1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Kosova s’i përmbush zotimet për uljen e varfërisë

Më të lexuarat

Para shtatë vjetësh Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishte zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.
 
Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atëkohë, ata qenë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushnin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe varfërinë.
 
 
 
Ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2008, Gjergj Dedaj, konsideron se autoritetet kompetente nuk e kanë përmbushur këtë zotim.
 
Në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, ai madje thotë se shkalla e varfërisë në Kosovë nuk është zvogëluar, por është rritur dhe kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës. 
 
 
 
“Mund të bëhet propagandë zgjedhore, marketing i politikave ditore, partiake, por shkalla e varfërisë në Kosovë jo që nuk është ulur, por në fakt është në rritje e sipër”.
 
“Kjo është shumë shqetësuese dhe duhet të alarmohen të gjitha institucionet e Kosovës, sepse institucionet përgjegjëse për uljen e varfërisë, më shumë merrem me probleme dytësore, sesa me varfërinë”, konsideron Dedaj.
 
Edhe ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur t’i përmbushin Objektivat e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.
 
Driton Qehaja, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Kosovë ende ka mungesë të te dhënave të sakta sa është shkalla e varfërisë.
 
“Jo nuk është përmbushur dhe ka shumë punë për t’u përmbushur zotimet për uljen e shkallës së varfërisë. Por, së pari duhet të evidentohet se sa është shkalla e varfërisë, pastaj mund të dihet se a është përmbushur ai kriter”, thotë Qehaja.
 
Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar.
 
Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se niveli i varfërisë, nga kjo ministri matet me numrin e familjeve që gjenden në asistencë sociale.
 
Ai thotë se ka zvogëlim të numrit të familjeve që marrin asistencë sociale, por ka rritje të buxhetit për këtë kategori.
 
“Kështu siç po shihet, është përgjysmuar numri i familjeve me asistencë sociale, prapë nuk guxoj të them se është përgjysmuar shkalla e varfërisë, apo është rritur niveli i mirëqenies. Por, megjithatë janë disa tregues pozitivë”, deklaron Gjocaj.
 
Sipas statistikave zyrtare për vitin 2011, varfëria e përgjithshme është afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme është në 10 për qind.
 
Por, organizata të ndryshme joqeveritare konsiderojnë se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë.
 
Ndryshe, në listën e asistencës sociale figurojnë mbi 26 mijë familje, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve. Për çdo muaj, rreth 500 familje të reja aplikojnë për ndihma sociale./evl
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit