-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosovë, mbahet sesion shkencor mbi vlerat e Muajit të Ramazanit

Më të lexuarat

Fakulteti i Studimeve Islame (FSI) ka organizuar sesionin shkencor “Ramazani dhe refleksionet e tij shumëdimensionale”, lidhur me vlerat dhe ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në historinë e Islamit brenda këtij muaji, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë tubim të pranishëm kanë qenë profesorë të FSI-së, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, hoxhallarë, studentë dhe mysafirë të ndryshëm, përfshirë edhe përfaqësues nga Diyanet-i turk.

Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Fahrush Rexhepi, duke folur për Ramazanin, tha se vlera e këtij muaji është e madhe dhe e rëndësishme, ndërsa “atë që besimtari mund ta arrijë në këtë muaj, nuk mund ta arrijë në asnjë muaj tjetër”.

Rexhepi tha se Muaji i Ramazanit është muaj i solidaritetit, ngase tek agjëruesi zgjon ndjenjën e humanitetit, bëmirësisë dhe solidaritetit ndaj të varfërve, skamnorëve dhe jetimëve.

“Përmes agjërimit përforcohet lidhja në mes të krijuesit dhe njeriut dhe në mes të njeriut dhe njeriut. Sepse zgjohet ndjenja e urtisë dhe solidaritetit në shoqëri. Ramazani është muaj i durimit, është muaj i betejave, muaj i sukseseve, i fitoreve. Është pra muaj në të cilin shtohen begatitë, të mirat dhe pasuritë për besimtarët e sinqertë”, theksoi Rexhepi.

Myftiu Naim Tërnava tha se Ramazani është muaj i edukimit, ndërsa sipas fjalëve të profetit Muhamed, ata që e agjërojnë këtë muaj me besim, përkushtim e devotshmëri të lartë, Zoti do t’ua falë mëkatet.

“S’ka pikë dyshimi se ky është muaj i begatshëm, andaj duhet të angazhohemi që të marrim nga ky muaj aq sa kemi mundësi për të marrë. Ky është muaj i sakrificës, muaj i solidaritetit, muaj i edukimit shpirtëror, logjiko-mendor tek njeriu”, theksoi Tërnava.

Muaji i Ramazanit gjatë këtij viti filloi më 13 prill, ndërsa përfundon më 12 maj. /aa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit