8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kosovë – Papunësi e varfëri edhe më 2017

Më të lexuarat

Papunësia dhe varfëria do të vazhdojnë të jenë dy nga problemet me të mëdha me të cilat do të përballen qytetarët e Kosovës edhe gjatë këtij viti. Ndonëse, në vitin që lëmë pas ishte thënë që papunësia shënoi rënie, ajo nuk arriti të zbutet në nivelet e duhura.

Sipas rezultateve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në vitin 2016 ishte 26.2 për qind, që krahasuar me vitin 2015 kishte shënuar rënie për rreth 6 për qind.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se zbutja e papunësisë dhe varfërisë do të jenë në fokus të prioriteteve të autoriteteve të Kosovës edhe në vitin 2017.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vitin 2017 papunësia dhe varfëria do të shënojë rënie. Kjo sipas tij, do të arrihet përmes projekteve të ndryshme, që do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ne besojmë se viti 2017 do të jetë edhe më i mirë sepse është treguar edhe nga statistika të tjera se ka një ambient më të mirë të të bërit biznes dhe ka një aktivitet të shtuar ekonomik”.

“Kemi pasur inkasime shumë më të mëdha edhe në Administratën Tatimore dhe në Doganën e Kosovës që tregon se biznesi ka marrë një zhvillim dhe kjo është reflektuar me një përqindje të zhvillimit ekonomik diku rreth 4 për qind e besojmë që viti 2017 kjo do të kalojë edhe mbi 4 për qind”, thotë Abrashi.

Gjatë vitit që lëmë pas, ministri Abrashi thotë se ka pasur përmirësime të ambientit afarist.

Ministria e Financave, thotë ai, ka vazhduar me lehtësirat fiskale për bizneset derisa Ministria e Bujqësisë ka dhënë grante për sektorin privat i cili më pas ka gjeneruar zhvillim ekonomik dhe ka krijuar vende të lira të punës.

Sidoqoftë, bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik në vend dhe parashikimet e Bankës Botërore, si dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës, shkalla e papunësisë pritet të mbetët e njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme për shkak të nivelit të ulët të rritjes ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, thotë për Radion Evropa e Lirë se me trendët aktuale të zhvillimit ekonomik në Kosovë vështirë se mund të ketë zbutje të papunësisë gjatë këtij viti.

“Unë nuk pres që do të bëhet ndonjë mrekulli me papunësinë. Kjo mund të bëhet vetëm me laps, sikur që po e bënë qeveria aktualisht ku po e zbret papunësisë për 5 e 67 për qind. Papunësia nuk mund të zbritet, derisa rritja ekonomike nuk arrin deri mbi 7 për qind”, thekson Kastrati.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë hedhin kritika tek autoritetet e vendit për fokusin e tyre vetëm në çështjet politike dhe jo ato ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ballafaqimi i Kosovës me një situatë të rëndë politike ka lënë anash agjendën ekonomike.

“Nëse ekonomia nuk është prioritet i prioriteteve, atëherë si mund të krijohen vende të reja të punës. Duhet të kuptohet që kriza ekonomike në Kosovë gjenezën e ka në krizë juridike, derisa Kosova nuk e zgjedh krizën juridike, ne do të flasim për ekonomi, por do të jemi shumë larg ekonomisë dhe do të jemi shumë larg përmbushjes së premtimeve elektorale”, thekson Gërxhaliu.

Ndërkohë, edhe qytetarët thonë se në Kosovë mungojnë vendet e reja të punës.

Idrizi një qytetar nga Prishtina shprehet se është mjaft e vështirë të punësohesh.

“Për të gjetur një vend pune në Kosovë është shumë vështirë. Në Kosovë pa pasur të afërt të cilët punojnë në institucione vështirë se mund të punësohesh”.

Ngjashëm mendon edhe Nita.

“Së paku unë mund të them se kam aplikuar në shumë vende të punës e që nuk kam arritur të punësohem”, thotë ajo.

Ndryshe, çdo vit, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, hyjnë deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. /koha.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit