0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë

Më të lexuarat

Përvjetori i dymbëdhjetë i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të shënohet me shumë aktivitete të organizuara nga institucionet qendrore dhe lokale.

Nën organizimin e Qeverisë, në orën 8:00 do të bëhet ngritja e flamurit në oborrin e Qeverisë, ku të pranishëm do të jenë dy udhëheqësit shtetërorë dhe komandanti i FSK-së. Derisa garda ceremoniale do të bëjë ngritjen e flamurit, intonohet himni nga bendi i FSK-së.

Pas kësaj në ora 09:10, dy udhëheqësit shtetërorë do të bëhet vendosje kurorash te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe do të vendosen kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke filluar nga ora 10:30, dhe nga ora 10:40 te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te varrezat në Velani.

Në ora 11:00 mbahet seanca solemne në Kuvendin e Kosovës, nën kujdesin e Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit të Kosovës. Të prani shëm janë dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjeve Jashari e Rugova, deputetë dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, do të bëjnë një vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës, duke filluar nga ora 12:00, ku do t’iu drejtohen me një fjalë rasti trupave të FSK-së.

E gjatë ditës, konkretisht në orën 13:00, është paraparë të bëhet prezantimi i Obeliskut NEWBORN me pamje të re, ku do të paraqesë simbolin e përkrahjes dhe fuqizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e ku do të marrë pjesë kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Në mbrëmje duke filluar nga ora 18:00, në katedralen “Shën Nëna Terezë”, do të organizohet pritja shtetërore me rastin e 12-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës nën kujdesin e presidentit Hashim Thaçi, ku të pranishëm pritet të jenë udhëheqë s të lartë shtetërorë, të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edhe Ministria e Kulturës ka paraparë një varg aktivitetesh për shënimin e 12-vjetorit të pavarësisë. Në ora 11:00, në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të hapet ekspozita “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”, ndërsa po në Muzeun e Kosovës, nga ora 12:00, hapet ekspozita arkeologjike “Kosova dhe Adriatiku”.

Në ora 13:00 në MKRS bëhet ndarja e çmimeve të letërsisë për 2019. Në ora 17:00 në Teatrin Kombëtar, Baleti Kombëtar i Kosovës jep shfaqjen “Ngjyrat e Vallëzimit”. Po në teatër, nga ora 20:00, nis koncerti festiv i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Në Kinemanë ABC, nga ora 19:00 nis java e filmit shqiptar.

Gjithashtu, edhe komunat kanë paraparë disa aktivitet. Ndërkohë ne po iu sjellim disa nga to. I vetmi aktivitet i komunës së Prishtinës, është koncerti Prishtina Big Band, i cili nis në orën 20.00 deri në orën 21:30.

E komuna e Prizrenit, për nder të 17 Shkurtit, ka organizuar vizitë në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, duke filluar nga ora 10:00, dhënien e dekoratave për familjet e dëshmorëve në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”, nga ora 11:00. Hapjen e ekspozitës nga Arbnor Morina në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”, ora ora 15:00. Orën letrare “Ora e Pavarësisë” në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”, nga ora 16:00 dhe koncertin e pavarësisë Grupi NeWborn në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”, nga ora 19:00. Gjithashtu, ka organizuar turneun e basketbollit U14 në qendrën sportive “Sezai Surroi”, nga ora 10:00 deri në 17:00, dhe Turneu i shahut në restorant Oferta, nga ora 10:00 deri në 18:00.

Komuna e Mitrovicës, ka mbajtur disa aktivitete gjatë javës, ndërsa, nesër nga ora 13:00, në sheshin “Mehë Uka”, do të organizojë koncertin e pavarësisë.

Komuna e Gjakovës do ta nisë këtë ditë me homazhe te lapidari “Shokët e Lirisë, nga ora 11:00, duke vazhduar me vënien e gurthemelit për ndërtimin e lapidarit të “Brigadës 137” në Çabrat, nga ora 12:00. Nga ora 13:00, është paraparë përurimi i sallës solemne në Bibliotekën Publike, ndërsa nga ora 17:00, nis programi festiv në Pallatin e Kulturës.

Ferizaj nis 17 shkurtin me homazhe në varrezat e qytetit, nga ora 10:00. Pastaj, nga ora 11:00, ka paraparë një akademi solemne në teatrin e qytetit dhe pas saj, po në teatër nis koncerti për fëmijë nga ora 13:00.

Aktivitetet për të rinj do të mbahen në sheshin e qytetit nga ora 15:00. Në mbrëmje, nga ora 18:00, hapet një ekspozitë kolektive, ndërsa nga ora 20:00, në teatër shfaqet premiera “Derisa vdekja nuk na ndanë”.

Komuna e Istogut do të organizojë aktivitete kulturore për nder të kësaj date historike. Aktivitet do të organizohen nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Ru gova. Nga ora 11:00 mbahet seancë solemne dhe nga ora 12:00, homazhe- vendosje kurora lulesh te Lapidari i Dëshmorëve në qendër të Istogut.

Për nder të shënimit të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Obiliqit organizon ngjarje kulturore-artistike. Nga ora 11:30 bëhen homazhe pranë Pllakës Përkujtimore të dëshmorëve të UÇK-së në këtë qytet. Nga ora 12:00, mbahet manifestimi kulturor në Shtëpinë e kulturës “Xhavit Haziri“ , në Obiliq.

Komuna e Skenderajt bën homazhe nga ora 9:00, te përmendorja e Adem Jasharit në shesh të qytetit, nga ora 9:30, së bashku me komunën e Drenasit, bëjnë homazhe në kompleksin përkujtimor në Prekaz, e pastaj në orën 10:00, te Memoriali i Dëshmorëve në Marinë. E nga ora 11:00 kjo komunë mban seancë solemne. Ndërsa nga ora 13:00, në sheshin e qytetit mban programin kulturor-artistik. Po ashtu, ka paraparë një turne nga ora 15:00, në shkollën profesionale në këtë qytet.

Për nder të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit ka organizuar një varg manifestimesh kulturore-artistike dhe sportive. Nga ora 08:00, është paraparë pritja e mysafirëve nga kryetari i komunës, Smajl Latifi në zyrën e tij. Pastaj nga ora 9:00, do të bëhen homazhe në të gjitha vend-rëniet dhe pllakat e dëshmorëve të Komunës së Rahovecit. E në orën 12:00, do të mbahet seanca solemne për nder të “17 Shkurtit”.

Programi qendror festiv do të mbahet në Qendrën e Kulturës ‘’Mensur Zyberaj’’, nga ora 13:00, kurse, nga ora 16:00, do të mbahet finalja e garave në futboll në mes katër shkollave të kësaj komune në palestrën sportive ‘’Mizahir Isma’’.

Po ashtu, gjatë ditës, nga ora 12:00, në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë”, artisti konceptual, I Am I, do të realizojë një përformancë protestuese e cil a do ndërlidhet me ditën e pavarësisë.

Aktivitete kanë organizuar edhe komunat tjera të Republikës së Kosovës./kp/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit