8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Konflikti Izraelito – Palestinez – Hoxhë Mustafa Tërniqi

Më të lexuarat

Konflikti Izraelito – Palestinez fillon që me formimin e shtetit të parë hebre me 14 maj 1948 para se forcat pushtuese britanike të dalin nga Palestina ku u vendos të formohen dy shtete në territoret palestineze, ai hebre dhe ai palestinez. Situata përkeqësohet në vitin 1967 në atë që quhet lufta 6 ditore ku izraelitët pushtojnë territore të reja dhe duke mos u kënaqur me kufijtë që iu njohën nga OKB-ja synonin cdo herë të aneksonin territore të reja palestineze. Sa herë që izraelitët aneksonin toka palestineze ndërtonin vendbanime për tu banuar nga kolonët e rinj hebrej, duke shpronësuar pronarët legjitimë, duke konfiskuar, dëbuar madje dhe duke masakruar njerëzit që rezistonin. Ka plot 56 vjet që izraelitët aneksojnë territore në formë sistematike dhe askush nuk përgjigjet për masakrat dhe krimet sistematike të luftës.

Të gjitha shqyrtimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe shkeljet e të drejtave të njeriut e deri te krimet e luftës të faktuara botërisht… izraelitët i kanë shpërfillur, madje duke privuar dhe palestinezët që jetojnë në tokat që akoma nuk janë uzurpuar, qoftë në Rripin e Gazës, qoftë në Bregun Perëndimor e deri në Jeruzalemin Lindor të përfitojnë nga burimet e tyre natyrore, duke përfshirë burimet ujore e deri te mohimi i kontrollit të kufijve. Pa përmendur qindra mijëra palestinezë që mbetën rrugëve pa shtetësi ose në kampet e refugjatëve në shtete fqinje prej dekadash.

Mos harrojmë që qeveritë izraelite shpesh herë kanë qenë prej të djathtës ekstreme hebraike, të cilët janë qortuar nga shumë politikanë të brendshëm izraelitë, rabinë të ndryshëm fetarë dhe nga përqindje të konsiderueshme nga populli hebre të cilët e shikojnë jo normale të konfiskosh prona, të vrasësh njerëz, të kufizosh të mbeturit dhe ti izolosh e pastaj pranë tyre të vendosësh vendbanime për kolonët hebrej duke kërkuar siguri dhe garanci nga vetë viktimat palestineze.

Gideon Levy, një nga gazetarët më të shquar izraelitë, i cili shkruan sistematikisht në gazetën Haaretz shprehet:

“Në një plan strategjik ky është rezultati i arrogancës të Izraelit. Të besosh se mund të mbash dy milionë njerëz të mbyllur si në kafaz, në Gaza dhe mos paguash kurrë një çmim. Ne po e paguajmë tani këtë çmim. Ata njerëz janë të rrethuar. Të mbyllur në kafaz prej 17 vjetësh. Dhe e vetmja mënyrë që ata kanë për ti kujtuar botës dhe Izraelit problemin e tyre është dhuna. Kur ata qëndrojnë ulur dhe urtë, askush nuk preokupohet për ta”.

Në një artikull në gazetën Haaretz ai gjithashtu shprehet: “Unë do të shihja kolonë që prisnin pemë ulliri dhe ushtarë që keqtrajtonin gratë palestineze në postblloqe dhe do të mendoja: “Këto janë përjashtime, jo pjesë e politikës së qeverisë”. M’u desh shumë kohë për të parë se këto nuk ishin përjashtime – ato ishin thelbi i politikës së qeverisë”.

Viktimat nga këto politika ekstreme për 56 vitet e fundit janë shokuese, ku vetëm fëmijët e vrarë palestinez janë me mijëra.
Ndërkohë e gjithë Gaza po bombardohet pa mëshirë duke nxjerrë jashtë funksionit spitalet, shkollat dhe duke prishur infrastrukturën e bashkë me të dhe të ardhmen e tyre, që në fakt është bërë plot herë përpara.

Ndërsa përfaqësuesi diplomatik palestinez Rijad Mensur mes debatesh intensive në OKB për të dënuar ose jo sulmet militante palestineze shprehet: Izraelitët po përpiqen të justifikojnë një sulm tjetër me të njëjtat pretendime të rreme dhe asnjë palë nuk mund t’i inkurajojë ata të vazhdojnë në këtë rrugë. Ata e kanë marrë vetëmbrojtjen si një “licencë për të vrarë”. Kështu i justifikon Izraeli sulmet e tij ushtarake.”

Nga ana tjetër vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh ditën e hënë se situata humanitare në Gaza do të përkeqësohet rëndë, duke theksuar se përshkallëzimi i fundit ushtarak erdhi nga një konflikt afatgjatë me një pushtim izraelit që zgjati 56 vjet. Guterres i kujtoi Izraelit se operacionet e tij ushtarake duhet të kryhen në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe u bëri thirrje palëve të interesuara që të lejojnë Kombet e Bashkuara të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar ndihmë në përgjigje të nevojave të Rripit të Gazës.

Ndërkohë përtej bombardimeve ku janë hedhur deri tani më shumë se 1500 ton lëndë shpërthyese mbi kokat e njerëzve në Gaza janë ndërprerë dritat, uji dhe futja e ushqimeve edhe pse Sekretari i Kombeve OKB-së këmbëngul për futjen e sa më të shpejt të ndihmave për të parandaluar katasrofën. Mirëpo Ministri i mbrojtjes izraelite shprehet për palestinezët në Gaza: “Ata janë kafshë dhe si të tillë nuk duhet të kenë energji dhe as ushqim.”

Foto e postuar poshtë nga bombardimet e tanishme është pamja dhe realiteti 56 vjecar palestinez.

Njerëzit sot i shikon ose servilë, ose tërësisht emocionalë dhe pamja objektive është te pak njerëz. Gjuha e emocionit është tjetër dhe gjuha e analizës historike-politike është tjetër. Faji nuk është vetëm i politikave të të djathtës ekstreme izraelite që kanë prodhuar vetëm konflikte, por dhe i politikave të dobta të shteteve arabe të cilat mund të bëjnë shumë kur ata duan. Përshembull, në vitin 1973 vendet prodhuese të naftës, nëpërmjet embargos së naftës, vendosën të ulnin prodhimin vetëm për 5%. Ata u zotuan të “ruajnë të njëjtin ritëm uljeje çdo muaj derisa forcat izraelite të tërhiqen tërësisht nga të gjitha territoret arabe të okupuara gjatë Luftës së qershorit 1967 dhe të rivendosen të drejtat legjitime të popullit palestinez”.

Një gjë është e sigurtë se tashmë nga këto politika të gabuara prej dekadash dhe me këtë përshkallëzim të situatës konflikti sjell vetëm shkatërrim jo vetëm për palestinezët të cilët janë të vendosur të rezistojnë por vetë izraelitët, kur shikon ikjet masive jashtë, nuk ndjehen më të sigurtë. Atëherë politikat për të mbajtur zonën në një konflikt të tejzgjatur nuk kanë më kuptim.

A mund të jetë dicka e kurdisur nga jashtë Gazës dhe a ka gisht dikush te kjo? Nuk përjashtohet, mirëpo nuk mundet njeri të përgjigjet tani por në vazhdim mund të zbulohet. Por një gjë është e sigurtë se nëse ka gisht nga jashtë atëherë synohet përshkallëzim dhe zgjerim i vatrave të konflikteve, gjë e cila do sjellë probleme serioze në shkallë të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

– Hoxhë Mustafa Tërniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit