2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Kontrasti

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Kontrasti

Mendoj që po vë dorën në një nga problematikat më të mëdha në të menduar dhe të punuar tek myslimanët. Edhe pse jam i paaftë ta diagnostikoj deri në detaje dhe ti eksploroj shkaqet që kanë çuar këtu, mjafton fakti që po e shkruaj si një vërejtje, lidhur me stilin tonë të jetesës, punën, jetën, të menduarit etj… Ndoshta, një ide mbështetëse apo kritike, mund të na shtypë këmbëzën e arsyes, për tu zhytur më thellë në këtë çështje kritike.
Nëse kam një ide të re, do i kushtoja 90% të kohës për ta shpjeguar dhe pjesën e mbetur, do e vija në mbrojtje të kësaj ideje dhe kritikës së kundërshtarëve të saj.
Por çfarë ndodh zakonisht?
Kur ke një ide të rëndësishme, ti i jep vetëm disa minuta kohë vetes për të folur rreth saj dhe për ta shpjeguar, ndërkohë, të gjithë jetën ia dedikon sulmeve ndaj personave që nuk pajtohen me këtë ide, eksplorimit të metave dhe demaskimit të tyre.
Duket sikur ti nuk e arrin dot majën e suksesit, veçse duke u hedhur shkopinj nën rrota të tjerëve, ndërkohë që në fakt, ti po pengon dhe po i hedh ato shkopinj nën rrotat e vetes tënde.
Në thelb, duhet të fokusohemi tek shpjegimi i idesë dhe shtjellimi i saj në detaje, duke përdorur të gjitha mjetet, teknologjitë, format dhe metodat, në çdo kohë, e shoqëruar me fakte dhe argumente bindëse, me qëllim që struktura të ketë themele të thella dhe të forta. Vetëm mbi themele të tilla, mund të ngremë një strukturë të lartë, të gjerë dhe të fortë, e cila do të mund të përhapet në rrethe të gjera më vonë. Pasi të kemi bërë këtë, mund të vihemi në mbrojtje nga sulmet. E çvlerë do të kishte mbrojtja e kësaj strukture apo projekti, i cili akoma nuk ka nisur, akoma nuk është e qartë korniza dhe konturet e tij?
Shpesh here angazhohemi me të kundërtën e idesë dhe kjo, për faktin se na mungon ideja. Ndonjëherë, ekzistencën e kundërshtarëve e konsiderojmë si një dhuratë që na është ofruar, sepse ne prezantojmë veten dhe na prezantojnë të tjerët nëpërmjet kontrastit.
Nuk e ekzagjeroj aspak nëse them se shumë nga lëvizjet, grupet, ideologjitë etj… nuk kanë prezencë dhe nuk shfaqen, veçse nëpërmjet prezantimit me armiqtë. Ato janë ide, të cilat nga lindja rrethohen nga sektarizmi, nga perëndimi nga rrymat e tjera, nga veriu nga komplotet dhe nga jugu nga problemet!
Përpjekje të mëdha janë bërë për të shembur të tjerët, sepse nuk pëlqehet vepra e tyre. Shpesh herë e kemi të lehtë fajësimin, ngaqë nuk e bëjmë dot vlerësimin praktik veçse nëpërmjet këshillave të përgjithshme, por pa arritur që ti shndërrojmë në program real.
Është një farë zelli të cilit i mungon vizioni dhe kanalizimi për tu bërë prezent në skenën e jetës. Sado që të derdhet djersë, të bëhen përpjekje dhe tentativa, nga një i privuar nuk mund të marrësh gjë. Nëse nuk ekziston një ide thelbësore, ide që shkëlqen dhe rrezaton, ide e lehtë dhe e qartë, përpjekjet për të rrënuar të tjerët që mendojnë ndryshe nuk kanë asnjë vlerë.
Sheriati dhe vetë jeta, bazohen mbi parimin e përhapjes së të vërtetës fillimisht, në orientimin e përpjekjeve në çështjet me interes, tek fitimi i përvojave dhe pasurimin e vlerave. E gjithë vëmendja është fokusuar tek ky kuadër “E vërteta”. Thotë Zoti në Kuran:”e çfarë ekziston përtej të vërtetës, përveçse humbja” (Junus, 32)
Të keqes, humbjes, të kotës dhe gabimit nuk i gjendet fundi, prandaj dhe nuk ka asnjë kuptim të merremi dhe të angazhohemi me to, duke i përkufizuar dhe shtjelluar më shumë sesa nevojitet për ta ruajtur të vërtetën nga çdo infiltrim i të kotës. Por nëse ajeti i mësipërm kthehet përmbys dhe e gjithë forca fokusohet tek eksplorimi i të kotës, duke e harruar të vërtetën, gjendemi përballë një problemi goxha të madh.
Kjo është një çështje e koklavitur në fakt, pasi shumë njerëz e shohin si “konflikt me të ligën”, gjë për të cilën nuk ka përse të ngurojmë asnjë çast. Por, ka ndryshim të madh mes interesit dhe aktivitetit tonë maksimal për prezantimin e të vërtetës dhe pastrimin e saj me qëllim që të kuptohet e shtrembëta dhe e kota dhe mes të kundërtës së saj. Duke e ditur ose jo, ne merremi me të kotën dhe të shtrembëtën. Ka dallim mes atij që ecën në një rrugë të qartë, edhe pse e di se do të ketë njerëz që do të përpiqen ta pengojnë,  gjë e cila është caktim prej Zotit, për të cilën duhet të mbrohet sa të mundet, ashtu siç ka urdhëruar Zoti dhe siç kanë vepruar edhe vetë të dërguarit e Tij reformatorë. Ka dallim mes këtij dhe mes  atij që gëlon nga skepticizmat, dyshimet dhe frika nga kundërshtarët, armiqtë dhe opozitarët e tij, të cilët i janë shndërruar në fantazma që e ndjekin kudo. Dyshimet fillojnë e marrin përmasa të frikshme, saqë ai nuk u zë besë as shokëve të tij, kolegëve dhe fqinjëve. Tashmë është i gatshëm që ti kategorizojë ose pro ose kundër tij. Tashmë, ai sikur përfaqëson të vërtetën dhe nuk është më thjesht një orientues.
Kjo ishte e para. Mandej, ka një dallim mes prezantimit të vërtetës hyjnore për të cilën vetë Zoti na urdhëron ti këshillojmë njerëzit “dhe kanë këshilluar për të drejtën” dhe mes prezantimit të vërtetës nëpërmjet nesh, pra, duke u shfaqur sikur ne jemi e vërteta, kurse gjithçka tjetër është e kotë. Jo. Ne, si individë, xhemate, institucione, shtete dhe shoqëri, duhet të ndërgjegjësohemi se na përzihet e vërteta me të pavërtetën. E pavërteta mund të shfaqet krejt e qartë dhe në këtë rast duhet ta heqim qafe, në vend që ta mbrojmë, interpretojmë dhe besojmë.
Por, kundërshtarët tanë “të ligë” siç i etiketojmë, mund të kenë të drejtë pjesërisht, gjë e cila lipset që ta pranojmë dhe të përfitojmë prej saj, duke u bazuar tek parimi i besimtarit i cili e kërkon urtësinë kudo që të jetë.
Shndërrimi i jetës në një betejë gabimesh. Po, shumë shtete dhe qeveri shpikin armiq për ti luftuar dhe për ti mobilizuar njerëzit kundër tyre. Por kjo nuk ka të bëjë me atë për të cilën po flasim, pra “eksportin e konfliktit” dhe mobilizimin e të gjitha energjive tek konflikti, i cili në fakt duhet të jo më shumë se një footnotë, dytësor dhe sipas nevojës. Ndërkohë, pjesa më e madhe e kohës, e jetës, e pasurisë dhe e përpjekjeve, duhet të derdhet në vatrën e parë, atë më të rëndësishmen e cila përbën qarkun e punës, ndërtimit, forcimit të idesë dhe rrënjësimit të saj.
Kultura e trashëguar, zakonet sociale dhe situatat momentale, kanë prodhuar tek myslimani, e në veçanti tek arabi, një tendencë për tu përplasur dhe konfliktuar, duke mos e gjetur dot veten veçse në këtë kuadër. Atij i duket sikur armiqtë dhe kundërshtarët e tij, po i japin shansin mbi një tabaka floriri, për të reaguar, për tu përgjigjur dhe për të mbledhur forcat për betejën e ardhshme, ku mund të shfryhet i gjithë dufi i akumuluar. Shohim që edhe letërsia jonë, poezitë, tregimet dhe novelat, fokusohen pikërisht tek qëndrimi karshi armikut dhe kundërshtarit, me të cilin nuk ka vend  as paqja dhe marrëveshja, jo më falja, tolerimi, mbyllja e njërit sy dhe njërit vesh, apo përgjigjja me atë që është më e mirë!
 
Përktheu: Elmaz Fida
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit