-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Krimi dhe mafia serbe, Musliu: Rusët po e shndërrojnë Serbinë në Kubë të Evropës

Më të lexuarat

Në fillim të muajit shkurt, në Serbi është arrestuar një grup i madh mafioz, në krye me Veljko Belivuk, i njohur si Velja Nevolja.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ky grup është arrestuar për shkak se mbi ta rëndonin vepra kriminale si vrasje, rrëmbime dhe tregti droge.

Siç raportojnë mediet serbe, në vendin e arrestimit u gjet një arsenal i rëndë armësh e deri te makina për bluarjen e mishit, gjë që nga dyshimet e para të organeve të drejtësisë, mund të ketë shërbyer për zhdukjen e trupave të viktimave.

Mirëpo, shumë analistë të sigurisë, arrestimin e grupit e kanë ndërlidhur edhe me motive të tjera.

Analisti i çështjeve të sigurisë Agim Musliu thotë se, Serbia po bëhet Kubë e Evropës nga rusët dhe se ky vend po gjendet në momente të vështira të sigurisë.

“Serbia po bëhet Kubë e Evropës kur bëhet fjalë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, në Serbi, por edhe në Republikën Serbe në Bosnje e Hercegovinë, gërshetohen shumë interesat ruse. Rusia në parim i përdor grupet kriminale kudo që ekzistojnë për t’i kërcënuar të gjithë ata që mund t’ia prishin qejfin asaj”, ka thënë Agim Musliu për Telegrafin.

Drejtori i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare, Darko Trifunoviq ka thënë për mediet serbe, se pavarësisht se grupi kriminal dikur mund të ishte i lidhur me pushtetin në Serbi, ai ka bindjen se ky grup ishte i pozicionuar kundër vet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Anëtarët e këtij grupi kriminal kanë qenë prezentë edhe në demonstratat e korrikut të vitit 2020 pranë Kuvendit të Serbisë. Askush nuk mund të thotë se, prania e tyre atje ka qenë për ta përkrahur Vuçiqin”, kishte thënë Trifunoviq.

Për Musliun, Belivuk është përdorur edhe nga pushteti në Serbi.

“Metodologjia e punës së shërbime ruse të inteligjencës, edhe sipas asaj që kemi parë në Mal të Zi, është se i shfrytëzojnë shumë grupet kriminale. Përmes tyre ata përpiqen që t’i eliminojnë nga skena politike njerëzit që nuk ia varin Rusisë. Veljko Belivuk është përdorur edhe nga pushteti në Serbi, mirëpo kjo nuk do të thotë se ata, posa t’i shohin një shumë të majme të parave, nuk do ta ndërrojnë bashkëpunëtorin”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, ende nuk është mirë e njohur, se nëse Vuçiqi ka filluar ndonjë mospajtim me Kremlinin.

“Dihet se Vuçiqi e ka partnerin kryesor Vladimir Putinin në raport me çështjen e Kosovës. Mirëpo, kjo nuk e bën Vuçiqin plotësisht të besueshëm për Putinin. Kremlini zyrtar nuk e do askënd për partner nëse ai ka ambicie të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky krimineli që e arrestuan në shkurt në Ritopek afër Beogradit, ka qenë udhëheqës i tifozëve të Partizanit. Në Serbi, sipas traditës, grupet e tifozëve janë udhëhequr nga kriminelët. Kujtojmë Arkanin që i ka udhëhequr tifozët e Zvezdës. Të gjithë këta kanë qenë të njohur edhe për parulla kundër Kosovës dhe NATO-s. Si kundër shpërblim, nga shërbimet sekrete serbe, ata janë lejuar që të merren me krime dhe kryesisht janë të njohur si dilerë droge”, ka shtuar ai.

Musliu shpjegon se ata persona që kryejnë këto shërbime punojnë për shuma të mëdha të parave.

“Ndoshta rusët, pavarësisht se nuk ka të holla shumë, kësaj radhe iu kanë ofruar më shumë sesa Vuçiqi?! Kjo është një çështje për të cilën duhet të presim edhe pak. Nuk jam i sigurt se edhe nëse gjenden lidhje të tilla pro-ruse me grupin kriminal, Serbia do t’i bëjë të njohura. Megjithatë, në Serbi, ka dorë të Rusisë në grupet kriminale”, ka përfunduar Musliu.

Veljko Belivuk, kishte mbështetje edhe nga organet e sigurisë në Serbi lidhur me aktivitetin kriminal. Ndërkohë janë arrestuar edhe pjesëtarë të organeve të rendit, të cilët dyshohet se i kanë ndihmuar atij në veprimtarinë kriminale.

Belivukut dhe 21 pjesëtarëve të tjerë, iu është vazhduar paraburgimi për tri dyshime për vrasje, tregti me drogë dhe zotërim të armatimit. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit