-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbajnë mbledhje të përbashkët në Prishtinë

Më të lexuarat

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, por komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të një takimi të përbashkët të qeverive të dy vendeve fqinje të hënën në Prishtinë.

Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i marrëveshjeve”, tha Kurti në fillim të takimit ndërqeveritar në Prishtinë.

Ai njoftoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut do t’i nënshkruajnë dy memorandume dhe një protokoll në fushat e energjisë, arsimit dhe lehtësimit të lëvizjes së lirë, të cilat do të zbatohet nga janari 2025.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, tha Kurti.

Ai tha se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.

“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur jo vetëm përmes gjeografisë por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, theksoi ai.

Pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.

Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë të Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësja e Qeverisë maqedonase, Venera Azizi, tha në Facebook të dielën vonë se takimi i së hënës “shënon një moment të rëndësishëm” për forcimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe se do të jetë “një shembull i bashkëpunimit që na afron drejt një rajoni më të zhvilluar dhe të integruar”.

Ajo tha se marrëveshjet që pritet të nënshkruhet në takimin ndërqeveritar janë “konkrete, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”.

Takimi i përbashkët i dy qeverive vjen pas një vizite që Kurti me ministrat e tij e bëri në Shkup këtë verë, pak muaj pasi ishte formuar Qeveria e Mickoskit.

Sipas Mexhitit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të pajtohen që në dy pikëkalimet kufitare ta kenë vetëm një pikë kontrolli, për ta mundësuar qarkullimin e pandërprerë të qytetarëve pa tollovi dhe për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik.

“Marrëveshja në fushën e energjetikës për shfrytëzim racional të resurseve natyrore dhe forcimin e sigurisë energjetike dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike në rajon”, tha Mexhiti më 16 nëntor.

Marrëveshja në fushën e arsimit, sipas tij, ka për qëllim bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional, arsimit për të rritur, këmbimin e përvojave.

Gjuha shqipe

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë (BDI) pret që në këtë mbledhje të diskutohet edhe për Ligjin për Gjuhët, pasi Gjykata Kushtetuese maqedonase pritet ta rishikojë dhe “me gjasë ta shfuqizojë” nenin 9 të këtij ligji.

“Shqiptarët nuk do ta tolerojnë këtë. Do t’i bllokojnë rrugët e Maqedonisë së Veriut. Presim që gjatë mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Republikës së Kosovës ta ngritin çështjen e gjuhës shqipe. Reagim presim edhe nga të gjitha partitë në Kosovë, siç presim reagim edhe nga Tirana”, tha Ahmeti të premten.

Në anën tjetër, të hënën, duke e komentuar mbledhjen ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nga koalicioni shqiptar VLEN, thanë se fakti që mbledhja po mbahet në Prishtinë, dëshmon se marrëdhëniet me Kosovën po thellohen.

Nga ky koalicion shtuan se marrëveshjet që janë nënshkruar nga qeveritë e kaluara nuk janë zbatuar, pasi BDI-ja sa ishte në pushtet ka pasur, “inate me partinë që qeverisë Kosovën, gjegjësisht me Vetëvendosjen”.

“Mbledhje mes dyja qeverive ka pasur edhe në të kaluarën, edhe marrëveshje të nënshkruara, por zbatimi i tyre në praktikë ka qenë i padukshëm, për faktin se nga pala e Maqedonisë së Veriut partia shqiptare në pushtet nuk ka pasur vullnet pozitiv“, thanë nga koalicioni VLEN.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit