3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Komentimi i Sures EL – ASR nga Shejh Sa’di

Më të lexuarat



1. Për kohën!
2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
3. Me përjashtim të atyre që besojnë, që bëjnë vepra të mira, që porosisin njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshillojnë njëritjetrin të jenë të durueshëm.
Shpjegimi i ajeteve
“Për kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.” – Allahu i Lartësuar betohet në kohën, e cila përbëhet nga netët dhe ditët, nëpër të cilat kalon jeta e njeriut. Përgjatë kohës, robërit kryejnë veprat e tyre, për të cilat do të merren në përgjegjësi. Kësisoj, ky është betim tepër i rëndësishëm. Allahu i Lartësuar bën këtë betim për të përforcuar faktin se njeriu është në një humbje të sigurt. Humbja është e kundërta e suksesit. Ajo është, gjithashtu, e niveleve të ndryshme.
Robi mund të jetë në plotë, nëse ka humbur dynjanë dhe ahiretin, nëse humb shpërblimin e Allahut të Lartësuar dhe meriton ndëshkimin në zjarrin e Xhehenemit. Por robi mund të jetë edhe në humbje të pjesshme, që prek vetëm disa aspekte, në varësi të veprave dhe përkushtimit të tij. Prandaj Allahu i Lartësuar është betuar se asnjë njeri nuk shpëton nga humbja, përveç atyre që kanë katër cilësi:
– “Me përjashtim të atyre që besojnë, që bëjnë vepra të mira, që porosisin njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshillojnë njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” – Së pari, ata kanë besimin, domethënë besojnë gjithçka që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të besohet. Por besimi duhet të jetë i ndërtuar mbi dije të saktë dhe të sigurt, të shpallur nga Zoti.
Së dyti, ata bëjnë vepra të mira, të cilat duhen sipas atij imani që u tha më parë, të mbështetur në dije. Këtu futen të gjitha veprat e mira, të dukshme dhe të fshehta, ato që kanë lidhje me të drejtën e Zotit dhe ato që kanë lidhje me të drejtën e krijesave, veprat e mira të detyrueshme dhe ato që janë të pëlqyeshme.
Së treti, ata këshillojnë njëri-tjetrin për t’iu përmbajtur së vërtetës. Por cila është kjo e vërtetë? Ajo është besimi i bazuar mbi dije të saktë dhe veprat e mira sipas atij besimi, me sinqeritet për Zotin.
Së katërti, ata këshillojnë njëri-tjetrin për të qenë të durueshëm në bindjen ndaj Zotit, duke kryer porositë e Tij, të durueshëm ndaj gjynaheve, duke mos iu afruar atyre, dhe të durueshëm ndaj përcaktimeve të dhembshme të Allahut të Madhëruar mbi ta.
Me dy cilësitë e para, njeriu rregullon dhe plotëson veten e vet. Ndërsa me dy të fundit, ai rregullon dhe plotëson të tjerët. Me plotësimin e këtyre katër cilësive, mund të thuhet se njeriu nuk ka për të humbur, por ka për të arritur fitoren e madhe.

Shejh Sa’di

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit