-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosova nuk përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA

Më të lexuarat

Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas një vendimi të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për ta pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha të mërkurën në një konferencë për media se “nga sot, në takimet e komiteteve të përbashkëta, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”.

Kosova ishte përfaqësuar në CEFTA – marrëveshjen që synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve – përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

“Pjesëmarrja përmes UNMIK-ut në CEFTA është larguar përfundimisht, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit të Kosovës për ta rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm”, tha Hajdari pas takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i kryesuar nga Serbia, në Beograd.

Ajo tha se Kosova e bëri këtë kërkesë në vitin 2021 dhe prej atëherë e kishte bllokuar punën në CEFTA për të bërë trysni në pranimin e kërkesës së saj.

“Ishin 13 vendime të dërguara në pritje për miratim që nga dërgimi i letrës sonë… ishte përkushtimi i Kosovës që të mos i miratojë këto vendime pa u miratuar kërkesa e Kosovës për largim të UNMIK-ut, që ishte kërkesa e parë e Kosovës në takime në këto tri vjet”, shtoi ajo.

Të gjitha ato vendime, sipas saj, u miratuan pas pranimit të kërkesës së Kosovës, duke bërë që të zhbllokohet puna në CEFTA.

Ky lajm u bë i ditur fillimisht nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili tha se ky është “hap i madh” drejt përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në këtë organ rajonal.

“Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u”, shkroi Rohde në X.

Këtë vendim, njohësja e çështjeve ekonomike Sytrime Dervisholli, e konsideron një ndër lajmet më të rëndësishme viteve të fundit.

“Dihet se UNMIK-u ka qenë prezentë në takimet e CEFTA-s, jo se ka pasur rol vendimmarrës, por megjithatë ka qenë prezentë. Pas këtij vendimi, Kosova do të ulët në tavolinë pa prezencën e UNMIK-ut dhe kjo është një arritje shumë e madhe”, tha Dervisholli, e cila për pesë vjet (2015-2020) ka udhëhequr Departamentin e Tregtisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Përveç kësaj, ajo tha se do të eliminohen disa barriera me të cilat janë ballafaquar kompanitë prodhuese nga Kosova, të cilat i ka paraqitur kryesisht shteti i Serbisë.

“Prodhuesit nga Kosova, kur kanë eksportuar në shtetin e Serbisë, sidomos në Luginën e Preshevës, por edhe nëse territorin serb, e kanë shfrytëzuar si vend transit, autoritet e Beogradit zyrtarë shpesh herë i kanë detyruar bizneset që në prodhimet e tyre të mos shkruaj vendi i origjinës Kosovë, por të vendosin akronimin UNMIK/KOSOVO”, tregoi ajo.

Në shumë raste, thotë ajo, bizneset nga Kosova nuk kanë pranuar këtë emërtim.

Ky ndryshim, të cilin Kosova ka kohë që e kërkon, erdhi dy ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta heqë ndalesën ndaj importit të mallrave serbe në pikëkalimin në Merdare.

Kosova u përball me trysni në javët e fundit për ta hequr ndalesën ndaj mallrave serbe, posaçërisht nga Gjermania.

Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton marrëveshjen CEFTA-s dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, qëndroi disa herë në Kosovë në muajt e fundit, ku paralajmëroi se ndalesa e mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.

Pas kërkesës së zyrtarëve kosovarë për ndryshimin e emrit, Gjermania ofroi një “zgjidhje” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës në CEFTA do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën kur njoftoi për heqjen e ndalesës ndaj mallrave serbe, se pret që Kosova në takimin e radhës të përfaqësohet me emrin e vet.

Shtetet anëtare të CEFTA-s janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Rumania, Bullgaria dhe Kroacia u tërhoqën nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit