryshon kontroll-balanca e vendosur prej kushtetutës për iniciativat e ekzekutivit, të cilat shpesh veprojnë në kufijtë e ligjshmërisë dhe të juridiksionit që ka ekzekutivi. Për pasojë, qeveritë tentojnë të angazhohen vetëm në politikat që mund të gjenerojnë rezultate të mira në sondazhet dhe jo tek ato politika që rezultati i tyre është i paparashikuar dhe që mund t’ua zbehë imazhin.

Fenomene të tilla përbëjnë kushtet e terrenit mbi të cilin vepron regjimi politik i demokracisë në kohët moderne. Këto kushte të reja, të cilat nuk ekzistonin më parë, po veprojnë në mënyrë të heshtur në procesin e zhdemokratizimit të shoqërive demokratike dhe vëmendja jonë duhet të drejtohet më shumë mbi zgjidhjen e këtyre fenomene sesa mbi problemet gjenetike të lules demokraci.

Si përfundim, leximi klasik i demokracisë, i cili përgjithësisht i përshtatet modelit minimalist formal të Schumpeterit, si ‘garë e elitave për udhëheqje politike’, ka shfaqur probleme me funksionalitetin e plotë të demokracisë më tepër në kohën tonë, sesa në ndonjë periudhë tjetër. Koncepti i një shoqërie demokratike është konsideruar më shumë sesa thjesht një ideologji në historinë njerëzore. Bota perëndimore e ka përqafuar demokracinë si një sistem politik, si një proces apo si mënyrë jetese, duke përfshirë lirinë si të mirën e saj të brendshme. Për më tepër, demokracia konsiderohet si një sistem i vlerave që përpiqet për të përmirësuar jetën e personave dhe për të rritur aspiratat brenda shoqërive. Prandaj, kur politikanët apo media e përdorin termin demokraci, ata i përcjellin shoqërisë një ideologji politike që ka si qëllim respektimin të drejtave, barazinë, lirinë e fjalës dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje. Në kohët e sotme, bota perëndimore deklaron me forcë se popujt e saj janë demokratikë, megjithatë një besnikëri e vetëdeklaruar ndaj demokracisë nuk do të thotë domosdoshmërish që një shoqëri është demokratike në praktikat e saj. Demokracia duhet të shihet në raport me kontradiktat historike si dhe etosit demokratik. Me fjale te tjera, demokracia duhet të ketë rrënjë kulturore të ndërlidhura me parimet liberale në mënyrë që të jetë funksionale.

Në këtë aspekt, prania e një sistemi zgjedhor apo e parametrave të tjerë, nuk përbëjnë aspak tregues të mënyrës demokratike të të jetuarit, sepse siç argumenton Ferrara, ‘kriteret procedurale janë gjithnjë të ndjeshme ndaj rrezikut të një imitimi banal: asnjë parametër nuk është imun ndaj plotësimit formal, por substancialisht i zbrazur nga të gjitha kuptimet’. Prandaj demokracia kërkon praninë e forumeve ku zërat e të gjithë personave të dëgjohen dhe, përfundimisht, qytetarët ‘qeverisin’ realitetin e tyre. Ky detyrim shtrihet në të gjitha llojet e institucioneve brenda një shoqërie. Demokracia varet nga ideja e një etosi demokratik, ku personat janë autorë të ligjeve që duhet t’u binden. Prandaj, demokracia, in primis është një etos në bazë të së cilës janë miratuar dhe ndjekur procedura të caktuara, jo thjesht forma e këtyre procedurave. Gjegjësisht, demokracia është vështirë të riprodhohet sipas dëshirës dhe të ‘imitohet në mënyrë banale’ dhe që të prosperojë dhe të ofrojë stabilitet duhet të kërkojë vetëreformim për t’iu përshtatur sa më mirë këtyre fenomeneve të reja. Thënë me fjalët e Ferrarës: e natyrshme në demokraci është prirja për risi (inovacion), jo për të ruajtur traditën: këtu qëndron afërsia e demokracisë me konceptin e hapjes (openness). Vetëkuptohet se demokracia ka edhe një traditë të sajën – një standard, një plejadë formash, ritualesh – dhe një etos të veçantë. Megjithatë, karakteristika e saj dalluese, është aftësia për t’iu nënshtruar transformimit, për t’u hapur ndaj të resë, duke mos fiksuar ose kristalizuar forma ndaj ndryshimit.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit