Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Bruksel.
Konjufca në një fjalim para pjesëmarrësve të këtij samiti tha se Kosova është i vetmi vend që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it, dhe se kjo për qytetarët e Kosovës është shumë zhgënjyese.
“Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian. Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it”, tha Konjufca.
Kryeparlamentari foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se e kuptojnë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe se mbeten të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja.
Lidhur me këtë Konjufca deklaroi se Qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Ai vlerësoi se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.
Po ashtu, Konjufca foli edhe për zgjerimin e BE-së, duke përkrahur anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjë për të cilën u shpreh optimist që Samiti i Zagrebit do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë qëllim.
“Ne inkurajojmë hapjen e negociatave sa më parë të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne besojmë se Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë i rëndësishëm…”, u shpreh Konjufca.
Gjatë këtij Samiti, të organizuar dhe kryesuar nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, përpos kryeparlamentarit Konjufca, po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në punimet e këtij Samiti, ndër çështjet kryesore që po diskutohen janë: bashkëpunimi parlamentar dhe e ardhmja e Evropës, me theks të veçantë procesi i zgjerimit të saj.
Konjufca, pasi falënderoi Presidentin Sassoli për iniciativën e mbajtjes së këtij Samiti, dhe përkushtimin e tij ndaj perspektives evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera theksoi se në Kosovë janë ndërtuar institucione të pavarura, media pluraliste dhe shoqëri civile aktive.
“Ne në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë rëndësinë e projektit evropian. Qysh prej përfundimit të luftërave të viteve 90, procesi i integrimeve evropiane e ka drejtuar shoqërinë tonë drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Shoqëria jonë ka ndërtuar institucione të pavarura, media pluraliste dhe shoqëri civile aktive”, tha Konjufca.
“Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian që ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor. Unë plotësisht e kuptoj që nuk jemi në një kohë të lehtë për Evropën për të besuar në fuqinë e Unionit të zgjeruar, por, besimi në gjërat e duhura në kohëra të vështira është ajo që e dallon një përfaqësues shteti të guximshëm nga politikani oportunist”, vlerësoi Konjufca, në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.