0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Koment – Ngushtimi ekonomik në Algjeri

Më të lexuarat

Një analizë në lidhje me ngushtimin ekonomik në Algjeri dhe masat aktuale të qeverisë, të cilat s’kanë asnjë lloj funksioni tjetër përveç mbulimit të mangësive të sistemit aktual…

 

Algjeria, vend afrikanoverior që pavarësinë nga Franca e ka fituar në vitin 1962, është drejtuar nga një regjim republikan njëpartiak deri në vitin 1990. Fronti Çlirimtar Kombëtar i Algjerisë (FLN), lëvizje pararojë e luftës për pavarësi, formonte qendrën e sistemit politik të themeluar pas pavarësimit nga Franca. Algjeri kishte përvetësuar një model të rimëkëmbjes ekonomike të llojit socialist: Planifikimi i centralizuar, njohur edhe si planifikimi qendror; në modë ndërmjet vendeve të pavarësuara pas Luftës II Botërore. Por, në vitet 1980, ky sistem ekonomiko-politik kishte filluar të bllokohej dhe për të mundësuar zhbllokimin e tij, presidenti i atëhershëm algjerian, Chadli Bendjedid, kishte ndërmarrë disa nisma në lidhje me liberalizimin e rendit politiko-ekonomik të vendit.

Megjithatë iniciativat në fjalë nuk dhanë rezultatet e dëshiruara. Algjeria u bë skenë e një puçi ushtarak menjëherë pasi Fronti Islamik i Shpëtimit (FIS) u shpall fitues i zgjedhjeve legjislative të vitit 1991. Ky grusht shteti në Algjeri u ndoq nga një luftë civile shumë e përgjakur, e cila zgjati plot 10 vite. Gjithsesi vendi nuk bëri një rikthim në sistemin monist për shkak të grushtit të shtetit. Edhe pse kështu, FLN-ja vazhdoi të ishte qendra e sistemit pluralist.

Ndërsa liberalizimi ekonomik, në vend të një sistemi të shëndoshë të ekonomisë së tregut të lirë, krijoi një klasë sipërmarrësish aleate dhe të gërshetuar me elitën politike, e cila nxori në pah kapitalizmin klientelisto-nepotik. Në ditët e fundit, situata ekonomike në Algjeri tregon se ecuria apo tendenca po bëhet gjithnjë e më shumë e sëmurë.

Duket qartë se nismat e kohëve të fundit për reforma ekonomike nuk kanë përcjellë besim tek investitorët ndërkombëtarë. Elitat politike dhe ekonomike algjeriane e shikojnë kapitalin e huaj si një faktor, që mund të thyejë kontrollin e tyre mbi jetën ekonomiko-tregtare të vendit. Një tjetër shkak, që i shtyn investitorët të tërhiqen, është se Algjeria renditet mes vendeve me varfërinë më të përhapur në botë.

Në Algjerinë e viteve të fundit, deficiti financiar dhe ai tregtar vazhdon të rritet gjithë një më shumë, ndërkohë që rezervat në valutë ndërkombëtare po ulen dita-ditës. Monedha kombëtare algjeriane është zhvlerësuar gjithashtu me rreth 30 për qind. Rritja ekonomike në vitin 2015 ishte 3,7 për qind, kurse në 2016-n pritet të bjerë në 1,9 për qind. Siç e përmendëm edhe më sipër, Algjeria po ballafaqohet me një deficit tregtar të jashtëzakonshëm për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe të eksportit të hidrokarbureve. Teksa në vitin 2014 kishte një suficit tregtar prej 4,3 miliardë dollarësh, në 2015-n Algjeria regjistroi një deficit tregtar prej 13,7 miliardë dollarësh dhe ky deficit vazhdon të thellohet gjatë 2016-s.

Me një nivel papunësie mbi 20 për qind në radhët e të rinjve, domosdoshmëria për të krijuar punësim kërkon një rritje ekonomike më të shpejtë sesa ajo aktualja.

Nga gjysma e këtij viti, qeveria algjeriane përvetësoi një model të ri për rritjen ekonomike, i cili ka për qëllim diversifikimin e strukturës ekonomike të varur kryesisht nga eksporti i naftës. Në këtë mënyrë synohet që ekonomia e vendit të shpëtohet nga vartësia ekstreme ndaj produkteve të hidrokarbureve. Produktet e sipërcituara formojnë 1/3 e prodhimit kombëtar bruto (PKB), 2/3 e të ardhurave të qeverisë dhe 95 për qind të eksportit të Algjerisë.

Mirëpo është tepër e vështirë të thuhet se ky model i ri i rritjes ekonomike do të prodhojë rezultatet e dëshiruara. Sepse, e parë nga aspekti i disa kritereve bazë – siç janë cilësia e qeverisjes, garantimi i sundimit të ligjit, lufta antikorrupsion dhe efikasiteti administrativ – situata nuk paraqitet mjaft shpresëdhënëse. Pengesa më e madhe përpara reformave sociale, politike dhe ekonomike, të cilat duhet të realizohen patjetër në këtë vend, është pikërisht vendosmëria e komponentëve kryesorë të regjimit aktual për të mbrojtur interesat e tyre, të fituara deri më tani.

Plani në fjalë, detajet e të cilit nuk janë bërë publike ende plotësisht, është hartuar nga vetë këto shtresa, të cilat kontrollojnë institucionet kyçe të regjimit dhe duket të vendosura për të mbrojtur deri në fund interesat e tyre. Dhe është e pamundur që një reformë ekonomiko-financiare në Algjeri të realizohet pa u prekur interesat e këtyre shtresave. Nga ana tjetër, e pamundur është gjithashtu që një paketë reformuese e hartuar nga shtresat në fjalë të sjellë risi, të cilat do të prekin vetë interesat e tyre.

Rrjedhimisht, nuk pritet që modeli i ri të nxisë kapitalin e huaj për të shkuar dhe investuar në Algjeri. Ky model pritet gjithashtu të rezultojë i pamjaftueshëm edhe në aspektin e krijimit të një ekonomie tregu dinamike, e cila mund të nxiste sipërmarrësit vendas.

Ç’është më e keqja, bëhet fjalë për një përkeqësim të mëtejshëm të nivelit të investimeve dhe konsumit për shkak të reduktimit të shpenzimeve publike dhe rritjes së tatimeve e të tarifave doganore. Fatkeqësisht, masat aktuale të qeverisë algjeriane janë “masa kozmetike”, të cilat s’kanë asnjë lloj funksioni tjetër përveç mbulimit të mangësive të sistemit aktual dhe vonimit të vendimeve për rregullime strukturore radikale, domosdoshmërish të nevojshme dhe urgjente.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit