1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kompania e lidhur me Rusinë paguan prodhuesit e videove në YouTube për të përhapur dezinformata rreth vaksinave

Më të lexuarat

Në YouTube është zbuluar një komplot ku një kompani që ka lidhje me Rusinë, ka përhapur video dezinformuese lidhur me vaksinat kundër sëmundjes COVID-19.

Siç raporton BBC, agjencia e marketingut Fazze kishte kontaktuar gazetarin gjerman Mirko Drotschmann për të promovuar informacione që sugjerojnë se niveli i vdekjeve i vaksinës Pfizer ishte tre herë më e lartë se e AstraZeneca.

Kompania gjithashtu i ka ofruar 2,350 dollarë [2,000 euro] vloggerit francez Léo Grasset për të promovuar të njëjtin material të rremë, duke këmbëngulur që ai të mos zbulonte se ky material ishte me pagesë.

Të dy ndikuesit ishin interesuar për ofertat në mënyrë që të marrin më shumë informacione. Ata erdhën në përfundim se ishte një komplot për të përhapur dezinformata.

Pasi e ekspozuan kompaninë në internet, të gjithë artikujt që ata u dërguan për promovim u zhdukën nga interneti – përveç një artikulli të botuar nga e përditshmja franceze Le Monde.

Lajmi i Le Monde kishte të bënte me një rrjedhje të të dhënave nga Agjencia Evropiane e Barnave, por nuk përmbante asnjë informacion në lidhje me vdekjet e shkaktuara nga vaksinat.

Ndërsa Grasset dhe Drotschmann nuk i pranuan ofertat, gazetari gjerman Daniel Laufer ka identifikuar dy prodhuesit e videove që kanë mundur t’i pranonin këto pagesa.

YouTuberi indian Ashkar Techy dhe ai brazilian Everson Zoio kishin publikuar video që nuk ishin karakteristike për ta, duke përhapur të njëjtin mesazh si fushata e Fazze.

Të dy kishin fshirë videot pasi u kontaktuan nga Laufer dhe nuk iu përgjigjën kërkesave të BBC për koment.

Fazze është pjesë e kompanisë AdNow, një agjenci dixhitale e marketingut e regjistruar në Rusi dhe Britani të Madhe.

Kompanitë ruse edhe në të kaluarën ishit të lidhura me fushatat e dezinformit në internet, duke përfshirë Agjencinë e Kërkimit të Internetit (IRA) që drejtohet nga “kuzhinieri i Vladimir Putinit”, Yevgeny Prigozhin. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit