Në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Kosova mbetet në vendnumërim. Ajo ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. E ardhmja evropiane i është konfirmuar disa herë, por rezultate të vërejtshme në praktikë nuk ka pasur.
“Rrugën e Kosovës drejt Evropës e ka penguar më së shumti korrupsioni dhe nepotizmi në punësime. Po të mos ishte hajnia, Kosova do të mund të përparonte dyfish më shumë”, thotë Osman Maliqi, një qytetar nga Prishtina.
Nëse vazhdohet kështu, shton ai, Kosova mund të anëtarësohet në BE “në vitin 2050”.
Hysen Ramabaja, nga qyteti i Kamenicës, mendon më ndryshe. Thotë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka krijuar situatë të re dhe, sipas tij, është në interes të fuqive perëndimore t’i integrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kosova është në një moment të ri, për shkak të pozitës gjeostrategjike dhe interesave të BE-së dhe SHBA-së… Nuk ka ku të shkojë [BE-ja] pa e integruar edhe Ballkanin Perëndimor”, thotë Ramabaja.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe mbështetje për realizimin e reformave gati qe dy dekada.
Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën është thënë: “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të këtij viti i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Kjo marrëveshje kontraktuale – e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian – është nënshkruar në vitin 2014, ndërsa ka hyrë në fuqi më 2016.
Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.