Me përpjekjet për një Shqipëri të pavarur, së bashku me intensifikimin e punëve me veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishin intensifikuar edhe veprimet në radhët e udhëheqësve fetarë shqiptarë. Ndonëse ideologjia kombëtare në radhët e udhëheqësve fetarë muslimanë pothuajse ishte shpërfaqur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, nga Lidhja e Pejës, e duke vazhduar me ngjarjet më pas, që do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë
Udhëheqësit shqiptar të të gjitha feve, në të shumtën e herëve, ishin në lartësinë e duhur politike. Në komunitete të caktuara ka pjesëtarë të caktuar, që, në momentet e caktuara me veprimet apo mosveprimet e tyre, të kenë rënë në sy të disa penave, e që, ka bërë,që i gjithë komuniteti të cilësohet me epitete të ndryshme, negative apo pozitive.
Me të parën, (negative) për shkak të devijimit të tyre në një moment të caktuar historik, krejt mllefi është zbrazur ndaj një komuniteti të caktuar.
Ndërsa me të dytën, (pozitive) për shkak të dallimit për të mirë, krejt meritat i janë veshur një komuniteti, e që për mendimin tonë, kjo është e padrejtë.
“Si t’k’shtenë, si muhamedan, Shqipninë bashku t’gjith e kanë e prandaj t’gjith do t’qindrojmë, do t’qindrojmë e do t’luftojmë, kemë m’u ba kortarë-
kortarë Priftën, Fretë, Hoxhallarë për Shqipni…” (Gjergj Fishta).(1)
Në këtë kontribut tonin, jemi përcaktuar të japim vlerësimin për disa nga krerët fetarë, vetëm në një periudhë të caktuar historike, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, e këtë e kemi bërë për disa arsye:
E para: në të kaluarën për shkaqe që tashmë dihen, kjo shtresë intelektuale dhe patriotike e vendit u eliminua nga librat tonë, ose u cilësuan të gjithë si antikombëtarë.
E dyta: kjo shtresë intelektuale edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e harruar, andaj, disa nga studiuesit, me plot të drejtë, klerikët e pavarësisë i quajtën si “klerikë të harruar të pavarësisë.”(2)
E treta: vazhdojmë ende me trajtimin e tyre për shkak të simpatisë për një komunitet të caktuar ose për shkak se personi që shkruan i përket një drejtimi shpirtëror të caktuar.
E katërta: kjo shtresë kishte një rol të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dhe për atë u shpërblyen me poste të rëndësishme në qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit më 1912.
Udhëheqësit shqiptarë gjatë viteve 1908-1912
Veprimet më dinamike në Lëvizjen Kombëtare Shqiptarë në harkun kohor 1908-1912 janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me rolin dhe kontributin e udhëheqësve fetarë shqiptarë, të cilët u bënë një krah dhe shtyllë e fortë në mbarëvajtje të ngjarjeve në këto vite, respektivisht për ndërgjegjësimin kombëtar dhe për rritjen e kohezionit nacional të shqiptarëve. Në themelet e Revolucioni xhonturk qëndron edhe kontributi i shumë figurave të shquara shqiptare, sepse siç dihej, premtimet për shqiptarët nga ana e xhonturqve ishin jo të pakta. Shqiptarët nuk hezituan në përkrahje të tyre. Premtimet e tyre në uljen e taksave dhe në hapjen e shkollave në gjuhë amtare etj., llogariteshin si veprime largpamëse nga ana e Lëvizjes për arritjen e objektivave kombëtare. Por, me ardhjen e xhonturqve, shqiptarët përjetuan zhgënjimin, jo vetëm për shkak të mosmbajtjes së premtimeve, por, ata me veprimet e mëvonshme represive shkaktuan pakënaqësi te popullata shqiptare.(3)
Kjo situatë e krijuar dhe kjo pakënaqësi kulmoi me kryengritje të shqiptarëve kundër politikave xhonturke.
Pas revolucionit në fjalë, u ndie nevojë imediate e hapjes së shkollave në gjuhën amtare te shqiptarët. Në këtë drejtim vihen në lëvizje edhe udhëheqësit fetar, sidomos kleri katolik(4) dhe bektashian, të cilët e kishin mbështetjen edhe të Austro-Hungarisë, pothuajse në të gjitha viset shqiptare. Për këtë, edhe udhëpërshkruesi Franc Baron Nopça, i cili në këto vite ka shëtitur nëpër disa qytete të vilajeteve shqiptare, si në Prizren, Shkup etj., gjatë qëndrimit në Tetovë, në Teqenë e Madhe, siç thotë ai, në mes tjerash i kishin bërë përshtypje edhe marrëdhëniet e mira midis përfaqësuesit të konsullatës austro-hungareze dhe Adem Babait të Prizrenit, shehut të bektashinjve të Prizrenit. Një gjendje të tillë ai e gjen edhe në Tetovë, ku kishte vërejtur marrëdhëniet e mira të shehut të bektashinjve me konsullin austro-hungarez Bohumil Paras në Shkup. “Arrita ta kuptoj se midis këtyre dy grupimeve ndodh diçka e veçantë, çfarë natyrisht më mbeti si një gjë e zezë.., në shkurt të vitit 1906, kur arrita të marr vesh se një bektashi në Tiranë kishte ngritur një shkollë të fshehtë shqipe, kuptova se qeveria austro-hungareze i përdorte këta njerëz për zhvillimin e ndjenjës kombëtare shqiptare ndër shqiptaret mysliman.”(5)
Hapja e shkollave në gjuhën shqipe, si dhe shtypja e disa librave në gjuhën shqipe, sigurisht që do të kushtëzoi edhe nevojën për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe.(6)
Kontributet dhe përpjekjet e vazhdueshme të udhëheqësve fetarë janë të dukshme edhe sa i përket çështjes së alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe me shkronja latine, ku në mes të klerit katolik dhe pjesës më të madhe të udhëheqësit fetar mysliman kemi mendime të kundërta.
Përderisa kleri katolik në këtë kohë i përkrahur edhe nga Austro-Hungaria ishte për një alfabet të shqipes me shkronja latine, projekt, ky që u nis nga Komiteti i Stambollit, (Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçori(7), Ndre Mjeda(8), Preng Doçi), te shumica e udhëheqësve fetarë musliman, të ndikuar edhe nga politikat xhonturke, mbizotëronte mendimi se shkrimi i gjuhës shqipe me shkronja arabe ishte më i drejtë.(9)
Pavarësisht gjithë debateve të zhvilluara rreth alfabetit të shprehura në Kongres, në tubime, gazetat e kohës, etj., vendoset për shkrimin e shqipes me shkronja latine. U dalluan disa nga udhëheqësit fetarë myslimanë, si hafiz Ibrahmi nga Shkupi, i cili si pjesëmarrës në këtë kongres, porsa zbret nga podiumi Gjergj Fishta, i afrohet dhe e përqafon, duke e puthur me lot në sy. Pa dyshim që tek të pranishmit një skenë si kjo la mbresa të thella.(10)
Është për t’u theksuar edhe veprimtaria e dy udhëheqësve fetarë myslimanë, të cilët ishin dërguar nga Komiteti i Stambollit, – Haxhi Vildan Dibrës e Haki Manastirliut për të propaganduar në dobi të shqipes me shkrim latin.(11)
Në Panoramën e pjesëmarrësve në këtë kongres, Mithat Frashëri, kryetari i udhëheqjes së punimeve në këtë kongres e përshkruan me këto fjalë:“Kongresi për ne ishte një ngjarje e re, ku pamë krah për krah gegë dhe toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftër.”(12)
Përpjekjet e shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe pas Kongresit të Manastirit, mosbindja e administratës xhonturke, se edhe shqiptarët kanë të drejtë për hapjen e shkollave në gjuhën e tyre, veprimet e xhonturqve për t’i bindur shqiptarët se regjimi i tyre ishte i drejtë si në Kongresin e Dibrës më 23 – 29 Korrik të vitit 1909, ekspeditat e kohëpaskohshme ndëshkimore ndaj shqiptarëve nga gjeneralët xhonturq, kulmuan me kryengritjet e viteve 1909-1912. Fillimisht me kryengritjet në Vilajetin e Kosovës më 1910 në krye me Idriz Seferin, në përkrahje të të cilit dalin edhe klerikët muslimanë dhe katolikë të Anamoravës.(13)
Përpjekjet e Isa Boletinit në disa teqe të Gjakovës për të gjetur përkrahje në kryengritje kundra xhonturqve14 dhe debatet mes tyre.(15)
Presioni xhonturk,(16) ndikimet e fqinjëve e sidomos të malazezëve tek malësorët, bëjnë që të kemi edhe një kryengritje në vitin 1911.(17)
Kontributi i klerikëve katolikë në këtë kryengritje është i gjithanshëm: “Kleri Katolik Shqiptar…, ndoqi me një vëmendje përkujdesje dhe shqetësim të veçantë epopenë e Lekëve të Malësisë në vitin 1911.”(18)
Përpjekjet sipërfaqësore të xhonturqve, gjoja për të krijuar dhe dërguar komisione për të shikuar gjendjen e shqiptarëve më 1912, do të hasin në pakënaqësi të popullatës. Me ndryshimin e rrethanave politike në aspektin ndërkombëtar, kjo pakënaqësi shpejt do të shndërrohet edhe në kryengritje nëpër krahina të tjera shqiptare.
Udhëheqësit fetar dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 1912
“Austro-Hungaria mbronte anën e shqiptarëve dhe përkrahte propagandën nacionaliste që zhvillohesh me anën e klerit e patriotëve”. (Ferit Vokopola).(19)
Shpërbërja e Perandorisë Osmane në Ballkan, ambiciet e fqinjëve për territore në kurriz të tokave shqiptare, interesimi i Austro-Hungarisë dhe i Italisë për ndërprerjen e depërtimit të sllavizmit, rrethanat e reja të krijuara në Ballkan, ishin fakte të qarta, që i kishin kuptuar pothuajse shumica e udhëheqësve fetarë muslimanë. Me përpjekjet për një Shqipëri të pavarur, së bashku me intensifikimin e punëve me veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishin intensifikuar edhe veprimet në radhët e udhëheqësve fetarë shqiptarë. Ndonëse ideologjia kombëtare në radhët e udhëheqësve fetarë muslimanë pothuajse ishte shpërfaqur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, nga Lidhja e Pejës, e duke vazhduar me ngjarjet më pas, që do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ndeshim në kontributin e disa figurave qendrore të udhëheqësve fetarë, si Haxhi Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri, Babë Dudë Karabunara, At Marko Mokça, Baba Selimi i Tepelenës Hafiz Sherif Langu, etj..
Më 28 nëntor të vitit 1912, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit, dy poste ministrore iu ndanë dy figurave (udhëheqës fetarë) autoritative të kohës, në rend të parë për rolin e tyre në jetësimin e idesë për vetëvendosje të shqiptarëve dhe emancipim kombëtar. Pra, këta dy udhëheqës fetarë të njohur, Haxhi Vehbi Dibra dhe Dom Nikollë Kaçori, kishin dhënë prova se ideali kombëtar për ta ishte i pashuar.
Më 3 dhjetor të vitit 1912 kur Ismail Qemali ia paraqiti listën prej 6 anëtarëve të kabinetit të parë shqiptar, reagimi i Babë Dudë Karabanuras ishte i menjëhershëm: në këtë listë mungonte dikush nga pjesëtarët e fesë katolike, mendim që u përkrah edhe nga të tjerët.(20)
Me votimin e parë të kabinetit shqiptar, Dom Nikollë Kaçori(21) me vota unanime zgjidhet nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme, dhe kjo u bë falë autoritetit, që kishte jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në aspektin ndërkombëtar. Personalitetin e Dom Nikollë Kaçorit e njihnin të gjithë; aktiv në Kongresin e Manastirit -1908, në Kongresin e Dibrës- 1909 së bashku më Vehbi Dibrën, në Kongresin e Elbasanit -1909, i arrestuar në qershor të vitit 1910,(22) por i pamposhtur, sa që në njërën nga gazetat e kohës me rastin e lirimit nga burgu, më 24 mars të vitit 1911 shkruhej “Dom Nikollë Kaçorri, pas lirimit nga burgu, e rifilloi edhe më me përkushtim se kurrë propagandën patriotike.”(23)
Kjo edhe ndodhi, ai nuk u ndal së vepruari në përkrahje të kryengritësve më 1911 dhe 1912, duke u siguruar armatim.(24)
Këto dhe shumë veprimtari të tjera në dobi të çështjes kombëtare, bënë që Dom Nikollë Kaçorri në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit të ketë një
vend meritor.
Një tjetër personalitet po aq i rëndësishëm me veprimtarinë e tij shpirtërore e kombëtare është edhe Haxhi Vehbi ef. Dibra.(25)
Edhe pse i shkolluar e i rritur në Stamboll, në momentet vendimtare për fatin e kombit e të atdheut, e kanalizoi bagazhin e tij intelektual dhe shpirtëror në dobi të çështjes kombëtare. Kryetar i parë i Kongresit të Dibrës më 1909, duke ua prishur planet xhonturqve që kishin llogaritur në kthimin e besnikërisë ndaj tyre përmes udhëheqësve fetarë në këtë kongres,(26) duke propaganduar për rrezikun nga fuqitë e mëdha në rast se ndahen prej tyre,(27) përkrahës i alfabetit me shkronja latine, njëri nga nënshkruesit e shpalljes së Pavarësisë më 1912, kryetar i parë i pleqësisë në Kuvendin e Vlorës, i zgjedhur me vota unanime dhe me propozimin e Lef Nosit,28 myfti i parë i Shqipërisë, kryetar i parë i komunitetit mysliman shqiptar, për të cilin veprim do të marrë edhe dritën e gjelbër nga Këshilli i Ministrave i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës më 1913,(29) aktiv në kryengritjen antiserbe pas shpalljes së pavarësisë, etj.. Gazeta “Dielli”, e cila dilte në Amerikë, më dt. 23 shator të vitit 1913, me rastin e ndryshimeve në kabinetin qeveritar në Vlorë, në mes tjerash raportonte, si vijon: “Vebi Dibra i cili që president i Senatit, u bë kryetar i muhamedanëve dhe vendin e tij e zuri Ekrem Vlora.”(30)
Mund të konstatohet se ajo që e bën këtë njëri shumë të respektuar në mesin e kolegëve të tij, tashmë të dëshmuar në historiografinë shqiptare, është Fetvaja (vendimi juridik) i Vehbi ef. Dibrës në favor të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Kjo fetva përbën aktin më sublim të shkëputjes dhe të pavarësimit të gjykatave të Shtetit Autonom Shqiptar e të shqiptarëve muslimanë, nga juridiksioni i Shejhul-islamit të Portës së Lartë, dhe të Sulltanit, si halif i muslimanëve. Ndërsa, revista “Zani i Naltë”, nr. 4, 1937, opinionin e Vehbi Dibrës, në lidhje më Shpalljen e Pavarësisë, e përshkruan në këtë mënyrë: “Goja e tij e ambël e bekoi për herën e parë Veprën e Shenjtë të ngritjes së Flamurit”,(31) Flamuri i jonë i dashur do të valojë gjithmonë, pse se pati fatin e lumnuëshëm qi t’a fillojë tallazin e parë më bekimin dhe uratën e një fetari të vërtetë.”(32)
Udhëheqësit fetarë, pavarësia dhe toleranca ndërfetare
Fenomeni më i diskutuar në shoqërinë shqiptare nga historiografia, publicistika dhe letërsia shqiptare padyshim se është edhe toleranca ndërfetare, e cila tashmë është vlerësuar edhe në qarqet e jashtme shkencore, si një fenomen që e bën të veçantë identitetin kombëtar të shqiptarit, që nuk do të determinohet përmes fesë, por përmes gjuhës. Ky fenomen ishte prezent te shqiptarët edhe në vitet e mëhershme, por, ato që nuk mund të anashkalohen as për një moment, janë veprimet e udhëheqësve fetarë, që në momente të caktuara kanë ditur që interesat kombëtare t’i rendisin para atyre fetare. Ata ditën që me krijimet dhe aktivitetet e tyre politike ta përçonin mesazhin e tolerancës edhe te masa që i takonin. Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra, Babë Dud Karabunra, janë shembuj tipikë sesi në momentet vendimtare të atdheut, duhet të veprohet. Dom Nikollë Kaçorri, si bashkëthemelues i shoqërisë “Vëllazëria” në Durrës 1909, selia e së cilës u vendos në një nga dhomat e famullisë së Durrësit, një nga bashkëpunëtorët më të dalluar të tij, kishte Hafiz Ali Podgoricën, të cilin e kishte shok dhe mik. Së bashku me Nikollë Kaçorrin, Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin kombëtar me 26 nëntor të vitit 1912 në Durrës. Gjatë vitit 1908-1912 Hafiz Ali Podgorica, mbeti një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dom Nikollë Kaçorrit dhe të Komitetit të Kryengritjes së Përgjithshme në Durrës.(33)
Vehbi Dibra, i nisur edhe nga parimet kombëtare dhe fetare do të deklaronte “Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë. Të kemi dashuri edhe për bashkatdhetarët e krishterë, sepse edhe ata i kemi vëllezër e s’kemi si ndahemi. Të përpiqemi edhe për të mirën e tyre si për veten tonë…, të ndjekim një rrugë të përbashkët.., t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bijë të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri.”(34) Dëshmia më e mirë sesi Haxhi Vehbi ef. Dibra i deshi vëllezërit e tij prej gjaku, është fjalimi dhe vlerësimi i Visarion Xhuvanit – kryetar i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës, deklaron: “aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po besimin, që na kanë lanë trashëgim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandashëm.”(35)
Sado që është shkruar shumë për kryengritjet e vitit 1912, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, si dhe për rolin e shumë personaliteteve në këtë ngjarje madhore të kombit shqiptar, rolit të udhëheqësve fetarë, edhe përkundër faktit se ishte mjaft domethënës, nuk i është kushtuar ndonjë studim serioz. Këtyre figurave të mëdha shpirtërore dhe kombëtare me vëmendjen tonë u kontribuojmë, që ata të mos shihen dhe të mos shikohen edhe më tej si “udhëheqësit fetarë të harruar të pavarësisë”.
[1] Gjergj Fishta, Lahuta e Malësisë, Uegen, Tiranë, 2010, f. 202.
[2] lira Çaushi Sulo, Klerikët e harruar të Pavarësisë, në: “Pavarësia e Shqipërisëdhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX”, Universiteti i Tiranës –Instituti i Historisë, Tiranë, 2007, f. 84-86.
[3] Historia e popullit shqiptar II, Grup autorësh, ASHSH- IH, Toena,Tiranë, 2002, f. 371, 377.
[4] Fehari Ramadani, Kontributi i Austro- Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare 1900- 1912, Tetovë, 2010, f. 86-110; Jashar Rexhepagiqi, Zhivillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918, ETMMK, Prishtinë, 1970, f. 228-229. Eqrem Zenelaj, Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro- Hungarisë (1699- 1918), Faik Konica, Prishtinë, 2010, f. 544-575.
[5] Franc Baron Nopça,
Udhëtime në Ballkan, Plejad, (Përktheu Ilirjana Angoni), Tiranë, 2007, f. 121, 122.
[6] Historia e popullit shqiptar II, Grup autorësh, ASHSH- IH, Toena,Tiranë, 2002, f. 391.
[7] Hajredin Isufi, Dom Nikollë Kaçorri në mbrojtje të alfabetit shqip dhe të Kongresit të Manastirit, në: “100- vjetori i Kongresit të Manastirit” (Konferencë shkencore), ASHSH, ASHAK, QSA, Tiranë, 2009, f. 266-275. [8] Nikë Ukgjini, Kleri katolik dhe çështja Kongresit të Manastirit, në: “100- vjetori i Kongresit të Manastirit” (Konferencë shkencore), ASHSH, ASHAK, QSA, Tiranë, 2009, f. 255-266.
[9] Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pa¬va¬rësi kombëtare (1878-1912), (Përktheu Nestor Neprevishta) ShB, Dituria, Tira¬në, 2006, f. 202, 203.
[10] Hysni Myzyri, Arsimi kombëtar shqiptar (1908-1912), ETMMK, Prishtinë, 1996, f. 85- 86.
Dr. Nuridin Ahmeti
DITURIA ISLAME-291|