1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Komunikimi me fëmijën

Më të lexuarat

Komunikimi me fëmijën

 
Gjuha është arma më e fuqishme që keni ju si prind për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë me fëmijën tuaj. Në qindra bashkëveprime që keni çdo dite me fëmijët ju i pasqyroni imazhin se cilët janë ata. Si dalta e skulptorit mbi argjilën e butë, fjalët tuaja dhe toni i zërit i japin formë ndjenjës që kanë ata për veten.
Të dëgjuarit
“Unë kurrë nuk i tregoj mamit asgjë,” thotë një vajzë dymbëdhjetë vjeçare. Ajo është e pashpresë. Vij nga shkolla, ajo është zakonisht e zënë. Më pyet si shkoi dita, por unë e kuptoj se ajo në të vërtetë nuk më dëgjon. Thotë se mund të dëgjojë dhe të merret me diçka tjetër në të njëjtën kohë, por unë e di se është një gënjeshtër. Shpesh, pikërisht në mes të bisedës tonë, ajo ngrihet dhe shkon në kuzhinë të bëjë drekën. Kjo gjë më acaron.”
Është thelbësore që ju të gjeni kohën ta dëgjoni, në një mënyrë që të komunikojë interesin dhe përkujdesjen tuaj. Kur ndalon për të dëgjuar dikë tjetër në fakt ju i thoni atij: “Ju jeni i rëndësishëm. Ajo çka thoni, ka rëndësi për mua.
Si mund të dëgjoni fëmijët
1.      Bëhuni gati për të dëgjuar. Përpara se të bëheni dëgjues i mirë ju duhet të kujdeseni për të plotësuar disa nga nevojat tuaja të domosdoshme.
2.      Kushtojini fëmijës vëmendje të plotë. Qoftë edhe për pesë minuta kontrolli mbas shkolle para se fëmija të vrapoje për të luajtur, lini gjithçka, uluni dhe jini me të.
3.      Minimizoni shpërqendrimet. Nëse bie telefoni përgjigjuni shpejt dhe lërini për më vonë sqarimet me atë që telefonon. Fëmijëve të tjerë mund t’ju thoni: “Ne me Altinin po flasim tani, rrobat do t’ua gjej pak më vonë.” Fëmija mund të ketë nevojë për intimitet, larg fëmijëve të tjerë, nëse ka për të treguar diçka tepër personale dhe shqetësuese. Nëse nuk mund t’i mënjanoni ndërhyrjet, atëherë planifikoni një kohë tjetër për të folur. Por nëse ju duhet patjetër të ndërprisni bisedën me fëmijën tuaj, atëherë bëjeni këtë në mënyrë të kujdesshme duke i thënë: “Më fal i/e dashur, jam shumë e gatshme të të dëgjoj sapo të përfundoj këtë punë që kam në dorë, në mënyrë që të jem e vëmendshme plotësisht tek ty.”
4.      Bëhuni dëgjues aktiv. Bëni pyetje, qartësoni situata, përgjigjuni pyetjeve dhe vështroni fëmijën. Jepini fëmijës tuaj të gjitha pikat kyçe për të cilat jeni i interesuar në rrëfimin e tij. Pyeteni për të rejat e një dite më parë. Ai do të ndihet i rëndësishëm sepse ju e dëgjoni atë dhe mbani mend ato gjëra që i interesojnë atij.
5.      Ftojeni fëmijën për të folur. Disa fëmijë e kanë zakon të turren tek dera kur hyni dhe janë plot të reja dhe fjalë. Por, në një familje të madhe mund të ketë edhe ndonjë fëmije që nuk i vjen radha të flasë. Edhe nëse ai nuk kërkon vëmendjen tuaj, mund të ketë nevoje për të. Dedikojini një kohë vetëm atij.
Hapeni bisedën duke bërë pyetje të hapura, pastaj ndiqeni fëmijën tek flet. Nuk është koha për të diskutuar notat e tij të dobëta, apo për t’u ankuar për dhomën e tij që është rrëmujë.
Stilet e gjuhës që duhen shmangur.
Kur korrigjoni fëmijën përpiquni të shmangni stilet gjuhësore shkatërruese që vijojnë me poshtë. Ato nuk garantojnë tjetër veç një vetëvlerësim të shkatërruar.
1. Përgjithësimet. “Ti gjithmonë e bën gabim.” “Asnjëherë nuk mendon para së të veprosh.” “Ty nuk të intereson asgjë tjetër veç shokëve.” Përgjithësimet janë të pavërteta sepse ato theksojnë sjelljen negative duke injoruar pozitiven. Përfundimisht, fëmija do t’i besojë përgjithësimit negativ dhe do të ndihet i pashpresë se është  në gjendje të bëjë diçka mirë.
2. Trajtimi i heshtur. Nëse jeni i nxehur ose shpërqendruar do të ishte e dobishme ta linit komunikimin me fëmijën, por, duhet te lini një kohë për të diskutuar problemin me fëmijën. “Jam kaq i inatosur tani sa me duhet të rri pak vetëm. Do të flasim kur të kthehem.” Të refuzosh të flasësh ose madje edhe ta shohësh fëmijën për ndonjë sjellje te keqe, e bën atë të refuzuar personalisht pa asnjë shpresë përmirësimi.
3. Kërcënimet e lehta ose të dhunshme. “Prit sa të kthehemi ne shtëpi se ta ndreq unë.” “Provoje përsëri dhe do ta shohësh.” “Nëse të kap më këtu do të ta thyej qafën.” “Do të të rrah kaq shumë sa të mos ngrihesh për një javë.” Këto lloj kërcënimesh i fusin tmerrin fëmijës. Fëmijët më të vegjël i marrin gjërat ashtu siç shprehen dhe në imagjinatën e tyre akti i dhunshëm (një qafe e thyer, mesi kaq i rrahur sa s’qëndron dot) mund të jetë tmerrësisht frikësues. Kjo mund t’i nxitë të mendojnë se janë me të vërtetë të këqinj për të merituar një dënim të tillë. Ndërsa fëmijët më të rritur e kuptojnë se nuk e ke me gjithë mend dhe e bëjnë veshin të shurdhët.
Sidoqoftë, fëmijët nuk mësojnë asgjë tjetër përveçse ti je shume i inatosur dhe ata janë të këqij.
 
 
Pergatiti: Suada Hajredinaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit