Në Kosovë këtë të dielë do të mbahen zgjedhjet e shtata parlamentare, ndërsa të katërtat me radhë si zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas të dhënave në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), në garën zgjedhore të 6 tetorit do të përfshihen 25 subjekte politike, nga to 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat pavarur, për të cilët do të mund të votojnë gjithsej 1.937.869 votues të regjistruar në listën zgjedhore apo 111.733 votues të ri krahasuar me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Në këtë proces zgjedhor në mbarë territorin e Kosovës pritet të jenë të hapura 895 qendra të votimit, të cilat do të vëzhgohen edhe nga rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë të angazhuar, ndër të cilët edhe vëzhgues të Bashkimit Evropian (BE).
Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të garojnë gjithsej pesë kandidatë për pozitën e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.
Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka e formojnë Koalicionin Vakat; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e formojnë Koalicionin AAK-PSD; Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e formojnë koalicionin NISMA–AKR–PD; si dhe Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova e formojnë Koalicionin Sloboda.
– Kush do të formojë qeverinë e re të Kosovës?
Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër nga Koalicioni AAK-PSD, Fatmir Limaj nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Kadri Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si dhe kandidatja e parë femër Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas analizave dhe sondazheve jozyrtare, parashikimi për këto zgjedhje parlamentare mund të bazohet në votat e zgjedhjeve të kaluara, por mbetet mjaft vështirë e parashikueshme se cila parti apo koalicion do ta formojë qeverinë e re të vendit.
Partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK, shprehin bindje se do t’i fitojnë zgjedhjet, mirëpo ato si parti të vetme dolën si më të votuarat edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, por koalicioni i kryesuar nga Ramush Haradinaj formoi qeverinë.
VV dhe LDK zhvilluan negociata javëve të fundit, para dorëzimit të koalicioneve në KQZ, por nuk arritën të pajtohen për një koalicion parazgjedhor midis tyre.
VV futet në garë me mungesë të disa prej figurave kryesore në parti, përfshirë ish-kreun e kësaj partie Visar Ymerin, kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe nëntë deputetë të tjerë, të cilët së bashku formuan partinë e re PSD dhe kaluan në koalicion me AAK-në e Haradinajt.
Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, LDK përsëri ka vendosur që kandidat për kryeministër të nominojë emra të rinj, duke vendosur këto zgjedhje gruan e parë që garon për kryeministre, Vjosa Osmani.
Fushata zgjedhore, ku përfaqësuesit e subjekteve politike dhe koalicioneve prezantojnë programet zgjedhore, ka filluar që nga 25 shtatori dhe do të përfundojë të premten, më 4 tetor.
– Premtimet dhe fushata zgjedhore
Nga premtimet më të shpeshta të kësaj fushate zgjedhore janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, ndalimi i trendit të ikjes së të rinjve nga Kosova, si dhe integriteti i vendit brenda kufijve aktual.
Çështja e dialogut me Serbinë dhe taksa e imponuar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk janë në qendër të fushatave partiake, po ashtu edhe liberalizimi i vizave për të cilën asnjë parti politike nuk ka premtuar diçka lidhur me këtë çështje.
PDK në qendër të fushatës së saj e ka vendosur luftën kundër korrupsionit, ndryshe nga LDK e cila premton gjyqësi të pavarur dhe sistem më të mirë në shëndetësi, si dhe përmirësimin e statusit të grave në vend. VV në këtë fushatë po premton shtet të së drejtës, drejtësi sociale dhe rimëkëmbje ekonomike.
Nga ana tjetër, Koalicioni AAK-PSD vazhdon të theksojë se taksa 100 për qind ndaj Serbisë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Haradinaj pretendon se me imponimin e taksës ka prishur, sipas tij, planin e presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.
Ndërkaq, Fatmir Limaj, kreu i NISMA-s dhe kandidati i partisë në koalicion me Aleancën për Kosovën e Re dhe Partinë e Drejtësisë, bën thirrje për unitetin e të gjitha partive politike për t’u bashkuar në lidhje me sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen. Ai thekson zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale si përparësitë e tij.
Pas përfundimit të fushatës zgjedhjore, të premten në mesnatë, fillon heshtja zgjedhore që do të zgjasë deri në mbylljen e procesit të votimit, të dielën më 6 tetor.
Vendvotimet do të jenë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 pas dite./AA