0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kosova me nivelin më të ulët të kursimeve për kokë banori

Më të lexuarat

Në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve, ka arritur mbi 3 miliardë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës,mbi 2 miliardë e 100 milionë euro janë kursime të ekonomive familjare, kurse rreth 800 milionë euro, janë depozita të ndërmarrjeve.

Norma e interesit për kursime është rreth një për qind.

Mbajtja e kursimeve në institucionet financiare në Kosovë, si nga ekonomitë familjare po ashtu edhe nga bizneset, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, tregon për besueshmërinë dhe stabilitetin e bankave komerciale që veprojnë në vend.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit për depozita janë të ulëta dhe jofavorizuese për klientët, jo vetëm në Kosovë, por në gjitha shtetet e Evropës.

“Norma në depozita është në një nivel shumë të ulët dhe nuk i favorizon kursimtarët, por kjo është një gjendje e përgjithshme, jo vetëm në rajon, por në gjithë Evropën që normat për kursime janë në nivelin më të ulët historik që kemi parë ndonjëherë”, ka thënë Balija.

Në anën tjetër eksperti për çështje financiare, Milazim Abazi thotë se Kosova në krahasim më vendet e rajonit ka nivelin më të ulët të depozitave për kokë banori.

“Megjithatë është e pamjaftueshme dhe kemi kursimet më të vogla për kokë banori në rajon. Kosova ka mundësi edhe më tepër që rriten kursimet e qytetarëve dhe të bizneseve, sikurse të garantohet minimumi i depozitave që aktualisht është 4.000 euro dhe të shkoj në 10 mijë euro. Atëherë kjo do të ndikonte në sigurinë e qytetarëve”.

“Ne mund të themi se kemi banorë të njëjtë me Maqedoninë, por qytetarët e saj kanë 6 miliardë euro kursime, kurse Shqipëria ka kaluar mbi 8 miliardë euro kursime”, thekson Abazi.

Ndryshe, përgjegjës për sigurimin e depozitave është Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës. Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave për një depozitor, person fizik apo juridik, në një banke është 4.000 euro. Ky limit, parashihet se do të rritet në 5 mijë euro nga viti i ardhshëm.

Shpend Balija, thotë se kursimet e qytetarëve, duhet të llogariten si kapital pozitiv për investime në të ardhmen.

“Është shumë pozitive që qytetarët arrijnë të ndajnë një pjesë nga të ardhurat dhe t’i deponojnë si kursime. Sepse për të bërë investime së pari duhet të kemi kursime, një bazë të mirë të kapitalit dhe pastaj vijojnë edhe investimet”, thotë Balija.

Ndryshe vlera e depozitave e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në mbi 2.4 miliard euro. Nga kjo shumë ekonomitë familjare kanë kredi rreth 900 mijë euro, kurse ndërmarrjet mbi 1.5 miliard euro. Për dallim nga interesi për depozitat, kamatat për kredi sillen nga 6 deri në 7.7 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe banka komerciale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit