Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel të martën zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje rreth përdorimit të dinarit serb.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Ky vendim, sipas BE-së, ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia. Prandaj, BE-ja ka thirrur takimin e 27 shkurtit për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Takimet në Bruksel nisin në mëngjes dhe sipas burimeve diplomatike, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, së pari do të takohet me delegacionin e Serbisë, pastaj me atë të Kosovës. Sipas praktikës nga e kaluara, pas takimeve të ndara që Lajçak do të zhvillojë me palët do të zhvillohen edhe takime trepalëshe.
Ndonëse BE-ja një ditë më parë njoftoi se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, në këto takime duket se përbërja e delegacioneve do të jetë e ndryshme nga e kaluara. Përderisa në takime Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori i saj për dialog, Petar Petkoviq, nga Kosova në takimet në Bruksel do të marrë pjesë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.
Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.
Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Zëdhënësja e BE-së për çështje të jashtme, Nabila Massrali, tha një ditë më parë se takimi i së martës do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të bisedohet “për gjetjen e zgjidhjeve”.
“Takimi i nesërm [i së martës] është takim i dialogut që do të përqendrohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha ajo.
Nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.
“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.
Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.