0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Komunitetet pakicë në Serbi, të painteresuara për referendumin e ardhshëm 

Më të lexuarat



“Ne konsiderojmë se këto ndryshime janë të natyrës kozmetike dhe nuk i pranojmë”.

Kështu i komenton kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, për Radion Evropa e Lirë, ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese, për të cilat do të vendoset në referendum në muajin e parë të vitit 2022.

Autoritetet në Serbi kanë njoftuar se referendumi për ndryshimet kushtetuese do të mbahet më 16 janar. Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Siç kanë sqaruar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe me sundim të ligjit.

Megjithatë, ndryshimet e paralajmëruara në Kushtetutë, përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Serbi i kanë pritur kryesisht pa interesim.

Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar vlerëson se ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk i përmbushin pritjet e pjesëtarëve të bashkësisë kombëtare shqiptare.

Edhe pse nuk dihet saktësisht se sa shqiptarë jetojnë në Serbi, për shkak se ky komunitet bojkotoi regjistrimin e fundit, komuniteti ndërkombëtar vlerëson se rreth 60.000 pjesëtarë të tij jetojnë në vend, kryesisht në jug.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Siç sqaron Ragmi Mustafi, Kushtetuta e Serbisë duhet të parapëlqejë të ardhmen, gjë që, sipas tij, do të nënkuptonte përcaktimin e qartë ndaj Kosovës dhe integrimeve evropiane.

Kushtetuta aktuale, në kreun e saj, e përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë, megjithëse ajo e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ndryshimet e paralajmëruara nuk do të prekin atë pjesë të aktit më të lartë ligjor të vendit.

“Ne kemi pritur përcaktim substancial të Kushtetutës ndaj preambulës, ndaj Kosovës dhe bashkësive kombëtare në Serbi, të cilave duhet t’u sigurohet më shumë hapësirë për të drejtat, lirinë dhe barazinë e tyre. Mendoj që ndryshimet e këtilla nuk i sjellin këto”, thotë Mustafi për Radion Evropa e Lirë.

Në thelb, këto ndryshime nuk zgjidhin asgjë…

Ai shpjegon se shqiptarët nga jugu i Serbisë, ku janë më të shumtët, prisnin që Kushtetuta e re të shprehte një qëndrim krejtësisht të ndryshëm ndaj Kosovës dhe një qasje më afirmative ndaj statusit të pakicave kombëtare, si dhe do të theksonte përkushtimin shumë më të madh ndaj integrimeve evropiane.

“Në thelb, këto ndryshime nuk zgjidhin asgjë dhe nuk e rregullojnë shoqërinë ashtu siç duhet të rregullohet – mbi parimet demokratike dhe evropiane”, thekson Mustafi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë, gjithashtu, se janë në proces të konsultimit me partnerët brenda komunitetit shqiptar, për marrjen e një qëndrimi të përbashkët për referendumin e ardhshëm, të planifikuar për 16 janar 2022, si dhe për ndryshimet e propozuara në Kushtetutën e Serbisë. Ai shton se pas përfundimit të këtyre bisedimeve, do të dihet qëndrimi i komunitetit shqiptar lidhur me referendumin.


Shqiptarët presin zgjidhje të çështjes së Kosovës

Rezultatet e sondazhit të organizatës joqeveritare Qendra për monitorim dhe hulumtim në Preshevë dhe Bujanoc, pas shpalljes së referendumit, tregojnë se shqiptarët nga ato qytete në skajin jugor të Serbisë, janë pothuajse plotësisht të painformuar për ndryshimet e paralajmëruara të Kushtetutës dhe të painteresuar për referendumin që do të organizohet.

Kujtim Sadriu, drejtor i qendrës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shqiptarët nga jugu i Serbisë janë më të interesuar për protestat e qytetarëve për mjedisin dhe për bllokimet e rrugëve në mbarë vendin, të cilat tregojnë domosdonë për mbrojtjen e mjedisit.

Sadriu rikujton edhe traditën e bojkotimeve të të gjitha referendumeve që nga koha e diktaturës së Sllobodan Millosheviqit:

“Që nga ajo kohë e deri më sot janë bojkotuar të gjitha referendumet përveç atij të vitit 1992, të cilin e organizuan shqiptarët në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, në të cilat pjesëmarrja ka qenë më e lartë se 95 për qind”.

Lexoni edhe këtë:Lugina e Preshevës do reciprocitet për të drejtat e komuniteteve joshumicë

Referendumi ishte mbajtur më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 në tri komunat në jug të Serbisë, Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Në këtë referendum, popullata shumicë shqiptare e këtyre komunave ishte deklaruar gati se njëqind për qind (98 për qind e votave) për “autonomi politike dhe territoriale, me mundësinë e bashkimit me Kosovën”.

“Por, që atëherë, është bërë pak në atë drejtim”, thotë Sadriu.

Ai vlerëson se referendumi, i cili u “shpall me shpejtësi” për 16 janarin e vitit të ardhshëm, duhet të kontrollojë efikasitetin në praktikë të këtij instituti juridik.

Sipas tij, ndryshimi i Ligjit për referendum paraqet përgatitjen për disa çështje të ardhshme, shumë më të vlefshme se ajo e drejtësisë, e që para së gjithash i referohet zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Para fundit të vitit 2021, Kuvendi i Serbisë e ka ndryshuar Ligjin për referendum dhe ka hequr pragun e numrit të nevojshëm të qytetarëve për të dalë në referendum.

Ligji i ri përcakton se vendimi është marrë me referendum, në qoftë se shumica e qytetarëve që kanë votuar, janë deklaruar “për”. Ligji i vjetër parashikonte që referendumi ishte i suksesshëm vetëm nëse votonin shumica e qytetarëve që kanë të drejtë vote.

Ligjit të ri do t’i referohet edhe referendumi i shpallur për 16 janar.

Selma Kuçeviq, deputete e Partisë për Veprim Demokratik (SDA) të Sanxhakut në Kuvendin e Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta aktuale e përcakton Serbinë si shtet të popullit serb, gjë që paraqet problem për pakicat kombëtare.

SDA-ja është partia politike e pakicës e komunitetit kombëtar boshnjak në Serbi, e cila përbën rreth dy për qind të popullsisë.

Kuçeviq vlerësoi se përcaktimi i Serbisë si shtet i shumicës do të thotë se pjesëtarët e komuniteteve të tjera kombëtare janë, në fakt, qytetarë të dorës së dytë.

Boshnjakët kundër ndryshimeve kozmetike

Me rastin e miratimit të Ligjit për referendumin, në nëntor, deputetja Kuçeviq ka dhënë një varg vërejtjesh për projektligjin, ndër të cilat më të rëndësishmet janë mungesa esenciale e debatit publik, paqartësitë dhe pasaktësitë që krijojnë hapësirë të gjerë për manipulime, keqpërdorime, rishkrime dhe parregullsi të tjera të shumta.

“Për shkak të të gjithë kësaj, ky institucion, në praktikë, do të mbetet plotësisht i pashfrytëzuar dhe nuk mund të ndikojë pozitivisht në të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrje”, thotë deputetja Kuçeviq.


Duke folur për Radion Evropa e Lirë lidhur me ndryshimet e paralajmëruara në Kushtetutën e Serbisë, ajo vlerëson se ato janë të pjesshme dhe se ekzistojnë arsye të shumta për ndryshimin e plotë të Kushtetutës.

Siç sqaron ajo, Neni 1 i Kushtetutës e përcakton Republikën e Serbisë si shtet të popullit serb, gjë që, siç shtoi ajo, është problematike nga aspekti i pakicave kombëtare.

Kuçeviq, gjithashtu, thotë se Serbia është një shtet heterogjen, sipas strukturës kombëtare, në të cilin 20 për qind janë pjesëtarë të pakicave dhe komuniteteve kombëtare.

Përkufizimi i Serbisë si shtet i shumicës do të thotë se anëtarët e komuniteteve të tjera kombëtare janë, në fakt, qytetarë të dorës së dytë.

“Përkufizimi i Serbisë si shtet i shumicës do të thotë se anëtarët e komuniteteve të tjera kombëtare janë, në fakt, qytetarë të dorës së dytë”, thekson Kuçeviq.

Ajo shton se simbolet shtetërore janë ekskluzivisht simbole të popullit serb.

“Teksti i himnit shtetëror dhe dizajni i stemës shtetërore janë ekskluzivisht simbole të popullit serb. Prandaj kërkojmë që përmbajtja e himnit dhe stemës të harmonizohet me situatën në terren, në mënyrë që simbolet të jenë të pranueshme për të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e Serbisë”, shprehet Kuçeviq.

Ajo thekson se këto janë vetëm disa nga arsyet se pse ajo mendon se duhet të ndryshohet e gjithë Kushtetuta dhe jo vetëm në mënyrë të pjesshme.

Kuçeviq vlerëson se, ashtu sikurse në pjesët tjera të Serbisë, qytetarët janë pothuajse plotësisht të painformuar për ndryshimet e propozuara kushtetuese dhe se për këtë arsye nuk janë të interesuar për to.

“Ne do ta informojmë Bordin kryesor të partisë për atë që ka ndodhur në Kuvendin e Serbisë dhe që nuk i ka pranuar sugjerimet tona për ndryshim të përgjithshëm dhe thelbësor të Kushtetutës, si dhe më pas Bordi kryesor do të vendosë nëse do t’i thërrasë qytetarët të dalin në referendum apo ta bojkotojnë atë”, thotë deputetja e SDA-së në Kuvendin e Serbisë.

Ajo vlerëson se do të duhet shumë më tepër kohë që qytetarët të njihen me ndryshimet e propozuara në Kushtetutë dhe për t’i motivuar ata të dalin në referendum.

Partia hungareze po u bën thirrje votuesve të saj për një referendum

Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) ka kundërshtime shtesë, por ka paralajmëruar mbështetje për koalicionin qeverisës në Serbi.

SVM, partia simotër e partisë Fidesz të kryeministrit hungarez Viktor Orban, është bërë partia e tretë më e fortë në Vojvodinë, një krahinë autonome në Serbinë veriore, në kufi me Hungarinë. Kjo parti merr pjesë në qeveri dhe mbështet Partinë Progresive Serbe në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.

Komuniteti hungarez është komuniteti pakicë më i madh në Serbi. Pjesëtarët e saj përbëjnë rreth 3.5 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Balint Pastor, zyrtar i lartë i partisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se SVM-ja konsideron se Kushtetuta duhet të ndryshohet në disa pjesë.

Krahinës Autonome të Vojvodinës duhet t’i jepen më shumë kompetenca, në mënyrë që ta zgjidhë çështjen e financimit ndryshe…

“Ne konsiderojmë se Krahinës Autonome të Vojvodinës duhet t’i jepen më shumë kompetenca, në mënyrë që ta zgjidhë çështjen e financimit ndryshe, në mënyrë që kjo të jetë një zgjidhje e qëndrueshme”, thekson ai.

SVM-ja është ndër partitë që avokojnë për një shkallë më të madhe autonomie për Vojvodinën, e cila ndodhet në veri të vendit. Partitë e tjera në pushtet e kundërshtojnë këtë.

Pastori vlerëson, gjithashtu, se pozita e pakicave kombëtare duhet të përfshihet në ndryshimet në Kushtetutë.

“Por, nëse e shikojmë procedurën, atëherë është evidente se Kuvendi i ka pasur duart e lidhura, sepse në bazë të Kushtetutës mund të ndryshohen vetëm nenet e Kushtetutës, për të cilat ka një iniciativë, pra ka një propozim, i cili, në këtë rast ka ardhur nga Qeveria dhe ndryshimet kanë të bëjnë ekskluzivisht me sferën e drejtësisë. Pra, nga pikëpamja procedurale, ishte e qartë se pjesët e tjera nuk mund të ndryshohen në këtë moment”, thotë Pastori.

Ai shton se SVM-ja shpreson që në periudhën e ardhshme do t’u vijë radha edhe ndryshimeve tjera.

Sa i përket ndryshimeve të propozuara, thekson ai, deputetët e SVM-së i kanë votuar dhe do t’i ftojnë votuesit dhe simpatizantët e kësaj partie që të dalin në referendum dhe të votojnë “për”.

“Sepse, kjo duhet të kontribuojë në një shkallë më të madhe të pavarësisë së gjyqësorit, ndërkaq që kjo ishte detyra jonë nga Plani i veprimit, Kapitulli i tretë (në lidhje me integrimin evropian të vendit), kështu që ajo që po ndryshon, nuk është absolutisht e kontestueshme”, shprehet Balint Pastor.

Ndryshimi i Kushtetutës, i cili duhet t’i sjellë më shumë pavarësi gjyqësorit dhe prokurorisë, është një nga detyrimet e Serbisë ndaj BE-së dhe është përcaktuar në Planin e veprimit për Kapitullin 23.

Serbia e hapi këtë kapitull, i cili i referohet drejtësisë dhe të drejtave themelore, në korrik të vitit 2016.

Komisioni Evropian, në raportin e tij në vitin 2020, deklaroi se “shkalla e ndikimit të vazhdueshëm politik në gjyqësor, sipas legjislacionit aktual, është shqetësim serioz”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në ekspozenë e saj, më 28 tetor 2020, në të cilën përcaktoi punën e ardhshme të Qeverisë, tha se detyra e qeverisë së re ishte të përshpejtonte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe se hapi i parë në këtë drejtim ishte ndryshimi i Kushtetutës në pjesën e gjyqësorit.

Përgatiti: Bekim Bislimi

[email protected] (Branko Vuçkoviq)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit