Demokracia përballë kujdestarëve të “burgut enverist”
Kim Mehmeti
Sa herë që në Shqipëri nis debati për hapjen e dosjeve, çdo herë ky debat përfundon në baltën e heshtjes së atyre që kanë ç’të tregojnë, por që i lë të pagojë hija e tyre e mëkatarit. Heshtja e tyre ka të bëjë edhe me turpin pse nuk e lejuan Shqipërinë të rrëfente të shkuarën e vet, ashtu siç bënë thuajse gjithë vendet tjera passocialiste. Nuk duhej pritur tri dekada – kur kush e di për të satën herë u ringjall debati për lustracionin – por menjëherë duhej folur për tmerrin që solli me vete diktatura e Enver Hoxhës.
Nuk u pohua qartësisht nga askush se Enveri nuk i erdhi shqiptarisë si diktator, por u bë i tillë nga shqiptarët, të cilët kanë mitizuar e himnizuar jo vetëm atë, por edhe shumë të tjerë, të cilëve më vonë u kanë rrënuar jo vetëm përmendoret, por edhe varret.
Enveri burgosi popullin e vet, për burgun e të cilit u kujdesën gardianët e shumtë të tij. Kjo do të thotë se të burgosurit nuk i zgjodhi të gjithë Enveri dhe rojtarët e burgut nuk e kryenin atë punë në mënyrë krejt të pavullnetshme. Që shpjegon se Shqipëria e sotme e injoron të shkuarën e saj komuniste sepse shumë nga ndërtuesit e saj të sotëm kanë qenë mirëmbajtës të ‘burgut’ enverist. Si të tillë ata nuk mund të jenë muratorë të mirëqenies së popullit dhe vendit të vet, por rojtarë të gënjeshtrave për të shkuarën e vet komuniste, për çka edhe Shqipëria shpeshherë të duket si ‘parajsë’ të cilën e ndërtojnë muratorët e ferrit.
Duke qenë ‘parajsë’ demokratike e ndërtuar nga muratorët e ferrit enverist, Shqipëria nuk mund ta shmangte dukurinë që ata të cilët deri dje e ‘vrisnin’ Zotin në emër të ideologjisë, pas rënies së sistemit socialist, duke u bërë ‘hajdutokratë’, njohën për Zot vetëm lekun dhe në emër të tij të vrisnin çdo gjë njerëzore në vetvete dhe te të tjerët. Një Shqipëri ku dje edhe sot çdo gjë e përcakton partia në pushtet, elitave shqiptare nuk u shkonte për shtat të zbërthehej diktatura e deridjeshme enveriane. Sepse me zbërthimin e së kaluarës jo vetëm që do të shpalosej roli i tyre në ndërtimin e diktaturës enveriste, por edhe ai në ndërtimin e diktaturës ‘demokratike’. Pra ata nuk donin të shpërfaqej e vërteta se Shqipëria e paskomunizmit ishte thuajse po aq partiake sa edhe ajo e deridjeshmja, se kishin marrë pjesë në ndërtimin e një shteti ku nuk ishe fatkeq kur s’ke mend, por kur nuk ke para, shtet ku ende nuk ishte arritur pjekuria politike që të jepet shpjegim pse shqiptaria e djeshme e mbronte Stalinin nga rusët, ndërsa kjo e sotmja e mbronte demokracinë amerikane nga amerikanët.
Nëse hedh një vështrim mbi mbarë shqiptarinë, do të vërehet se ashtu si gjatë regjimit komunist, edhe gjatë fillimshekullit XXI, shqiptaria ecën drejt së ardhmes e copëzuar dhe pa ndonjë koncept mbarëshqiptar. Kështu që shqiptarët mbetën të vëllazëruar me të tjerët, por jo me vetveten, mbetën popull me të kaluar të ndryshme nga njëri-tjetri, varësisht në cilin shtet jetonin, duke mos bërë asgjë që ta barazonin sadopak mbarëkombëtarisht të sotmen dhe rrugëtimin drejt së ardhmes. Gjë që do të vononte edhe rishikimin e së shkuarës. Ky rishikim që do të tregonte se në shërbim të diktaturës së Enverit nuk ishin vetëm drejtuesit e shërbimeve sekrete, drejtuesit e kooperativave bujqësore apo planifikuesit e pesëvjeçarëve të industrializimit të Shqipërisë, por edhe artistët dhe muratorët e kalasë kulturore shqiptare. Pa mbështetjen e artit dhe të kulturës, Enveri nuk do t’ia dilte kurrë të bëhej ai që ishte – njeriu të cilit i përuleshin dhe e admironin të gjithë. Sikur Enveri ta kishte ndjerë se njerëzit e artit dhe të kulturës nuk e donin, ai do të tregohej më i kujdesshëm edhe ndaj popullit. Pastaj sikur të mos e kishte mbështetjen e artistëve, ai kurrë nuk mund ta bënte Shqipërinë burg për një popull të tërë.
Që Enveri të bëhej ‘Perëndi’ e shqiptarisë, ndihmesë dhanë edhe artistët që jetonin jashtë kufijve të Shqipërisë. Posaçërisht ata njerëz të artit e të kulturës që asokohe vizitonin Tiranën e ktheheshin në Prishtinë apo në Shkup, ku jo vetëm që nuk tregonin gjë për mjerimin që kishin parë atje, por na e forconin edhe më shumë mashtrimin se Shqipëria ishte parajsa e kësaj bote e Enveri ‘babai’ që kujdesej për të gjithë ne.
Ndaj duhet nënvizuar: duke qenë të gjithë nga pak fajtorë për tërë atë që simbolizon diktatura e Enverit, edhe sot e kësaj dite është më i madh numri i atyre që nuk duan të lexohet libri i së shkuarës, sesa i atyre që duan që ai libër të ‘botohet’. Mes atyre që penguan shpalosjen e së vërtetës për epokën enveriste, bëjnë pjesë edhe shumë akademikë e shkrimtarë nga kjo anë dhe nga ajo anë e kufirit, të cilët, sa ishte gjallë Enveri, jo vetëm që nuk thanë një fjalë kundër fatkeqësive që iu bënë popullit, por me heshtjen e tyre e ndihmuan diktatorin që të bënte ç’të donte me popullin dhe vendin.
Nga ana tjetër duhet thënë hapur: vetë fakti që shqiptaria nuk pati asnjë disident të vetëm, shpjegon shumëçka apo e shpalos fytyrën mëkatare të artistëve të kudondodhur shqiptarë. Të artistëve të skajshmërive, të cilët gjatë periudhës së socializmit ishin më të besuarit e Stalinit e në demokraci të gjithë u bënë ‘instruktorë’ të shumëpartizmit dhe lirive individuale. Në këtë kuptim, ndodh që pas asaj diktature mizore, të gjithë të jemi po aq të pafajshëm e fajtorë dhe të mos ketë asnjë përgjegjës për tragjedinë që përjetoi populli gjatë diktaturës enveriane.
Ndoshta e gjitha duhet parë nga këndvështrimi se dhe kultura e arti shqiptar, ashtu si edhe populli të cilit i takonin, e jetonte vetminë e vet duke u shndërruar në një ‘ishull’ që nuk komunikonte me askënd, të cilin nuk e shpërlanin madje as valët e rrjedhave që ndodhnin te popujt rreth tij. Kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse shqiptaria nuk pati disidencë dhe pse as njerëzit tanë të artit e të kulturës nuk ikën përtej përfitimit vetjak dhe shpëtimit të vetvetes.
Kuptohet ka edhe shumë arsye tjera pse artistët dhe njerëzit e kulturës shqiptare u treguan të paaftë për të mirëmbajtur mendimin ndryshe dhe disidencën, por një nga arsyet duhet kërkuar edhe te frika e tyre të mos e rrezikonin ‘të vetmuarin’ e Ballkanit – popullin e vet, frikë të cilën Enveri e ngriti në shtyllë bartëse të diktaturës së tij.
Por artistët ishin para së gjithash njerëz. Njeriu e bën artin e jo arti njeriun. Nuk mund të përjashtohet vlera ‘njerëzore’ kur peshohen si sjelljet e tij në rrethana të caktuara, po ashtu edhe vlera artistike që ka lënë ai pas vetes. Ajo që njeriu jeton dhe përjeton në vetvete, mund të mos ketë lidhje me veprën e tij, por është diçka që nuk mund ta ndajë, për shembull, shkrimtarin nga vepra e tij letrare.
Dhe është diçka që nuk na lejon ta matim ndryshe mëkatin e artistit nga mëkati i qytetarit të rëndomtë, që në emër të veprave që ka lënë pas të jemi më të mëshirshëm ndaj mëkateve që ka bërë. Edhe një vrasës mund të lërë pas vetes vepra të vlefshme artistike, por kjo nuk do të thotë se atij i duhet falur krimi. Prandaj i duhet dhënë çdokujt ajo që meriton: lëvdata e shpërblime për veprat artistike, por edhe ‘dënime’ të merituara për paturpësinë që kanë bërë duke ndihmuar diktatorin në ndëshkimin e kolegëve e tij. Përndryshe, do të ndodhë ajo që është duke ndodhur: të dihet e keqja, por të mos dihen keqbërësit. Apo të vijë deri te barazimi i të gjithëve me të gjithë dhe pa pasur mëkatarë me emër të përveçëm për mëkatet dhe krimet e bëra mbi njerëzit me emër të përveçëm.
Nga ana tjetër duhet thënë edhe një të vërtetë: shumë nga viktimat e diktaturës enveriane, përpara se të ndëshkohen nga dora e hekurt e diktatorit, kanë qenë të përkëdhelur nga e njëjta dorë, ajo e prijësit. Duke qenë viktima të cilat i rëndon mëkati i paraviktimizimit, atyre më shumë u përshtatet heshtja, sesa shpalosja e gjithë së vërtetës. Ndërkohë komunizmi duhet lexuar ashtu siç lexohet çdo e shkuar: duke e vendosur në kontekstin hapësinor e kohor kur ka ndodhur, duke i krahasuar gënjeshtrat dhe të vërtetat që thuhen me ‘fotografitë’ nëpër albumet individuale, të cilat nuk gënjejnë. Pra, ngjarjet e njerëzit duhet matur me peshoret e kohës dhe të hapësirës kur ato kanë ndodhur e kur ata kanë jetuar. Në fund, e shkuara nuk ‘ndërtohet’, por vetëm përshkruhet e rrëfehet. Atë më së miri mund ta përshkruajnë e ta shpjegojnë ata që e kanë jetuar.
Rrëfimi për të shkuarën shpreh mjeshtërinë e shkruesit dhe aftësinë e lexuesit, por jo të vërtetën pse janë përdor fjalët: për të shpalosur apo për të mbuluar. Kështu që duhet të bëjmë çmos që të jemi lexues që lexojmë drejt shenjat e një kohe, si dhe tërë asaj që ka ndodhur në atë të shkuar. Posaçërisht kur dihet se paskomunizmi, si çdo kohë pasrendëse, nuk është çdo herë pasqyrë e mirëfilltë ku shihet e shkuara. Kur dihet se çdo e shkuar ka qenë jetë dhe besim i atyre që e kanë jetuar atë. Andaj ajo që për ne sot është ‘rilindje’, e madje edhe ‘revolucion kokash e zemrash’, nesër mund të lexohet si gabim i radhës i gjinisë njerëzore.
Në fund të fundit, nuk mund të gjesh asnjë rend shoqëror nga i cili të mbeten të kënaqur ata që e kanë jetuar. Nëse është kështu, atëherë pse duhet të besojmë se jemi ‘revolucionarët’ dhe ‘rilindësit’ që kemi sjellë më të mirën, pse duhet të harrojmë se jemi vetëm një unazë e zinxhirit të pafundmë që mbase synon të arrijë të pamundurën: rendin ideal shoqëror? Edhe atë duke e madhëruar demokracinë. E ç’është demokracia? Ajo që na varfëroi materialisht e shpirtërisht.
Unë nuk i besoj as revolucionit të zemrave e kokave, as rilindjes, por rrugëtimit drejt cakut. Madje unë besoj se nuk është gjithaq tërheqës caku, sa është i bukur udhëtimi drejt tij. Ne duhet ta synojmë idealen si parakusht për ta arritur të mundshmen dhe duhet të bëjmë pjesën tonë të rrugës së zhvillimit njerëzor, të vetëdijshëm se për të nesërmit – njësoj si komunistët e djeshëm për ne demokratët e sotëm – do të jemi të dështuarit e radhës. Pra, edhe pse idealja nuk arrihet, madje ajo as ekziston, ne duhet të udhëtojmë drejt saj të vetëdijshëm se vetëm ashtu mund ta arrijmë të mundshmen. Të vetëdijshëm pra se çdoherë dhe në çdo kohë do të flitet për sundues e të sunduar. Të sotmëve u takon veçse të zgjedhin sunduesin e vet, që nesër të kenë kë të fajësojnë për dështimet e tyre kolektive. Pa harruar ndërkohë se shumë nga sunduesit e sotëm vijnë nga e djeshmja dhe si të tillë, ata sot bëjnë atë që e ua ka mësuar e djeshmja, vetëm pak më ndryshe dhe të veshur me petkun e ‘kohës së re’.
Ne sot flasim për konceptin e shumëpartizmit në një shoqëri ku mbizotëron mendësia se partia dhe drejtuesit e saj janë e mira e vetme e popullit dhe e shtetit. Ajo që e dallon shumëpartizmin e sotëm nga njëpartizmi i djeshëm, nuk është mënyra e të sunduarit, por mundësia të zgjedhësh sunduesin. Kështu që ne jemi të lumtur pse në tregun politik kemi më shumë oferta sunduesish, jo pse jemi më pak të sunduar. Pra edhe sot, njësoj si edhe dje, të privilegjuarit janë të pëlqyerit e partisë në pushtet e të ‘ndëshkuar’ ata që nuk i do partia. Edhe sot pra, njësoj si edhe deri dje, është qëndrimi ynë ndaj partisë ai që përcakton kujdesin dhe qëndrimin e shtetit ndaj nesh. Gjë që tregon se ne nuk e kuptuam që shtet i të barabartëve nuk është ai ku janë partitë e barabarta mes veti, po ku individi është ‘partia’ më e çmuar e më e vlefshme që ndërton shtet. Dhe ku liria e barazia mes individëve e grupeve janë të shenjta. Por ku megjithatë, i pasuri e jo i varfëri, ai që paguan taksa më të larta, jo ai që merr ndihmë sociale, është vendimtar në përcaktimin e standardeve të një shoqërie.
Megjithatë, si gjithmonë, shtetet dhe tempujt i kanë ndërtuar të fortët e të pasurit që në to të jetojnë e të falen të varfrit. Andaj edhe nuk duhet gënjyer populli se, në shumicë i varfër siç është dhe pa mundur të vendosë lirisht për vetveten, mund ta shijojë demokracinë e vërtetë si ajo e shteteve perëndimore. Por jo, demokracinë shqiptare e shijojnë vetëm elitat politike që u pasuruan duke plaçkitur popullin e vet dhe që jetojnë nëpër ‘Shqipëritë’ që nuk kanë asgjë të përbashkët me ato ku jeton populli i varfër e i pashpresë. Atëherë, nëse është kështu, shtrohet pyetja se cila pjesë e imja njerëzore do të pajtohej me realitetin në të cilin jeton dhe do të bëhej i verbër dhe i shurdhët ndaj asaj që sheh e dëgjon?
Ajo që shihet është e dhimbshme: gjatë tri dekadave poskomuniste, shoqëria shqiptare u bënë pronë e partive në pushtet. Ndërkohë, partitë u bënë ‘kompani’ private të drejtuesve të tyre dhe strehimore për të paaftët dhe të pavlerët. Kështu që votuesit, apo populli, u shndërrua në argat partiak, të cilët edhe nuk votojnë për të vendosur fatin e vet, por për t’i zgjedhur tij plaçkitësit e radhës të.
***
Njeriu nuk duhet të jetojë me iluzionin se do ta ndryshojë botën, apo se ai do të jetë shpirtbardhi me të cilin të gjithë do të mburren, por të paktën njeriu duhet të orvatet të lërë pas vetes gjurmë nga të cilat nuk do të turpërohet. Pastaj duhet të jetojë me vetëdijen se jeta është e shkurtër, kështu që ia vlen që gjatë kësaj pak kohë që na takon, të shmangim më të turpshmen që mund ta bëjë njeriu: që mirëqenien e vet ta ndërtojë mbi themelet e fatkeqësisë së të tjerëve. Dhe të vuajë nga pasioni për t’i sunduar të tjerët.
Sado e pabesueshme të duket, mua më është dukur më i pushtetshëm ai që e sundon vetveten sesa ata që e sundojnë vendin dhe popullin e vet. Dhe kam bërë çmos të mos e humbas pushtetin mbi vetveten, duke e ditur se mund t’i kem të gjitha vetëm nëse nuk kam bërë asgjë të turpshme. Sepse e dija se jetoja në shoqëri ku sa më të ulët të ishe morali, aq më lart mund të ngjitesh në piramidën shtetërore.
Në fund të fundit, edhe kur mendoja për rrjedhat dhe proceset politike, pronar i imagjinatës sime mbetej shkrimtari, i cili nuk lejonte që të mbillej në mua fara e bimës politike. Të gjitha veprat e mia fillimisht i kam ‘shkruar’ në imagjinatë, proces që ka zgjatur shumë, madje edhe me vite, e që pastaj, për pak kohë t’i hedh në letër, apo më saktë në kompjuter. Pra, pasi e përpunoja deri në imtësinë e fundit, ulesha dhe e shkruaja. Gjatë shkrimit më ndodh të shkoj përtej variantit të parë që kam në kokë, por jo në ato përmasa sa ta ndryshoj tërësisht atë që kam përpunuar në imagjinatë me muaj e madje edhe me vite. Unë jam kënaqur përsa kohë e kam ‘shkruar’ dhe ndërtuar veprën në kokë. Pjesa e shkrimit më është nga pak e lodhshme dhe e mundimshme, kështu që më duhej kohë dhe ta marr me të mirë vetveten që ta bind të ulet ta shkruajë atë që qëndronte e gatshme në sirtarët e imagjinatës.
Burimi: Medius Communication Institute