1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Krejt çfarë duhet të dini për rritjen e vlerave të manganit në liqenin e Badocit

Më të lexuarat

Niveli i manganit në liqenin e Badocit, pak kilometra larg Prishtinës, është rritur këtë tetor, njëjtë sikurse vitin e kaluar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandoi që uji i rrjedhshëm të mos përdoret për pije, e as për gatim.

Kjo vërejtje vlen për pjesën më të madhe të kryeqendrës së Kosovës dhe të fshatrave përreth saj.

Megjithatë, uji nga ky liqen mund të përdoret për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës, tha IKSHPK-ja.

Ekspertët sqaruan se rritja e niveleve të manganit ndodh zakonisht kur ndërrohen stinët.

Çfarë është mangani?

Mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.

Por, kur sasia teprohet, sikurse me gjithçka tjetër, e mira bëhet e dëmshme.

Nga rritja e vlerave të manganit rrezikohen më së shumti fëmijët nën 5 vjeç.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë në Minesota të Shteteve të Bashkuara, kur fëmijët dhe të rriturit pinë ujë me nivele të larta mangani për kohë të gjatë, ata mund të përballen me probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike.

“Foshnjat (nën një vjeç) mund të kenë probleme të të mësuarit dhe sjelljes nëse pinë ujë me shumë mangan në të”, vlerësoi ky institucion amerikan.

Si i ekspozohemi manganit?

Përveç përmes ujit, një njeri i ekspozohet manganit edhe nëpërmjet ajrit, si dhe duke ngrënë ushqime apo suplemente me mangan.

Ky mineral gjendet në drithëra, fasule, arra dhe çaj – gjithmonë në vlera të nevojshme për trupin e njeriut.

Por, duke pasur parasysh dëmet, këshillohet që suplementet të merren gjithmonë në konsultim me mjekun.

Pse përsëritet ky fenomen vetëm në liqenin e Badocit?

Uji i liqenit të Badocit, dhe ai i liqenit të Batllavës, përdoren për pije në rajonin e Prishtinës.

Eksperti për ujërat, Skendër Bublaku, i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se rritja e niveleve të manganit në liqenin e Badocit – i krijuar në vitet ’60 – është rezultat i faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.

“Fillimisht, ajo është një zonë relativisht e pasur me minerale. Liqeni e ka pasur një problem teknik prej fillimit, marrja e ujit bëhet relativisht ulët, afër fundit të liqenit. Dhe, kjo e bën gjithmonë problematike prezencën e metaleve në tokë, në krahasim me liqenet e tjera”.

A mund të zgjidhet ky problem?

Po. Sipas ekspertëve, Kosova duhet të investojë në mënyrë që uji prej liqenit të Badocit të merret nëpër nivele të ndryshme të tij.

Në të kaluarën, uji është bërë i pijshëm vetëm kur ai është pastruar nga vetë natyra.

Kjo nënkupton se mangani, që gjendet në pjesën fundore të liqenit, është stabilizuar vetvetiu.

Sa kushton uji?

Në tarifat e vendosura nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, për vitin 2024, një metër kub ujë në Prishtinë kushton 44 centë për konsumatorët shtëpiakë, ndërsa 67 centë për konsumatorët komercialë dhe institucionalë.

Nëpër dyqane, çmimi i ujit dallon varësisht se kush e prodhon atë.

Çmimet variojnë prej 1.35 euro për 10 litra ujë, e më lart.

Në të kaluarën, qytetarët janë ankuar se blerja e ujit ua ka çrregulluar buxhetet mujore.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” pati nxjerrë disa autobote me ujë nëpër lagje të ndryshme, për t’ua lehtësuar banorëve furnizimin me ujë.

Autoboti është automjet i pajisur me fuçi të madhe, që shërben për bartjen e ujit dhe lëngjeve tjera.

Nuk dihet nëse kështu do të veprohet edhe këtë vit, pasi nuk dihet edhe për sa kohë do të qëndrojnë të rritura vlerat e manganit.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit