Koreja e Veriut ka lansuar një raketë balistike nga një nëndetëse të pozicionuar në brigjet lindore të gadishullit korean gjatë ditës së shtunë. Këtë konfirmon Koreja e Jugut, në vazhdën e shqetësimeve se vendi i izoluar mund të jetë shumë pranë testimit të radhës bërthamor, apo lëshimit të një rakete, pikërisht përpara konventës së partisë në pushtet në muajin maj.
Veriu komunist lëshoi raketën drejt Verilindjes rreth orës 11:30 (18:30 me orën lokale), njoftoi zyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Koreja e Veriut pritet të zhvillojë Kongresin e Partisë së Punëtorëve në fillim të majit, për herë të parë prej 36 vitesh, në të cilin udhëheqësi Kim Jong-un pritet të thotë se vendi i tij është një fuqi e madhe ushtarake dhe një shtet me kapacitete bërthamore.
Raketa e lëshuar një ditë më parë ra 30 km më tej, siç njofton një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, i cili shton se ushtria e vendit të tij po bëj të gjitha përpjekjet për të përcaktuar nëse edhe ky lëshim mund të ketë dështuar për arsye ende të papërcaktuara.
Agjencia koreanojugore e lajmeve “Yonhap” bëri të ditur se raketa fluturoi “vetëm për pak minuta”, duke cituar burimeve qeveritare.
Lansimi i kësaj rakete të shtunën është kapur dhe ndjekur edhe nga Komanda Strategjike amerikane, që bën të ditur se është lëshuar nga një nëndetëse, por që nuk përbënte rrezik ndaj Amerikës së Veriut.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se lëshime të tilla që përdorin teknologjinë e raketave balistike janë “në shkelje të qartë të disa rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së”.
Gjatë së shtunës, Franca i bëri thirrje Bashkimit Europian të ndërmarrin në mënyrë të njëanshme sanksione të reja shtesë ndaj Koresë së Veriut, nëse lëshimi i raketës do të konfirmohej. BE-ja, në mars zgjeroi sanksionet me natyrë tregtare dhe financiare ndaj Veriut komunist, menjëherë pas masave edhe më drastike të ndërmarra nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së.
Koreja e Veriut u përpoq për herë të parë të lëshonte një raketë nga një nëndetëse vitin e kaluar, atëherë kur shihej qartë se ishte në fazat e hershme të zhvillimit të një sistemi të tillë armatosjeje, i cili në fakt mund të përbëjë kërcënim të ri ndaj fqinjëve të saj por edhe Shteteve të Bashkuara, nëse rezulton i perfeksionuar.