Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Philip S. Kosnett, ka vlerësuar gatishmërinë e institucioneve shtetërore, por edhe të popullit të Kosovës për mikpritjen e afganëve.
Përmes një postimi në Twiter, Kosnett ka thënë se Kosova edhe njëherë demonstron lidership në skenën globale.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është deklaruar rreth çështjes së strehimit në Kosovë të refugjatëve nga Afganistani. Kurti ka thënë se përveç aspektit të solidaritetit, strehimi i tyre është edhe dimension i aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor e partneri strategjik i pazëvendësueshëm për Kosovën.