3.3 C
Pristina
Wednesday, January 22, 2025

Koment – Tensionimi mes Turqisë dhe ShBA-së

Më të lexuarat

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

*Can ACUN

Shohim se tensionimi që po jetohet mes Turqisë dhe ShBA-së ka arsye strukturore dhe koniunkturale të saj. Nga aspekti strukturor në plan të parë dalin përpjekjet e ShBA-së për vendosjen e marrëdhënieve pasive dhe asimetrike me Turqinë e cila është anëtare e NATO-së prej vitit 1952 e këtej. Por, ndjekja e një politike të pavarur nga ana e Turqisë, posaçërisht me dalje në pushtet të Partisë AK dhe mbajtja e një qëndrimi të përqendruar në interesa ende nuk po pranohet nga ana e ShBA-së. Ndërkaq nga aspekti koniunktural temat e rëndësishme që shkaktojnë tensionime në marrëdhënie mes dy vendeve janë mosekstradimi në Turqi i kreut të organizatës terroriste gyleniste, Fetullah Gulen nga ana e ShBA-së, dështimi i fillimit të një procesi gjyqësor ndaj tij dhe mundësimi i jetës së lirë të tij në Pensilvani.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të njëjtën kohë bashkëveprojnë me organizatën terroriste YPG, fraksionin e PKK-së në Siri, e njohin këtë organizatë si aleate vendore, e trajnojnë dhe e armatosin, ndërsa këto janë gjëra të papranueshme për Turqinë. Kështu që zgjerimi i PKK-së përgjatë kufirit jugor të Turqisë dhe pushtimi i territoreve, nga aspekti i Turqisë paraqesin kërcënim kombëtarë. Së fundmi tensionimi mes dy vendeve është rritur edhe më shumë me krizën e pastorit amerikan Brunson dhe në lidhje me avionët luftarak të tipit F-35.

Anëtarët e Senatit amerikan kohëve të fundit bëjnë fjalë për arrestimin e pastorit Brunson dhe blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, çështje këto që përdoren kundër Turqisë. Insistimi i lirimit të pastorit Brunson nga senatorët amerikan në të njëjtën kohë bëhet edhe nga Shtëpia e Bardhë. Kështu që Presidenti i ShBA-së, Donald Trump gjatë bisedave të bëra me Presidentin, Recep Tayyip Erdogan kishte kërkuar lirimin e pastorit. Trump gjithashtu kishte postuar në Twitter edhe mesazhe për lirimin e Brunsonit. Pastori amerikan, i cili jeton në Turqi, është duke u gjykuar pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 të ndërmarrë nga organizata terroriste FETO për lidhje me këtë organizatë dhe me organizatën separatiste terroriste PKK. Ndihmëspresidenti i ShBA-së, Mike Pence në një deklaratë të tij të bërë me qëllim të ruajtjes së përkrahjes së rretheve evangjelistë dhe të konsolidimit të këtyre votuesve, ka kërkuar lirimin e pastorit Brunson, gjykimi i të cilit po vazhdon për vjet, ndërsa e kishte kërcënuar Turqinë me vendosjen e sanksioneve. Menjëherë pas, Presidenti Trump i përkrahu deklaratat e ndihmësit të tij dhe ripërsëriti kërcënimet ndaj Turqisë. Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se Turqia nuk pranon imponimet dhe kërcënimet e ShBA-së, ndërsa shtoi se sistemi gjyqësor në Turqi po vepron në mënyrë të pavarur dhe se kërkesat e ShBA-së janë në kundërshtim me pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Në vendimin e ShBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë janë përfshirë ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të Turqisë dhe u vendos një kufizim të pjesshëm i kredive për Turqinë. Me këtë vendim ShBA-ja edhe zyrtarisht e filloi një luftë ekonomike kundër Turqisë dhe u fillua me manipulime dhe spekulime në tregjet turke dhe në kurset e këmbimit të valutave. Pas sulmeve ekonomike, Banka Qendrore e Turqisë mori vendime të rëndësishme dhe ndaloi humbjen e vlerës së lirës turke duke bërë që lira të fitojë në vlerë përballë dollarit.

Në ditët kur sulmet ekonomike ndaj Turqisë ishin të intensifikuara, ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak publikoi parimet e reja të ekonomisë së Turqisë. Në kohën kur u publikuan këto parime, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump vendosi taksa shtesë për çelikun dhe aluminin e importuar nga Turqia. Edhe pse deklarata e Trumpit ndikoi ndjeshëm në kursin e këmbimit, lira turke arriti të rikuperohet shpejtë. Ndërkohë që Trump zbaton sanksione ekonomike ndaj Turqisë, ai në të njëjtën kohë është duke vazhduar një luftë ekonomike me Kinën. Disa ditë pas deklaratës së Trumpit për vendosjen e taksave shtesë ndaj Turqisë, Kina, Rusia dhe Turqia deklaruan se importi i çelikut dhe aluminit mes tyre do të zhvillohet me monedha vendore. Edhe pse Turqia është e ekspozuar ndaj sulmeve ekonomike me burim ShBA-në, Rusia dhe Irani publikuan mesazhe përkrahjeje ndaj saj.

Mirëpo qëndrimi i Bashkimit Evropian, i cili është tregu më i rëndësishëm në shkallë ekonomike për Turqinë, ndaj sanksioneve të ShBA-së është shumë i rëndësishëm. Bashkimi Evropian, e posaçërisht Gjermania, nuk dëshirojnë që Turqia të dobësohet nga aspekti ekonomik dhe deklaroi se dëshiron të vazhdojë marrëdhëniet me Turqinë. Në qoftë se në Turqi do të jetohet ndonjë krizë atëherë edhe vendet e BE-së do të ndikohen negativisht nga kjo situatë. Kështu që humbja e vlerës së lirës turke tregoi vlera negative në bursat evropiane dhe në kursin e këmbimit euro-dollar. Posaçërisht bankat italiane dhe ato spanjolle, të cilat kanë dhënë kredi të mëdha Turqisë, janë të shqetësuara nga mundësia e ndonjë krize në Turqi.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit