-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kosova, imazhi i një viktime

Më të lexuarat

Agron Halitaj

Kur në vitin 2011 erdhi në krye të shtetit një oficere policie, s’qenë të paktë zërat kundërshtues ndaj kësaj “prurjeje”. Pa u lëshuar në vlerësime politike, konsiderohej se lënia e shtetit në duar të uniformës lë shije të keqe për një vend që pretendonte të ndërtohej mbi baza të një demokracie të shëndosh. Atëherë ekzistonte një bindje se veç në rrethana të jashtëzakonshme, timoni i shtetit mund t’i besohej një polici apo ushtaraku.

Shpejt u pa se oficerja nuk zotëronte dije të mjaftueshme për ta ushtruar funksionin e saj kushtetues, kështu që u desh të bëheshin improvizime për ta vënë në pah rolin e saj, duke krijuar p.sh. trupa antikorrupsion e integrues (që edhe ashtu ishin më bollëk).

E, kur as këta mekanizma nuk dhanë rezultate, shefja e mëparshme e shtetit iu kthye punës që e njihte më së miri: asaj të Policës. Koordinoi aksionin më të madh me një mijë ish-kolegë për të arrestuar 60 persona nën dyshimin se janë përfshirë në luftëra të huaja dhe në organizata terroriste? Këtu kishte terreni për të vepruar, sepse kishin kaluar vitet që në Kosovë vepronin organizatat e huaja që financonin një frymë ndryshe të islamit e që Bashkësia Islame e Kosovës ankohej se jashtë juridiksionit të saj po hapeshin xhamia ku feja predikoj ndryshe.

Në momentin që u intervenua, Kosova u bë lajm botëror. Në një vend me më pak se dy milionë banorë, u arrestuan përnjëherësh aq shumë veta sa nuk ishin arrestuar në të gjitha shtetet e tjera bashkërisht. Njëjtë, Kosova printe edhe nga numri i pjesëmarrësve në ISIS, përpjesëtuar për kokë banori me shumë shtete tjera në Evropë. Kështu, Kosova u shndërrua – mediatikisht- në “qendër të rekrutimit të terroristëve” dhe në burim të “ekstremizmit islamik”.

Por, i gjithë ky negativitet e kishte edhe anën tjetër të medaljes: liderët shtetërorë morën merita për goditjen “e paparë” që iu “dhanë” mbështetësve të ISIS-it. S’kishte takim të rangjeve të larta, qoftë brenda e qoftë jashtë vendit, ku nuk flitej për përkushtimin institucional për ta luftuar terrorizmin. Mbi 200 persona u arrestuan brenda një kohë të shkurtër, e afërsisht po aq kallëzime penale u ngritën nga organet e drejtësisë.

Më shpejt se krejt shtetet e tjera, Kosova nxori edhe një Ligj të veçantë për ta ndaluar pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Nga ky këndvështrim, u krijua përshtypja se Kosova nuk është kjo në të cilën jetojmë, por është diku në kufij me Sirinë, në mos brenda saj, dhe se e keqja buron pikërisht këtu e pastaj shpërndahet në Lindje e gjetiu.

Kur tash, Kosova, përkufizohet nga mediet prestigjioze si ”tokë e pëlleshme” e ISIS-it, kujt i intereson të dijë se sa njerëz janë duke u mbajtur të mbyllur pa dëshmi të mjaftueshme se kanë qenë të përfshirë në aktivitete terroriste? Apo cilit medium ndërkombëtar tash i intereson të dijë se sa persona kanë shkuar sivjet në Siri dhe sa është numri i atyre që vazhdojnë të jenë atje?

Asnjërës!

Në gazetari, lajmi i keq është lajm i mirë. E, lajmii keq nuk është zor të nxirret as tash, sepse janë vet liderët e shtetit ata të cilët përpiqen që dështimet në fushat e tjera t’i mbulojnë me suksesin në luftën kundër terrorizmit.
Ata e vënë mbi gjithçka këtë kauzë, por gjithmonë i shmangen faktit që nuk kanë vepruar në preventiv të rrënimit të imazhit për shtetin. Asnjëherë nuk dëgjohen as duke e adresuar një barrë të madhe të fajit edhe tek misionet ndërkombëtare, të cilat që nga paslufta e kanë pasur në kontroll gjendjen e sigurisë në vend, e kanë heshtur përball elementeve të dyshimtë.

E, krahas politikanëve, pasqyrimit të gjendjes reale në të shumtën e herëve nuk i kontribuojnë as disa gazetarë, “analistë” e “ekspertë” të çështjeve të sigurisë, që s’rreshtin së vëni mbiemra terroristëve duke i cilësuar ata si xhihadistë. Të tillët përpiqen ta lidhin cdo akt terrorist me shqiptarët, sic ishte rasti i fundit i sulmeve në Bruksel, ku ende pa folur policia belge, alarmohej opinioni se sulmuesit qenkan nisur nga një lagje ku po banuakan edhe disa shqiptarë.

Duke reaguar ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me islamin, pa e njohur fare këtë fe, ata nuk bëjnë tjetër pos që i thyejnë kufijtë e tolerancës, nxisin urrejtje te një pjesë e besimtarëve, derisa pjesën tjetër që është më tolerante e bëjnë të ndihen të lënduar.

Në luftën e shekullit të ri, duhet t’i shtrojmë pyetje vetës, nëse duhet ta marrim mbi vete gjithë barrën mbi të keqën që po ndodh i ndodh njerëzimit në një pjesë të botës, apo duhet ta marrim vetëm për aq sa na takon?
Krahas gjykimit të së keqes, e veçmas në rastet ku përfshihen qytetarët me origjinë shqiptare do të ishte shumë korrekte edhe sikur të pyesnim se: Nëse një shqiptar i lindur e i rritur në SHBA kapet nga autoritetet e sigurisë nën dyshimin se është përfshirë në aktivitete terroriste, a duhet ne në Kosovë domosdoshmërish të ndjehemi në faj për sjelljet e tij? Nëse një shqiptar i lindur e i rritur në Gjermani vret njerëz të pafajshëm në emër të fesë, a jemi ne në Kosovë me çdo kusht të obliguar t’i tregojmë botës se nuk jemi të gjithë si ai? Apo, nëse një shqiptar i lindur e i rritur në një shtet bëhet kamikaz a duhet patjetër ne në Kosovë të lahemi para botës e të themi se truri i tij nuk është shpëlarë te ne.

Pra, nëse na dhemb kur dëgjojmë që ndonjë shqiptar i rritur në shtetet demokratike ka devijuar, a nuk duhet ta adresojmë përgjegjësin edhe tek shtetet respektive që nuk e kanë pasur nën kontroll, por e kanë lënë të indoktrinohet e t’i bashkohet ISIS-it? Dhe, mbi të gjitha, nëse vërtet e duam diverstitetin fetar, a duhet të përmbahemi nga nxitja e urrejtjes ndërfetare.

GiovanniRigoli, një prift i ri italian, shkruante ditë më parë se lufta e ditëve të sotme ka për bazë interesa ideologjike të cilat, megjithatë, nuk janë të kuqe apo të zeza, por kanë të veshur maskën e fundamentalizmit pseudo-religjioz. Më shumë se luftë istikamesh, shkruante ai, kjo është një luftë e re, një përplasje qytetërimesh dhe interesash politiko-ekonomike të vjetra, por që tashmë kanë gjetur një trup dhe emër tjetër që përkojnë me sinonimin e padrejtësisë shoqërore, mostolerancës dhe mosmarrjes parasysh të nevojave njerëzore. Dhe, thirrja e tij ishte që të kemi kujdes e të mos jemi naivë sa të lejojmë që një “cunami” të trondisë ndjenjat tona.

Në shumë raste është përdorur një thënie e Papa Françeskut se “terrorizmi nuk ka fe dhe nëse e ngatërroni islamin me terrorizëm do të nervozohem, sepse ky është një ofendim për myslimanët”.

Terrorizmi duhet luftuar. Këtu nuk duhet të ketë mëdyshje. Ama, krahas kësaj nuk duhet lejuar, siç e tha së voni edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Dellawie, që një popull i tërë të njolloset për shkak të veprimeve të një grupi të vogël.

Pse duhet Kosova të paraqitet si tokë e pëlleshme e ekstremizmit, kur ne që jetojmë këtu, e dimë më mirë se kushdo tjetër se kjo është tokë e pëlleshme e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit