1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kontributi i muslimanëve në arsimin dhe kulturën perëndimore

Më të lexuarat

(Aspekte të filleve të filozofisë dhe kulturës perëndimore në kontekstin shoqëror, politik dhe kulturor të kohës[1])

Paraqitja dhe shtrirja e kristianizmit në Evropën Perëndimore

Kontaktet e para të muslimanëve me territorin e Mediteranit i kemi qysh në pjesën e dytë të shekullit VII-të. Por, nga fillimi i shekullit VIII-të këto kontakte u shndërruan në bashkëjetesë dhe bashkëpunim që me variacione do të zgjasin deri në ditët tona.

Këto kontakte e pastaj edhe jeta në fqinjësi shtrihej nga Spanja prej vitit 710 e pas, nëpër ujdhesat e Mediteranit, Sicili e Itali Jugore e pjesët tjera në juglindje, lindje etj. Paganizmi në fikje dhe Kristianizmi ende i brishtë iku drejt Perëndimit dhe Veriut, i pafuqishëm t’i bëjë ballë frymës së re islame. E vetmja pikë pozitive e kësaj kohe në Perëndim ishte prania e mbretit Charlemagne (vd. 814)[2], i cili e ndihmoi shkencën dhe artin dhe nga kjo kohë kemi disa figura të njohura, si John Scotus Eriugeni, Alcuini etj.

Vështirësi tjetër për Perëndimin ishte edhe depërtimi avar[3] dhe sllav[4] në Ballkan, Evropën lindore dhe natyrisht në trojet ilire, i cili do të ketë tendenca të shtrirjes në tërë perëndimin. Numri më i madh i tyre (avarëve dhe sllavëve) me kalimin e kohës do të kristianizohet. Mirëpo, këto ndryshime do të ishin të pavlefshme apo të zbehta, sikur mos të paraqitej Islami, i cili do ta ringjall tërë këtë territor të gjerë, do ta dinamizojë dhe për shumë shekuj do t’i jap vulën zhvillimeve që kanë ndikim deri në ditët tona,[5] por njëkohësisht ardhja e Islamit në Evropë nuk çrrënjosi as asimiloi Evropën e Kristianizmin.[6] Kurse historiani Henri Pirenne thotë: “Islami ka prishur unitetin e pellgut të Mesdheut, që pushtimi gjermanik nuk kishte mundur ta shkatërronte. Kjo është ngjarja më madhore e historisë së Evropës, që prej Luftërave punike. Ajo shënon fundin e Lashtësisë dhe, në çastin kur Evropa po shpejtonte të bëhej bizantine, fillimin e Mesjetës .” [7]

Marrjen e territoreve deri atëherë evropiane nga muslimanët disa e quajtën “kohë të artë”. [8] Përse kështu? Mendoj se kalimthi duhet analizuar arsyet përse prania e muslimanëve të quhet e artë, edhe pse do të duhej quajtur okupim, pushtim etj.

Transmetimi i traditës islame

Transmetimi i traditës dhe shkencës islame, në fazën e parë nëpërmjet përkthimit, por më vonë edhe veprave origjinale, tradita perëndimore filozofike dhe shkencore mori hovin vendimtar. Këtë e kanë vërejtur edhe perëndimorët, duke thënë se “absorbimi i filozofisë aristoteliane nga ana e shkencëtarëve latinë është tejet e lidhur me zbulimin e tyre të mendimit arab.”[9] Me rënien në dorë të kristianëve të dy qyteteve me traditë të pasur muslimane, të Toledos dhe Saragosës, në 1085 dhe 1118 dhe me rënien e Sicilisë më 1091, shumë, pothuaj, të gjitha dorëshkrimet ranë në duar të pushtuesve evropianë.

Edhe pse deri atëherë evropianët posedonin disponim anti-shkencë, ata shpejt ndërruan bindje. U dhanë pas leximit dhe pastaj edhe pas përkthimit të trashëgimisë greke në gjuhën arabe apo edhe trashëgiminë muslimane origjinale. Ndër ata që u dalluan në këtë angazhim është Raymond de Sauvetat, kryeipeshkv në Toledo në periudhën 1126-1151. Përveç Spanjës, ku u shquan qytetet Barcelona, Pamplona, Segovia dhe Leon, në këtë angazhim dallohen edhe shtetet e Mesdheut, pastaj Sicilia, respektivisht qytet-shtetet që ranë në duar të tyre kohët e fundit. Ndër ata që u dalluan është Herman Dalmatini[10], Robert Ketenezhani dhe Rodolphusi nga Brizhi, i cili ishte nxënës i Hermanit.

Interesimi më i madh ishte te filozofia (felasifa), kurse qendra kryesore ishte Toledo. Këtu vepronin dy grupe njerëzish, njëri në krye me Dominicus Gundisalvus-in, dhe i dyti në krye me Gerardusin nga Kremona. “Kështu në fund të shekullit XII-të Evropa … ka mundur ta lexojë El-Kindiun, El-Farabiun, Ibn Sinain, madje edhe El-Gazaliun.” Ndikimi i filozofëve muslimanë dhe i veprave të tyre ishte shumëpërmasash, e sidomos në fushën e filozofisë, klasifikimin e shkencave etj.[11] Kjo ishte forma e organizuar dhe e sistemuar e studimeve muslimane nga ana evropiane, sepse kontaktet e ndërsjella dhe mësimet e tyre i kemi edhe më herët, por në nivel primitiv dhe të paorganizuar.

Institucionet arsimore

Kontakti dhe fërkimi i Perëndimit me traditën muslimane dhe përkthimi i saj rezultoi edhe me paraqitjen e institucioneve të para arsimore e kulturore.[12]Duket se në këtë rrafsh prijnë Universiteti i Oxfordit (1190) dhe ai i Cambridgit (1209). Së pari studiohej matematika e astronomia, pastaj edhe filozofia[13], por edhe algjebra e gjeometria, medicina e Ibn Sinait. Në këtë angazhim u dallua mjaft edhe Universiteti i Parisit (1215). Me këtë institucion janë të lidhura personalitetet më të njohura, si: Toma Akvini, Roger Bacon, Sent Bonaventure dhe Duns Scotus. Ata lanë gjurmë të thella në shekujt vijues. Më vonë, më 1257, do të themelohet edhe Sorbona.[14] Në këtë periudhë e kemi edhe Universitetin e Bolonjës në Itali.[15]

Këto lëvizje intelektuale rezultuan edhe me ngjarje në rrafshin politikë. Monarkët anglezë dhe francezë triumfuan kundrejt Papatit. Po ashtu, ndikuan edhe në formimin e disa shteteve të reja nacionale.[16] Kjo ngritje e Perëndimit dhe rënia përfundimtare e muslimanëve në Spanjë më 1492, ndikoi edhe në angazhimet e reja të Perëndimit. Këto ishin pushtimet e vendeve të reja, si zbulimi i Amerikës, zbulimi i rrugëve të reja detare si ajo për Indi etj. Izolimi i Evropës kundrejt botës muslimane e bënë Evropën të varfër, shterpe dhe fanatike dhe hapja e saj për Evropën ishte rruga e zhvillimit ekonomik, por dal nga dal edhe e fushave të tjera, për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Këto pushtime bëheshin si për nevoja politike, fetare, kulturore ashtu edhe ekonomike, siç e kemi edhe shfaqjen dhe ngritjen e merkantilizmit.[17] Në këtë frymë, pak a shumë, kemi edhe zhvillimin filozofik dhe shkencor në Perëndim, i cili ka mbetur deri në ditët tona.

Përfundim

Historiani me nam botëror, Gibbon, e përshkruan paraqitjen dhe përhapjen e Islamit si një ndër revolucionet më të rëndësishme, e cila mbëltoi një frymë të re dhe të përhershme në të gjithë popujt e botës.[18] Ky konstatim konsiston në të dhënat shkencore, të cilat provojnë se Perëndimi i ka borxh botës muslimane sidomos: 1. Inicimin e lëvizjes humaniste; 2. Futjen e shkencave historike; 3. Futjen e metodës shkencore; 4. I dha ndihmesë skolastikëve ta harmonizojnë filozofinë me besimin; 5. Stimulimin e misticizmit perëndimor dhe 6. I vendosi bazat e rilindjes italiane dhe nëpërmjet saj edhe të mendimit modernë evropian …[19].

Pavarësisht përbuzjeve dhe inateve, luftërave dhe konflikteve, shkëmbimi dhe respekti i ndërsjellë kristiano-musliman, hapja dhe konkurrenca miqësore, kanë pasur për botën një dobi të pakufishme.

Do të përfundojmë se “urrejtja dhe intoleranca fetare kanë qenë gjithmonë këshilltarët më të këqij të popujve, nxitja e tyre për luftë armiku i jetës dhe përparimit.” [20]

________________________________________

[1] Shkrimi ka për qëllim që shkurtimisht të shtrojë disa aspekte kryesore të paraqitjes dhe shtrirjes së filozofisë dhe shkencës në Evropën Perëndimore. E gjithë kjo duke i pasur parasysh faktorët shoqëroro-politik dhe kulturor por edhe moral. Shkrimi pretendon të shtrojë edhe pikat konvergjente të cilat kanë dhënë cytje në paraqitjen e fenomenit të filozofisë dhe shkencës Perëndimore.

[2] Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Charlemagne.

[3] Xhorxh Holms (ed.), Oksfordska istorija srednjoevropske Evrope, Beograd, 1998, sidomos fq. 84 e tutje. Shih: http://hr.wikipedia.org/wiki/Avari ; Ibid., 445.

[4] Shih: http://hr.wikipedia.org/wiki/Slaveni.

[5] Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009, fq. 33-81. Krhs.: John Esposito, Oksfordska historija islama, Zivinice, BH, 2005/1428 h, fq. 283 e pas.

[6] Islami e shpëtoi jo vetëm Evropën nga errësira intelektuale, por këtë e bëri edhe me vetë Kishën, të cilën e shpëtoi përfundimisht nga humbja e sigurt. Këtë e përshkruan kështu Singrid Hunke: “Islami e detyroi Kishën e krishterë që të pajisej, si nga ana intelektuale ashtu edhe ajo ushtarake, në mënyrë që t’i rezistonte më të rrezikshmit nga të gjithë kundërshtarët e tij.” Sipas: Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin,Tiranë, 2007, fq. 416-417.

[7] Henry Pirenne, Naissance de l’Occident; Muhammedi dhe Karli i Madh, fq. 158, në: Sigrid Hunke, op. cit., fq. 417.

[8] Po aty.

[9] Michael Haren, Medieval Thought…, 1992, fq. 117, cituar sipas: www.alibasic.ba .

[10] Herman Dalmatini konsiderohet pionier i aristotelizmit latin evropian, madje ai është edhe përkthyes i Kur’anit. Shih:http://hr.wikipedia.org/wiki/Herman_Dalmatin.

[11] Shih gjeresisht: Pervez Hoodbhoy, Islam and Science, Kuala Lumtur, Malaysia, 1992.

[12] Nexhat Ibrahimi, Vepra 5, Shkup, 2009, fq. 271-294

[13] Shih: Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002.

[14] Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Sorbonne .

[15] Shih: Xhorxh Holms (ed.), op. cit., fq. 269; http://en.wikipedia.org/wiki/University_of_Bologna .

[16] Sidni Peinter, Istorija srednjeg veka (284-1500), Beograd, 1997. Krhs.: McNeill, 541-5.

[17] Merkantilizmi është doktrinë dhe politikë ekonomike, që u paraqit dhe u afirmua në Angli gjatë shekujve XV-XVIII, pra në kohën kur këto vende kalonin nga rendi feudal në rendin kapitalist. Shih më gjerë: Ekrem Murtezai, Fjalor filozofik, Prishtinë, 1995, fq. 430.

[18] M. M. Sharif, Historia islamske filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 388 etj.

[19] M. M. Sharif, op. cit., fq. 353 e pas.

[20] Sipas: Sigrid Hunke, op. cit., fq. 416.

Nexhat Ibrahimi

Botuar ne revisten DITURIA ISLAME, NR. 245/ dhjetor 2010, fq. 28–29

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit