Kosova pritet të refuzojë çfarëdo ftese për takimin e radhës të Ballkanit të Hapur i paraparë të mbahet më 7 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse, Mali i Zi pritet të ndryshojë qëndrim për këtë iniciativë rajonale me kryeministrin Dritan Abazoviq që ka paralajmëruar se do të jetë pjesë e takimit të Ohrit, në Kosovë nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje mbesin të palëkundur në qëndrimin e tyre kundër Ballkanit të Hapur. Përkitazi me këtë qëndrim janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës dhe shoqërinë civile.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress se Ballkani i Hapur nuk i ndihmon Kosovës në aspektin ekonomik dhe as të sigurisë, por e fuqizon Serbinë.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Jemi kundër (Ballkanit të Hapur) dhe në mbështetje të Procesit të Berlinit. Mendojmë se Ballkani i Hapur nuk ndihmon në aspektin ekonomik të sigurisë dhe procese të tjera Republikës së Kosovës, përkundrazi e fuqizon Serbinë… Kosova ka synim në të ardhmen të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të jetë në procese të bashkëpunimit të ngushtë me aleancën evropiane. Në këtë kuptim ne e shohim të panevojshëm krijimin e çfarëdo procesi që do të ishte i ngushtë dhe i cili do të shërbente Serbisë”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPress se Kosova nuk duhet t’i bashkëngjitet Ballkanit të Hapur.
“Çfarëdo iniciative, përfshirë edhe Ballkanin e Hapur, e cila vihet si tendencë për të zëvendësuar progresin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për të anashkaluar Procesin e Berlinit nuk shkon në favor të Kosovës dhe do të ishte e dëmshme nëse bëhemi pjesë e saj.
Ne konsiderojmë se tani veçse kemi mekanizma për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal. Ajo është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë nënshkruese të MSA-së dhe duhet t’iu përmbahen standardeve dhe specifikave që i garanton kjo marrëveshje. Në anën tjetër kemi edhe marrëveshjen e CEFTA, mirëpo që nuk po respektohet nga disa shtete karshi Kosovës…
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nëse i përmbahen marrëveshjes së CEFTA dhe çojnë përpara MSA-në nuk ekziston nevoja për të pasur marrëveshje ose zëvendësime me ide të tjera siç është Ballkani i Hapur”, deklaron ajo.
Në fillim të muajit të ardhshëm do të mbahet takimi i radhës i liderëve rajonal të Ballkanit të Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Deri më tani, të tri shtetet pjesë e kësaj iniciative kanë nënshkruar disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi mes tyre.
Marrëveshjet e memorandumet e nënshkruara deri më tani kanë të bëjnë me heqjen e kontrolleve kufitare mes këtyre vendeve, për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave, për qasje të lirë në tregun e punës dhe për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor.