0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kosova miraton nismë për njohje reciproke të patentë shoferëve me Turqinë

Më të lexuarat

“Kjo nismë për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Kosovës dhe Turqisë dëshmon edhe një herë gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy shteteve”, tha kryeministri Kurti

Me të gjitha votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, anëtarët e kabinetit të Qeverisë së Kosovës kanë votuar nismën e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë për njohje reciproke të patentë shoferëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e mbajtur sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo nismë për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Kosovës dhe Turqisë dëshmon edhe një herë gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy shteteve.

“Këto raporte tona të mira do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë, në këtë rast duke i liruar qytetarët tanë në Turqi nga provimet plotësuese, procedurat e shpenzimet shtesë për pajisje me patentë-shofer”, theksoi Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se projekt-marrëveshja trajton në mënyrë të detajuar procedurën e njohjes reciproke të patentë shoferëve mes dy qeverive.

“Qëllimi është që përmes kësaj marrëveshje të evitojmë procedurat që marrin kohë dhe kanë kosto financiare duke mos pasur nevojë për provime plotësuese apo testime praktike të vozitjes”, theksoi ai.

Ministri Sveçla tha se kjo projekt-marrëveshje i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara me ligj për marrëveshjet ndërkombëtare dhe nuk bie në kundërshtim me aktet dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës.

Ai ua kërkoi votën pro anëtarëve të qeverisë duke marrë parasysh rëndësinë e projekt-marrëveshjes dhe planeve të Ministrisë së Mbrojtjes që nisma të tilla të ketë edhe më shumë në vazhdimësi.

Sipas procedurave ligjore për shqyrtimin e projektmarrëveshjeve ndërkombëtare, tani teksti i kësaj projekt-marrëveshjeje ndërkombëtare do t’i dërgohet ministrive ose agjencive shtetërore përkatëse për shqyrtim dhe vetëm pas shqyrtimit dhe pajtimit nga to, i dërgohet edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve Kosovë-Turqi nuk futet në çështjet e territorit, paqes, aleancave, çështjeve politike dhe ushtarake për të cilat duhen votat e 2/3-ve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por, ajo ratifikohet pas nënshkrimit nga presidenti i Kosovës.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit