8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Kosova, anëtarja më e re e FIFA-s

Më të lexuarat

Federata Botërore e Futbollit – FIFA – ka votuar sot në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Në Kongresin e 66-të të FIFA-s, që i zhvilloi punimet të enjten dhe të premten në Meksiko Siti, Kosova u pranua si anëtarja e 210-të e këtij mekanizmi të rëndësishëm të sportit botëror.

Vetëm dhjetë ditë më parë, Kosova është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit.

Pranimi në UEFA – njërën prej gjashtë konfederatave kontinentale të FIFA-s – ishte kushti i parë për anëtarësim në organizatën botërore të futbollit.

FIFA, tani 210-anëtarëshe, përfshin vende nga e gjitha bota dhe turneu i saj kryesor është Kupa e Botës, e cila organizohet çdo katër vjet.

Pranimi në FIFA do t’i hapë rrugën kombëtares kosovare që të marrë pjesë në kualifikimet për Kupën e Botës më 2018, të cilat nisin në shtator.

Janë disa lojtarë kosovarë që luajnë dhe kanë shënuar suksese me kombëtare të tjera. Rregullat e FIFA-s nuk i lejojnë lojtarët të ndryshojnë angazhimet e tyre, por ka spekulime se në rastin e Kosovës mund të bëhen përjashtime.

Një gjë e tillë do të kishte ndikim të madh në ekipet kombëtare të Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat kanë numër të madh të lojtarëve me rrënjë kosovare.

Në rastin e Zvicrës bëjnë pjesë lojtarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Valon Behrami, ndërsa kapiten i kombëtares shqiptare është Lorik Cana.

Çështja e lëvizjes së tyre nga njëra kombëtare në tjetrën është ngritur, por nuk është zgjidhur kur Kosova është zgjedhur anëtare e UEFA-s, javën e kaluar.

“E kemi pyetur FIFA-n në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe do të donim një përgjigje të qartë”, ka thënë drejtori ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell.

Me statutin e FIFA-s, lojtarët që janë të përshtatshëm për më shumë se një vend, lejohen të lëvizin vetëm një herë dhe vetëm nëse paraqitja e tyre për vendin e parë nuk ka qenë një ndeshje e madhe, me konkurrencë ndërkombëtare. Tani, FIFA duhet të vendosë se çfarë të bëjë me lojtarët që më herët nuk e kanë pasur Kosovën opsion.

Çështja e Kosovës është paksa komplekse edhe për shkak të Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe në vazhdimësi kundërshton fuqishëm pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Autoritetet serbe janë zotuar se do ta sfidojnë çështjen e pranimit të Kosovës në UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës.

Ka gjasa që FIFA dhe UEFA të mbajnë ekipet e Kosovës dhe të Serbisë larg njëra-tjetrës në gara, ashtu siç veprohet me Gjibraltarin dhe Spanjën, prejse Gjibraltari është anëtarësuar në UEFA, tre vjet më parë.

Organizata botërore e futbollit, në krye me presidentin e ri, Gianni Infantino, mbetet joshëse, pavarësisht skandaleve të mëdha për korrupsion, që e kanë goditur sidomos vitin e kaluar.

FIFA është themeluar në vitin 1904, ndërsa Kupa e parë e Botës është mbajtur në vitin 1930, në Uruguaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit