“Nuk duhet të kërkohet prova për vaksinimin kundër COVID-19 për udhëtimet ndërkombëtare duke marrë parasysh qasjen e kufizuar globale dhe shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave COVID-19”, tha komiteti i OBSH-së
Komiteti i Emergjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se për udhëtimet ndërkombëtare nuk duhet të kërkohet asnjë provë e vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), sepse kjo do të kufizonte qasjen globale për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të vaksinave për të luftuar pandeminë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komiteti i OBSH-së në një njoftim tha se pavarësisht përdorimit të shtuar të vaksinave dhe terapive për të luftuar virusin COVID-19, pandemia është larg përfundimit dhe mbetet një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC).
Njoftimi vjen pas mbledhjes së nëntë tremujore të komitetit për pandeminë COVID-19 që kur u shfaq në fillim të vitit 2020.
PHEIC është niveli më i lartë i urgjencës mjekësore që mund të shpallë OBSH-ja.
“Nuk duhet të kërkohet prova për vaksinimin kundër COVID-19 për udhëtimet ndërkombëtare si e vetmja rrugë ose kusht që lejon udhëtimet ndërkombëtar duke marrë parasysh qasjen e kufizuar globale dhe shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave COVID-19”, tha komiteti i OBSH-së.
Komiteti tha se kombet duhet të marrin në konsideratë një qasje të bazuar në rrezik për lehtësimin e udhëtimit ndërkombëtar duke hequr ose modifikuar masat, siç janë testi ose kërkesa e karantinës.
Shefi i OKB-së pranon këshilla
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, përcaktoi se pandemia COVID-19 vazhdon të përbëjë emergjencën PHEIC dhe pranoi këshillën e komitetit.
Komiteti po ashtu shprehu shqetësime për sfidat me të cilat përballet rajoni afrikan në përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19.
Këto përfshijnë qasjen në vaksina, diagnostikimin dhe terapi të mjaftueshme, si dhe analizimin dhe raportimin e të dhënave laboratorike epidemiologjike dhe cilësore, duke përfshirë të dhënat e sekuencës gjenomike, të nevojshme për të monitoruar evolucionin e pandemisë COVID-19.
Komiteti theksoi se ekziston një nevojë kritike që vendet të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion.
“Përveç kësaj, komiteti pranoi se natyra e zgjatur e pandemisë COVID-19 përbën një barrë shtesë në kontekstin e emergjencave komplekse humanitare, të migrimit masiv, zhvendosjes së popullsisë dhe krizave të tjera”, tha komiteti.
Më tej, sugjerohet që vendet të konsiderojnë rishqyrtimin e planeve të gatishmërisë dhe reagimit, si dhe politikat e asistencës për të llogaritur këto ndërvarësi.
Komiteti bëri thirrje për njohjen e të gjitha vaksinave që kanë marrë ‘Listën e përdorimit emergjent’ të OBSH-së dhe të gjitha oraret e vaksinave sipas rekomandimeve të grupit të ekspertëve të OBSH-së, përfshirë udhëtimet ndërkombëtare.