4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Konferenca ndërkombëtare dënon shtypjen e muslimanëve Rohingya në Mianmar

Më të lexuarat

COLOGNE (AA) – Ekspertët dhe aktivistët ndërkombëtar kanë kërkuar një presion më të fortë mbi autoritetet e Mianmarit për t’i dhënë fund shtypjes dhe dhunës kundër muslimanëve Rohingya, komunitet i përndjekur për kohë të gjatë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Kriza Rohingya dhe Zgjidhjet” në qytetin gjerman Cologne, politikani australian Philip Ruddock propozoi sanksione ndërkombëtare kundër autoriteteve ushtarake të Mianmarit, pas dhunës së tyre brutale mbi popullin Rohingya.

“Unë mendoj se duhet të ketë vendosmëri absolute nga ana e komunitetit ndërkombëtar për ta sjellë këtë në një mbarim… dhe sipas mendimit tim organizata e vetme që mund ta bëjë këtë është Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha Ruddock.

Ruddock, i cili shërbeu si senator i Parlamentit Australian nga viti 1998 deri në vitin 2016, theksoi se ishte presioni ndërkombëtar që detyroi regjime të tilla si Irani ose Koreja e Veriut për të ndërmarrë hapa për një zgjidhje diplomatike pas tensioneve me pjesën tjetër të botës.

“Shpresoj që komuniteti botëror do të thotë ‘mjaft është mjaft’. Shpresoj që të gjithë këta anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të veprojnë si një”, u shpreh Ruddock.

Ndërkaq, profesori Abid Bahar nga Kolegji Dawson në Kanada, akuzoi ushtrinë e Mianmarit për politika brutale kundër popullit Rohingya, në mënyrë që të forcojnë shtrëngimin e tyre politik dhe ekonomik të vendit.

Bahar mbështeti thirrjet për sanksione ndërkombëtare mbi regjimin për t’i dhënë fund politikave të shtypjes dhe dhunës ndaj muslimanëve Rohingya.

“Nëse nuk mund të kemi presion kolektiv, mendoj se vendet individuale mund të shkojnë për sanksione kundër Burmas, regjimit të Burmas”, tha Bahar.

Kemal Ergun, kryetar i grupit turko-musliman IGMG, i cili ishte bashkë-organizator i konferencës ndërkombëtare, dënoi regjimin për “politika gjenocidale” kundër popullit Rohingya.

“Jo vetëm muslimanët, por edhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut, përfshirë budistët, po luftojnë kundër këtij gjenocidi. Konferenca jonë sjell së bashku aktivistë dhe ekspertë nga e gjithë bota”, tha Ergun.

Ergun poashtu theksoi se IGMG dhe grupi i bamirësisë HASENE do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për popullin Rohingya dhe të mbështesin projekte sociale dhe arsimore për ta.

Që nga gushti i vitit të kaluar, rreth 750 mijë muslimanë Rohingya ikën nga vendi në mes të një goditjeje brutale nga forcat e sigurisë së Mianmarit.

Sipas Mjekëve pa Kufij të paktën 9 mijë muslimanë Rohingya u vranë në shtetin Rakhine nga 25 gushti deri më 24 shtator.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit