1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Korruptimi i fesë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Fjala fe përdoret me kuptime të ndryshme, por dy kryesoret e saj përfshijnë dy dimensione, atë hyjnor dhe atë njerëzor. Në kuptimin e parë feja identifikon bindjet, besimet, mësimet dhe udhëzimet e ardhura nga Zoti, ose ndryshe atë që njihet si shpallja hyjnore, zbulesa qiellore, revelata, fjala e Zotit etj. Duke qenë se ajo vjen nga Krijuesi, ajo është e shenjtë, e përkryer dhe e patëmeta. Ndërsa në kuptimin e dytë ka për qëllim praktikën njerëzore, përkushtimin human, veprimet dhe mosveprimet që njerëzit bëjnë në emër të fesë apo i justifikojnë me të, ka për qëllim besimtarët dhe udhëheqësit fetar, si ata sillen dhe si e kuptojnë dhe praktikojnë fenë.

Njerëzit laik dhe ata që nuk janë besimtarë e përdorin fjalën fe vetëm me kuptimin e dytë, sepse ata nuk besojnë në shenjtërinë dhe përtejsinë hyjnore të fesë, për ta ajo është produkt njerëzor dhe si e tillë identifikon vetëm bindjet, veprat dhe sjelljet njerëzore. Ndërkohë për besimtarët fjala fe nënkupton më së shumti dhe më shpesh kuptimin e parë të saj, pra atë që është hyjnore dhe e përkryer, ndaj dhe kjo është arsyeja që shpesh nuk merren vesh me palën laike, kur ajo kritikon fenë. Ndërkohë përdorimi i fjalës fe në kuptimin njerëzor gjendet edhe te besimtarët dhe tekstet fetare, mjafton këtu të kujtojmë suren el-Kafirun të Kuranit, ky fjala fe përdoret me të dyja kuptimet, për të dhënë si shembull se fjala fe nuk nënkupton vetëm shpalljen hyjnore, por edhe sjelljen dhe praktikat njerëzore, qofshin këto të sakta apo të gabuara.

Nisur nga qartësimi i këtij koncepti mund të themi lirshëm se edhe feja, në kuptimin e dytë, korruptohet dhe me këtë kemi për qëllim pikërisht sjelljen e njerëzve që në një mënyrë ose një tjetër ndikojnë në korruptimin e praktikave fetare dhe sjelljeve të gabuara që justifikohen përmes fesë.

Tre janë kategoritë kryesore të njerëzve që e korruptojnë fenë: sundimtarët, dijetarët e fesë dhe të përkushtuarit e devotshëm.
Abdullah ibn Mubarek, një nga dijetarët e brezave të parë të Islamit, duke i përmbledhur në një strofë poetike të tre këta kategori njerëzish thotë:

Kam parë se gjynahet e vdesin zemrën,
ndaj braktisja e tyre është shpëtimi i saj.
A nuk e kanë prishur fenë vetëm se mbretërit,
rabinët e ligj dhe murgjit e saj?!

Mbretërit dhe sundimtarët politikë historikisht janë të parët ata që u kanë imponuar njerëzve bindje dhe praktika të gabuara fetare, ata duke përdorur pushtetin e tyre politik jo vetëm kanë futur në fe risi që nuk i përkasin asaj, por edhe kanë devijuar mjaft praktika të drejta dhe kanë korruptuar në mënyrë aktive duke përfituar konformizmin dhe miratimin e njerëzve të fesë ndaj së ligës së tyre.

Mjafton këtu të japim dy shembuj të njohur në histori, njëri është ai perandorit romak Konstadin, sesi kthimi i tij nga një idhujtar në të krishterë dhe ndikimi i tij politik bëri që Krishterimi në të përgjithshmen e tij të merrte kahun e idhujtarisë së ngjashme me atë të politeistëve, me doktrinën e trinitetit dhe elementë të tjerë të idhujtarisë, që krishterimi mori nga mjedisi ku u përhap, dhe shembulli i dytë është ai i Kalifit Mamun, dhe dy vëllezërve të tij që e pasuan, të cilët për gati dy dekada tentuan t’i impononin me forcë muslimanëve doktrinën e sektit të devijuar të Mutezilive.

Pikërisht nisur nga forca që ka pushteti politik mbi fenë në popull, janë trashëguar edhe shprehje të tilla si: “Aty ku është shpata aty është edhe feja”, apo “Njerëzit janë në fenë e mbretit të tyre”. Pushteti politik përmes peshës së rëndë të autoritetit që e karakterizon, favoreve, parave apo edhe dhunës shtetërore, mund t’iu imponojë klerikëve dhe besimtarëve miratimin e shumë gjërave që ai dëshiron. Historia në vazhdimësi, ajo e djeshme dhe e sotme është dëshmitari më i mirë i vërtetësisë së këtyre fjalëve.

Kategoria e dytë e atyre që e korruptojnë fenë janë të diturit e saj, janë ata që e njohin dhe e predikojnë atë. Këta janë rabinët, priftërinjtë dhe hoxhallarët që njohin shkrimet e shenjta dhe fjalën e Zotit, por që për interesa të pushtetit politik apo personale apo edhe për arsye dhe shkaqe të tjera, fusin në fe praktika dhe sjellje që vetë feja i kundërshton. Ata bëhen urë e ndryshimit, devijimit dhe korruptimit të fesë. Kjo kategori është përfshirë edhe në suren më të rëndësishme të Kuranit, në suren el-Fatiha në kategorinë e atyre njerëzve ndaj të cilëve Allahu është i zemëruar, pikërisht për shkak se me dije dhe vetëdije ata janë bërë korruptues të mëdhenj të fesë dhe ndërkohë këtë ligësi e kanë mbuluar me kompetencën e njohjes së saj, duke bërë që ajo të duket e pranuar dhe e mirë për njerëzit e rëndomtë.

Kategoria e tretë janë murgjit, dervishët, apo adhuruesit e zellshëm e të përkushtuar, por të paditur, të cilët me padijen e tyre bëhen shpesh promotor të futjes dhe miratimit të praktikave të huaja për besimin e pastër dhe të vërtetë fetar, duke legjitimuar kështu në sytë e njerëzve atë që nuk i përket fesë. Edhe këta janë përfshirë në suren el-Fatiha, si të humburit, menjëherë pas kategorisë së dytë.
Të tre këto kategori njerëzish janë ata që me pushtetin e tyre të armës, fjalës dhe modelit, e kanë korruptuar historikisht praktikën dhe sjelljen fetare tek njerëzit. Ndaj dhe këta janë edhe njerëzit që mund të ndikojnë më së shumti për ruajtjen dhe kultivimin e pastërtisë së fesë nga ligësitë e kësaj bote.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit