0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kriza identitare shqiptare – Justinian

Më të lexuarat

Duke parë se çfarë ndodh sot në Kosovë, në Himarë, në jug të Shqipërisë, por edhe në përgjithësi mes bashkëkombësve tanë, nuk mundet të mos reflektosh dhe përsiatësh mbi rrënjët e krizës së identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Në procesin e formimit të kombësive dhe shteteve kombëtare, etnitë fqinje të shqiptarëve, siç janë grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe bullgarët, përdorën fenë si tharmin kryesor ngjizës së nacionalizmit të tyre, fakt ky historik tashmë i mirënjohur. Për pasojë identiteti fetar tek ata prodhoi jo vetëm shtete kombëtare, por edhe një ndjenjë të lartë nacionaliste dhe uniteti të fortë brenda radhëve, duke unifikuar kështu aspiratat dhe vizionet e tyre kombëtare. Dhe kjo për shkak se feja dhe kombi për ta nuk ishte vetëm identitet etnik e material i kësaj bote, por edhe ai shpirtëror i përtejmë, ishte kauza e tyre hyjnore dhe misioni që ata paramenduan se Zoti u kishte caktuar në histori.

Edhe pse sot feja ndoshta nuk ka më atë ndikim dhe hapësirë si dikur, ajo vazhdon të ruajë forcën e tharmit të dikurshëm të këtyre kombeve dhe njëshmërinë e aspiratave të tyre kombëtare, të ngritur pse jo edhe mbi legjenda apo trille historike.

Ndërkohë elitat shqiptare, siç na rrëfejnë historianët, vepruan krejt ndryshe, duke vendosur si tharmë të nacionalizmit të tyre vetëm gjuhën dhe etninë, e duke u mjaftuar kështu jo vetëm me më pak elemente identitare sesa popujt e tjerë, por duke e varfëruar atë nga elementi shpirtëror dhe hyjnor, të cilin kombet e tjera fqinje e kishin me bollëk.
Arsyet dhe shkaqet, siç na rrëfehen, ishin pragmatiste politike, sepse shqiptarët nuk ishin të gjithë të një feje dhe se feja e shumicës së shqiptarëve ishte e njëjtë me atë të dovletit osman, nga i cili ata donin të shkëputeshim për të formuar shtetin dhe kombin shqiptar.

Ndërkohë e vërteta është se shqiptarët nuk ishin të vetmit që kishin më shumë se një fe në radhët e tyre, të njëjtën situatë kishin edhe bullgarët, grekët, serbët, malazezët etj. Po kështu shqiptarët nuk ishin të vetmit që ishin me shumicë në fenë e osmanëve, të tillë ishin edhe boshnjakët, kështu që teza e thatë e pragmatizmit politik kombëtar, e mospërdorimit të fesë si tharmë ngjizës së kombit dhe shtetit shqiptar është e mangët.

Ndërkohë një lexim dhe perceptim më i thellë i historisë, shpesh duke lexuar edhe mes rreshtave, por edhe ato që për arsye përsëri politike, ideologjike dhe fetare nuk thuhen ose lihen mënjanë, na nxjerr në pah një të vërtetë paksa më të ndryshme, që thotë se themeluesit e nacionalizmit shqiptar ishin të përçarë mes tyre, dhe nuk kishin një vizion unik kombëtar, por edhe fitimtarët mes tyre, fenë e shumicës së shqiptarëve, Islamin, nuk donin kurrsesi ta vendosnin në themel të kombit dhe shtetit shqiptar. Dhe kjo nuk buronte vetëm nga arsyeja e thatë politike e shmangies së përçarjes mes shqiptarëve muslimanë dhe atyre të krishterë, siç shpesh thuhet, por edhe nga mungesa e dëshirës apo antipatia për të pasur Islamin si identitetit fetar të shqiptarëve.

Përnjëmend shumë prej etërve të kombit shqiptar, ata me origjinë myslimane, nuk ishin ateistë dhe as anti-fetarë, por është më se e vërtetë që ata nuk e kishin fenë islame në qendër të identitetit të tyre personal, dhe kjo për shkak se nacionalizmi i tyre u ndikua jo pak nga influenca e nacionalizmit grek ortodoks, e në ndonjë rast edhe ai katolik, çka minimalisht bëri që tek ata identiteti islam të ishte gjë e dorës së dytë apo të tretë, për të mos folur pastaj për disa të cilët ndonjëherë edhe haptazi apo tërthorazi janë shprehur se shqiptarët muslimanë duhet të konvertohen në fenë e të parëve.

Sigurisht që nuk përjashtohen në këtë rast edhe idetë iluministe evropiane afetare, por gjithsesi ato përçoheshin pikërisht përmes ideve të cilat përjashtonin Islamin si pjesë të identitetit fetar, ndërkohë që Krishterimi ishte pjesë e pandarë e tyre. Mjafton këtu të japim si shembull ilustrues gjimnazin grek ortodoks Zosimea të Janinës, në të cilin studiuan, u edukuan dhe u formuan me dhjetëra shqiptarë, mes tyre edhe myslimanë, e që më pas një pjesë e mirë e tyre do të ishin krerët e nacionalizmit shqiptar, e që do të merrnin pjesë në formimin e kulturës dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, të tillë si vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi e Samiu, Ismail Qemali, Hodo Sokoli, Elmaz Boçe, Sali Nivica, Sulejman Delvina, Qazim Mulleti, Mustafa Kruja, Myfit Libohova, Eqerem Libohova, Turhan Përmeti, Ali Asllani, Zihni Sako etj.
Një rol, edhe pse më të kufizuar, ka luajtur edhe kolegji Saverian katolik i Shkodrës, në të cilin kanë mësuar Faik Konica, Tahir Dizdari, Arshi Pipa etj.

Nëse do të bëhej një pasqyrim më i detajuar në këtë drejtim, do të dilnin në pah fakte të shumta, të cilat do të hedhin dritë dhe bëjnë të qartë se mos vendosja e Islamit si pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve ka qenë e qëllimshme dhe nuk ka buruar vetëm nga pragmatizmi politik për të mos krijuar përçarje mes shqiptarëve apo për t’u shkëputur më lehtë nga osmanët, siç thotë gjerësisht historiografia jonë shtetërore dhe kombëtare, por edhe për arsye të thella fetare.

Antipatia ndaj Islamit duket shumë më qartë tek brezi pasardhës i kësaj elite kombëtare, mes tyre edhe komunistët, të cilët me projektin e tyre anti-fetar, dëmtuan mbi të gjitha dhe më së shumti vetëdijen historike dhe identitare islame të shqiptarëve. Ndaj dhe sot kemi një elitë dhe një pjesë të madhe të popullsisë me origjinë muslimane, e cila nuk e honeps dot identitetin islam të shqiptarëve dhe bën çmos ta fsheh, dobësojë, injorojë dhe anatemojë atë, duke e sulmuar atë drejtpërdrejt ose tërthorazi përmes sulmit agresiv dhe nihilist ndaj periudhës osmane islame.

Çuditërisht osmanët dhe turqit, vazhdojnë të ngelen për këta njerëz si mynxyra, e liga dhe rreziku më i madh kombëtar i shqiptarëve, por ndërkohë arsyeja e vetme dhe burimi kryesor i kësaj urrejtje fetare e ka origjinën pikërisht nga ata që nuk janë muslimanë madje një pjesë as shqiptarë dhe që e hodhën këtë farë që në fillimet e vetëdijes nacionaliste mes shqiptarëve.

Dhe cila është pasoja që shqiptarët korrën?

Një shtet dhe komb gjysmak, me një identitet të brishtë kombëtar, që shpesh kërkon rrënjë dhe origjina qesharake, që i trembet Islamit si djalli temjanit dhe që i mungon një vizion i përbashkët dhe i qëndrueshëm kombëtar dhe që i lëpihet të huajve dhe pret pëlqimin e tyre edhe kur preken interesat më të mëdha të këtij kombi, siç është ai territorial.

Serbët dhe grekët edhe sot e kësaj dite e mbrojnë kombin dhe shtetin e tyre, duke i identifikuar ato me fenë, madje duke luftuar edhe sot kundra armikut imagjinar turk musliman e shqiptar musliman.
Por ndërkohë shqiptarët çfarë feje dhe kombi mbrojnë duke luftuar?
Shqiptarinë, fenë fantazmë të shqiptarëve, apo territoret mitike të pellazgëve?!
Jo, elitat shqiptare edhe sot luftojnë kundra turkut musliman dhe shqiptarit musliman! Pra kundra vetes!

Muslimanët shqiptarë janë ata që kanë paguar më shtrenjtë se të tjerët në dëm të identitetit të tyre fetar edhe pse janë shumicë dërrmuese, duke sjellë për pasojë edhe një dëm të madh ndaj vetë identitetit të tyre kombëtar dhe shtetëror.

Ndërkohë serbët dhe grekët janë patriotë dhe nacionalistë ashtu siç ua ka ënda dhe interesi i tyre, dhe nuk duan t’ia dinë për të tjerët, as në lindje dhe as në perëndim, ndaj dhe janë kaq të qëndrueshëm dhe të unifikuar në nacionalizmin dhe aspiratat e tyre kombëtare dhe shtetërore, ndërsa shqiptarët, përkundrazi, urrejnë vetveten duke urryer Islamin dhe duan vetëm t’iu pëlqejnë të tjerëve, me shpresën irracionale se ata që i ndanë dhe i copëtuan shqiptarët dikur ndoshta një ditë do të denjojnë të zhbëjnë mëkatin e tyre të djeshëm!

O shqiptarë!

Së pari, kombi dhe atdheu ynë është si gjithë të tjerët ndaj dhe ai nuk mund të ruhet dhe zhvillohet pa pasur një vetëdije të qartë kombëtare dhe fetare, dhe falë Zotit shumica jonë i përkasim Islamit, fesë përfundimtare të Zotit, ndaj nuk mund të shkelim mbi të, sepse përdhosim vetveten dhe të vërtetën e Zotit.

Së dyti, të jeni të bindur që jo vetëm fqinjët, por askush nga ata që ne presim shpëtim nuk na duan ne më shumë sesa ata duan fqinjët tanë. Jemi ne ata që duhet ta duam më shumë vetveten dhe identitetin dhe trashëgiminë tonë fetare islame dhe jo ta urrejmë apo ndjehemi në faj për të.

Së treti, me shqiptarët jomyslimanë ne na bashkon vëllazëria e gjakut, e kombit dhe e gjuhës, ndaj dhe ne nuk ua kemi mohuar kurrë ekzistencën dhe bashkëjetesën paqësore dhe as kemi për ta bërë këtë në të ardhmen, por pakicat nuk munden kurrsesi të diktojnë identitetin fetar, kulturor dhe kombëtar të shumicës të shqiptarëve, ashtu siç pakicat fetare nuk e kanë imponuar identitetin e tyre fetar në shtetet fqinje dhe kudo tjetër.

Nuk mund të jenë gjithmonë shqiptarët muslimanë ata që sakrifikojnë dhe shkelin në dëm të identitetit të tyre fetar, sepse kjo është vetëvrasje ndaj vetë kombit të shqiptarëve, i cili nuk do të krijohej dhe ekzistonte nëse shqiptarët nuk do të kishin qenë me shumicë myslimane. Sigurisht që e njëjta gjë vlen edhe për të ardhmen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit