Shteti i Iranit e ka nisur hakmarrjen ndaj SHBA-së, të martën pas mesnate.
Sipas raportimit të televizionit shtetëror, Teherani e ka sulmuar një bazë ajrore të ushtrisë amerikane në Irak.
Sipas CNN-it, 10 raketa e kanë goditur bazën al-Asad, në afërsi të Bagdadit, raporton KTV.
Ky sulm ka ardhur pasi ushtria amerikane e ka vrarë gjeneralin e njohur iranian.
Presidenti Donald Trump tha të martën se Kasem Soleimani ishte duke planifikuar një sulm të madh, por nuk dha hollësi.
“Ai po udhëtonte me kreun e Hezbollahut dhe vrasja e tij bëri që të shpëtoheshin një numër i madh jetësh njerëzore,” tha Presidenti në komentet për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e Kryeministrit të Greqisë Qiriakos Micotaqis.
Ai shtoi se SHBA po e ndiqnin Soleimanin prej një kohe të gjatë dhe se brenda Iranit shumë njerëz u gëzuan për vrasjen e tij pasi i trembeshin atij. Presidenti Trump e quajti Kasem Soleimanin “një monstër” që kishte vrarë shumë njerëz.
Nga ana e tij, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper pohoi të martën se është më se e drejtë të thuash se sulmi që Soleimani ishte duke planifikuar duhej të ekzekutohej brenda pak ditësh dhe jo javësh.