-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosova shumë larg BE-së, por e gatshme për festë e ditë pushimi

Më të lexuarat

Kristian Karaqi, 26 vjeç nga Gjakova, është një nga shumë të rinjtë që ka për synim marrjen e një vize për në vendet e Bashkimit Evropian.

Janë bërë dy vjet, që prej se ai ka aplikuar për vize pune pranë Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Që nga ajo kohë, Kristiani është në pritje të ndonjë lajmi pozitiv që do t’i jepte mundësinë e largimit nga Kosova, ku përkundër përfundimit të Fakultetit Ekonomik, po e ka shumë të vështirë të gjejë një vend pune.

Për Kristianin është e pakuptueshme se si ende Bashkimi Evropian vazhdon të kufizojë lëvizjen e kosovarëve.

“Derisa nuk kemi liberalizim duhen 100 dokumentacione për të marrë një vizë studentore ose një vizë pune. Këtu Evropa po bën diskriminim”, thotë Kristiani për Radion Evropa e Lirë.

Kristiani beson se shtetet e Bashkimit Evropian po përdorin standard të dyfishtë me kosovarët, pasi sipas tij, për disa kategori për të cilat kanë interes, pajisja me vizë dhe leje pune është shumë më e lehtë.

“Në rastet kur atyre po iu përshtatet për mjekë ose për profesione të caktuara, ata po kanë kërkesa të tjera, të tjera kushte, a për neve për studime apo vizë pune, shumë po na refuzojnë (aplikimet) si dhe po na e vonojnë përgjigjen”, thotë Kristiani.

Festa në fundjavë? Jo, ajo bartet në një ditë tjetër

Por, përkundër faktit se Kosova është shumë larg anëtarësimit në Bashkim Evropian, Dita e Evropës, 9 maji është ditë pushimi dhe festë zyrtare.

Që nga viti 2008 kur u votua Ligji për festat zyrtare, në Kosovë 9 maji është ditë pushimi.

Këtë vit, 9 maji ishte gjatë fundjavës, por siç dihet, nëse një festë zyrtare në Kosovë i bie ditën e shtunë ose të diel, pushimi bartet të hënën.

Albana Hasani, hulumtuese pranë Lëvizjes FOL, thotë se është e pakuptimtë që Kosova ta ketë festë zyrtare e ditë pushimi 9 majin.

Ajo e quan absurd zëvendësimin me një ditë pune në rast se 9 maji bie gjatë fundjavës.

“Është tejet e paarsyeshme që kjo ditë të jetë festë zyrtare. Padyshim që ne konsiderojmë se ndryshimi apo amendamentimi i Ligjit për festat zyrtare në Kosovë është i pashmangshëm”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës dhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk është ditë pushimi.

I vetmi vend në kuadër të BE-së ku 9 maji është festë zyrtare dhe ditë pushimi, është Luksemburgu dhe kjo në vetëm në tre vjetët e fundit.

Kosova larg BE-së

Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku thotë se stagnimi i Kosovës në proceset integruese më shumë është faj i vetë Bashkimit Evropian.

Ai beson se Kosova vështirë se mund të ecë përpara në proceset integruese derisa nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtarë si dhe nga vetë Bashkimi Evropian.

“BE-ja ende nuk ka formalizuar raporte kontraktuale me Kosovën, që nënkupton se Bashkimi Evropian ende nuk e njeh Kosovën si entitet i pavarur do të thotë nuk e njeh sovranitetin e shtetit”, tha Mazreku.

Stagnimi i proceseve integruese të Kosovës, sipas Mazrekut, më shumë ndodh për vetë fajin e BE-së, pasi sipas tij, blloku evropian ende nuk ka gjetur një mënyrë të qartë se si t’i integroj më së miri vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një tregues i qartë për këtë, sipas Mazrekut, është procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, ku janë plotësuar kriteret nga Prishtina zyrtare, mirëpo mungon vullneti politik në BE.

“Kosova i ka përmbushur ato kritere. Komisioni Evropian ka treguar disa herë që Kosova i ka përmbushur ato kritike, ndërsa vendimi politik në kuadër të strukturave të institucioneve të BE-së, nuk ka arritur që të pajtohen që Kosovës t’i garantohet lëvizja e lirë”, tha Mazreku.

Me rastin e Ditës së Evropës, presidentja Vjosa Osmani, kërkoi nga BE-ja që të hapë dyert për Kosovën.

“Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, shkroi Osmani në Facebook.

Por, më kritik ndaj Bashkimit Evropian ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Përmes një reagimi, Konjufca tha se BE-ja është e vonuar në raport me Kosovën.

“Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij”, shkroi Konjufca më 9 maj në profilin e tij në Facebook.

Ligji për festat zyrtare në Kosovë është kritikuar vazhdimisht nga shoqëria civile, duke kërkuar largimi i 9 majit nga lista e festave zyrtare.

Por, pavarësisht diskutimeve të ndryshme, kjo ditë vazhdon të jetë ditë feste si dhe ditë pushimi në të gjitha institucionet publike.

Bazuar në Ligjin për festat zyrtare, në Kosovë janë 12 ditë pushimi në të cilat nuk punojnë institucionet publike. Por, e drejta e pushimit apo kompensimit të këtyre ditëve iu garantohet me Ligjin e punës edhe personave që punojnë në sektorin privat dhe që kanë kontrata të rregullta pune.

[email protected] (Shkëlqim Hysenaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit