2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Kontrabanda me armë që rrezikoi sigurinë e shtetit

Më të lexuarat

Raketahedhës, granatahedhës, pushkë automatike, automjete ushtarake dhe eksplozivë janë vetëm disa nga armët që policia e Kosovës ka thënë se i ka kapur pas sulmit të 24 shtatorit.

Se si dhe për sa kohë ka mundur të hyjë në Kosovë ky armatim, ka spekulime dhe vlerësime të ndryshme.

Kjo ka mundur të bëhet edhe “për një ditë”, thotë ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, për Radion Evropa e Lirë.

Për institucionet e Kosovës, kontrollimi i kufirit me Serbinë, sidomos në veri, nuk është i lehtë, meqë përgjithësisht “është zonë malore”.

Ato kanë paralajmëruar se do ta informojnë publikun në lidhje me rrugët që kanë përdorur kontrabanduesit, por kur këto të dhëna “të jenë të disponueshme”.

Grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Cilat rrugë mund të jenë përdorur për futjen e armëve?

“Banjska si fshat lidhet me një rrugë që nuk është në gjendje të keqe. Është rruga më e shkurtër për të dalë në Novi Pazar të Serbisë”, thotë Huruglica, duke iu referuar rrugës së njohur si Izvor.

Sipas tij, arsenali i madh i armëve, i kalibrave të ndryshëm, mund të këtë hyrë në Kosovë edhe për një ditë.

“Ajo rrugë është në gjendje të përballojë transporte edhe me kamionë”, thotë ai.

Sipas Huruglicës, shkaku lidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar.

“Shkëmbimi i informacioneve është shumë i nevojshëm kur dy shtete duan ta luftojnë kontrabandën. Në rastin konkret nuk ka bashkëpunim nga pala serbe”, thotë ai.

Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon ta konsiderojë atë si territor të vetin. Kufirin me Kosovën e cilëson vetëm si “vijë administrative”.

“Serbia nuk është e interesuar ta parandalojë kontrabandën [në Kosovë]. Përkundrazi, ajo e stimulon dhe e rrit atë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

Pamundësia për ta parandaluar hyrjen e këtij arsenali në Kosovë, “ka vënë në rrezik sigurinë e shtetit”, thotë ai.

Çfarë thonë institucionet e Kosovës?

Nga Doganat e Kosovës thonë se armatimi ka hyrë nga “rrugët malore”, por nuk japin më shumë hollësi.

Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë për REL-in se Dogana e Kosovës është duke ushtruar kontroll në dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe se është duke parandaluar kontrabandën e mallrave.

Vijën e gjelbër – që përfshin zonat në afërsi të kufijve, ku zakonisht krijohen rrugë ilegale për kontrabandë – Stavileci thotë se është duke e kontrolluar policia e Kosovës, e, sipas nevojës, asistojnë edhe Njësitet e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës.

I pyetur se si ka hyrë armatimi në Kosovë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se “është e pamundur” që ajo hapësirë përreth kufirit, të monitorohet nga policia “çdo minutë e çdo sekondë”.

“Terreni është i vështirë, ka rrugë shumë ilegale që janë hapur dhe hapen vazhdimisht nga territori i Serbisë në kufi me Kosovën. [Armatimi] është futur përmes një rruge ilegale. Janë futur grupe – grupe të caktuara – e pastaj janë afruar te fshati Banjskë. Kjo është ajo çka ndodhur në këtë rast”, tha Hoxha.

Në ditën e sulmit, më 24 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organet e hetuesisë do ta zbulojnë se si është futur arsenali i madh i armëve në territorin e Kosovës, por theksoi se kontrolli i kufirit në veri “nuk është i lehtë”.

“Vija kufitare e Kosovës në komunën e Leposaviqit me fqinjin tonë verior është shumë e gjatë, është përgjithësisht zonë malore. Te Zveçani është një vendkalim kufitar, i cili është dakorduar [në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë] në Bruksel para shumë vitesh, që të bëhet një vendkalim kufitar i integruar, mirëpo nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e Serbisë”, tha atëkohë Kurti.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 1 tetor se, deri më tani, është zbuluar pak a shumë se nga ka hyrë arsenali i armëve në territorin e Kosovës.

Por, “në momentin kur [të dhënat] të jenë të disponueshme për publikun, do t’ju informoj”, tha Sveçla.

“I gjithë aktiviteti ynë është duke u bërë në koordinim me prokurorinë e Kosovës dhe nuk duam t’i dëmtojmë hetimet”, theksoi ai.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare prej rreth 400 kilometrash. Mbi 60 për qind e asaj vije përfshin komunat e banuara me shumicë serb në veri të Kosovës.

Dy vendet arritën marrëveshje në vitin 2011 për menaxhim të integruar të kufirit në disa vendkalime kufitare: Jarinjë, Bërnjak, Merdare, Mutivodë, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë.

Çfarë u tha në Serbi?

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

Ai u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Gjykata ia ndaloi daljen nga Serbia dhe e obligoi të paraqitet në stacionin kompetent policor dy herë në muaj.

Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, tha Prokuroria.

Radoiçiq i mohoi këto vepra.

Kontrabanda e vazhdueshme

Edhe në muajt përpara sulmit në Banjskë, policia e Kosovës doli disa herë me njoftime për konfiskim armësh dhe municion në veri.

Në qershor ajo tha se ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme në një veturë me targa të Beogradit – rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, tha atëkohë ministri i Brendshëm, Sveçla.

Në fillim të shtatorit u njoftua, po ashtu, për konfiskim armësh nga një shtëpi në pronësi të një serbi në Zveçan.

Gjatë një debati në Parlamentin britanik, rreth dy muaj më parë, ligjvënësja Alicia Kearns tha se në veri të Kosovës “armët kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas ruhen në objektet e kishave”.

Këto pretendime, Kisha Ortodokse Serbe i hodhi poshtë, ndërsa autoritetet e Kosovës thanë se janë duke i verifikuar.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 u konfiskuan 1.473 armë ilegale zjarri, të llojeve të ndryshme, me rreth 30 mijë municione të kalibrave të ndryshëm.

“Përveç koordinimit me këta dy mekanizma nevojitet edhe bashkëpunim më i mirë me qytetarët e asaj zone. Duhet ta kemi një komunikimin më të madh me qytetarin dhe ta shtojmë numrin e patrullave [policore]”, thotë ai.

KFOR-i, i cili është përgjegjës për vijën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i ligjit është “prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit