Një zhvillim në kufijtë e qesharakes, me kosovarë duke u kthyer në fenë e të parëve në emër të shqiptarisë, ka sjellë reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut-KMDLNJ, i cili ka kritikuar ceremonitë e konvertimeve masive, pra nga muslimanë në katolikë, edhe pse bëhet fjalë për ndërrim besimi, pasi të “konvertuarit” nuk kanë bërë asnjë ditë jetë sipas parimeve dhe bazave të Islamit.
Por si e gjykon këtë zhvillim Këshilli në fjalë?
“Për KMDLNj- ën është shqetësues fakti se konvertimet e fundit nuk bëhen sipas vullnetit të besimtarit dhe se nuk po trajtohet si një çështje personale, që edhe është, por një përcaktim që duhet të jetë krejtësisht shpirtëror po mbështillet me motive politike dhe kombëtare. Ashtu si po duken gjërat, këta që po konvertohen po konsiderohen si patriotë dhe shqiptarë kurse të tjerët si joshqiptarë dhe antikombëtarë”, thuhet në reagim.
KMDLNj-në e shqetëson pikërisht shfaqja mediatike e këtij akti.
“Tash, ky konvertim po bëhet në mënyrë të organizuar për një çështje që është ekskluzivisht personale”, thuhet në reagim, ku më tej theksohet: “Mirëfilli dihet se një ekstremizëm prodhon një ekstremizëm tjetër duke krijuar kushte që përmes gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes të zgjerohet spiralja e dhunës. Kosova ka aq shumë probleme tjera që tash të merret me konfrontime në baza fetare. Duket se dikush qartazi po punon në këtë drejtim, organet e sigurisë duhet ta hetojnë këtë dukuri të kushtëzuar. Nuk ka të drejta të njeriut për një besim dhe të drejta tjera për një besim tjetër. Dikush i ka keqkuptuar këto të drejta apo po i interpreton ashtu si dëshiron vet”.
Ky zhvillim me ceremoni gjasmë konvertuese vjen pas krimijimit të një të ashtuquajturi “grupi i Deçanit”, ku një grusht njerëzish, dukshëm pa ia patur haberin as Islamit e as Krishtërimit, aq më pak katolicizmit, shpallën “kthim në fenë e të parëve”, duke zgjedhur ku me vetëdije e ku jo, një akt idiotesk në aspekt teologjik të pandodhur kund në botë – kthim në fenë e të parëve(?!). /tesheshi.com/