-2.5 C
Pristina
Friday, January 17, 2025

Koment – Fitorja e Trumpit dhe domethënia e saj për Lindjen e Mesme

Më të lexuarat

Një analizë në lidhje me fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe domethënien e saj për Lindjen e Mesme…

 

Zgjedhjet presidenciale amerikane të 8 nëntorit 2016 nxorën fitues kandidatin republikan, Donald Trump. Deklaratat e bëra nga multimiliarderi Trump për Lindjen e Mesme gjatë fushatës elektorale, sinjalizojnë se ai do të ndjekë një politikë të jashtme ndryshe nga ajo e zakonshmja. Prandaj mund të themi lehtësisht se do të ketë një sërë risish në politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Lindjen e Mesme.

Në përgjithësi, Donald Trumpi ka përvetësuar një qëndrim opozitar ndaj konceptit të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare liberale të demokratit Barack Obama. Sipas republikanit të zgjedhur president i 45-të i SHBA-së, i vetëm, zhvillimi i marrëdhënieve të mira me shoqërinë ndërkombëtare nuk është një situatë fort e dëshiruar për Amerikën. Kjo vlen edhe për praninë e saj në organizatat dhe aleancat ndërkombëtare. E rëndësishme është kostoja e marrëdhënieve. Në rast se kostoja e një marrëdhënieje është më e lartë sesa përfitimet prej saj, atëherë domethënë se në këtë situatë ka diçka që s’shkon.

Edhe pse në ekipin e tij ka disa ekstremistë të djathtë, Trumpi duket se është distancuar edhe nga politikat e periudhës së Bushit, e cila ishte ajo pararendëse e Obamas. Trumpi kundërshton kategorikisht nisma të atilla si ndryshimi i regjimit, eksportimi i demokracisë dhe kombndërtimi. Në politikën e jashtme të Donald Trumpit nuk ka vend as për retorizmin mbi të drejtat e njeriut. Madje ai nuk nguron as të pozicionohet në favor të torturës. Po t’i hedhim një shikim arsyes përse mbron përdorimin e torturës si mjet apo masë parandaluese, atëherë vërejmë menjëherë një nga elementët e rëndësishëm të politikës së Trumpit për Lindjen e Mesme: “Lufta kundër terrorizmit.”

Pavarësisht çmimit apo kostos së saj, theksi mbi luftën kundër terrorizmit është i rëndësishëm në disa aspekte.

Së pari, theksi në fjalë ka një pikënisje islamofobe. Terrorizmi shihet identik me aparencën e islamit në jetën publike. Për kësisoj opinionesh nuk shquhet vetëm Trumpi, por edhe elementët përbërës të ekipit të tij. Në këtë kontekst, statusi i terroristit nuk i vishet vetëm DAESH-it, por edhe opozitës së moderuar siriane, madje dhe Lëvizjes së Vëllezërve Myslimanë.

Së dyti, qasja e cekët në lidhje me terrorizmin ka rehatuar regjimet autoritare të rajonit, të cilat kanë qenë prej afro dy dekadash në presionet e jashtme për të kryer reforma. Mjaft domethënëse në këtë aspekt është ajo se lideri i parë, që i ka telefonuar Donald Trumpit për ta uruar në lidhje me fitoren e zgjedhjeve presidenciale, ka qenë kreu i shtetit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi. Siç duket, për administratën Trump nuk do të ketë shumë rëndësi se kë do të shtypin në vendet e tyre për sa kohë që bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit.

Së treti, politika e gabuar, që është ndjekur nga administrata Obama gjatë 5 viteve të fundit në rajon, ka bërë që disa vende dhe grupime si Rusia, Irani, milicët shiitë irakianë, PYD-ja dhe Hizbullahu të nxjerrin përfitime të rëndësishme. Politika e Trumpit për Lindjen e Mesme dhe qasja e tij për terrorizmin do të sjellë me vete konsolidimin e këtyre përfitimeve.

Të gjithë po shikojmë se Donald Trumpi e pranon terrorizmin si identik me radikalizmin në botën sunite. Duke u nisur nga kjo pikë, presidenti i zgjedhur amerikan duket se ka gjetur një emërues të përbashkët me Rusinë, vend që me të njëjtin motiv po përpiqet të justifikojë praninë e saj në rajon. Saktësisht në këtë pikëtakimi parashikojmë që administrata Trump do të hapë terren për regjimin e Esadit në Siri; pasi, sipas miliarderit republikan, terroriste është gjithashtu opozita siriane, pjesa dërrmuese e të cilës formohet nga elementë islamikë. Duke u nisur nga kjo pikëpamje, qeveria e re amerikane e konsideron Esadin si e keqja më e vogël. Për më tepër mund të themi se vlerësimi i Rusisë si një partnere nga ana e Trumpit do të luajë rolin e tutkallit ndërmjet regjimit të Esadit dhe administratës së re të Uashingtonit.

Tashmë, duke marrë parasysh edhe mundësinë që Trumpi ta shikojë Esadin si një aleat kundër terrorizmit, nuk do të ishte aspak i gabuar përfundimi se përpjekjet për “zgjidhje pa Esadin” në Siri do të hiqen nga qarkullimi. Mirëpo vijimi i luftimeve ngre në rend të ditës edhe pyetjen se cili do të jetë fati i civilëve të shpërngulur me forcë në Siri. Propozimi i Donald Trumpit në lidhje me këtë çështje është formimi i një zone tampon, ku të mbahen civilët e shpërngulur. Qëllimi i Trumpit në këtë pikë natyrisht që nuk është garantimi i sigurisë së këtyre njerëzve. Duke qenë se i shikon myslimanët si një kërcënim potencial, Trumpi synon të kontrollojë fluksin e refugjatëve nga Siria drejt vendeve perëndimore. I parë nga këndvështrimi i sirianëve, Trumpi është gardiani i portave të shpresës.

Krahas sirianëve, s’ka asnjë pikë dyshimi se ata që do të preken më keqas nga politika e administratës Trump për Lindjen e Mesme do të jenë palestinezët. Donald Trumpi ka rezultuar politikani me qëndrimin proizraelit më të ngurtë në historinë amerikane të fushatave elektorale. Këtej e tutje, të presësh që administratat e Uashingtonit të ushtojnë presion mbi Tel-Avivin zyrtar për bisedime në lidhje me zgjidhjen e Problemit Palestinez, do të ishte një sjellje shumë naive dhe e gabuar. Trumpi nuk ka bërë gjithashtu as ndonjë kritikë në lidhje me kolonizimin çifut të territoreve palestineze. Një tjetër çështje, që e bën situatën edhe më të mjeruar, është se kreu i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë nuk ka rezerva për ta njohur Jerusalemin zyrtarisht si kryeqytet të përjetshëm të Izraelit.

Sakaq, dihet botërisht që Donald Trumpi është kundër marrëveshjes bërthamore të arritur me Iranin gjatë mandatit të Obamas. Mirëpo do të ishte e gabuar të pretendonim se kjo situatë mund të shkaktojë një përshkallëzim negativ të marrëdhënieve Teheran-Uashington. Përkundrazi, kjo situatë do të fuqizojë kartën e skifterëve iranianë, të cilët janë opozitarë të përbetuar të marrëveshjes bërthamore, karshi pragmatikëve Hassan Rouhani dhe Mohammad Javad Zarif. Rrjedhimisht, kjo çështje do të ketë efekt më shumë në politikën e brendshme të Iranit dhe më pak në atë të jashtme. I parë nga këndvështrimi i politikës së përgjithshme të Trumpit për Lindjen e Mesme, Irani vazhdon të ketë një pozicion të favorshëm. Mbi të gjitha, kjo është një situatë në dobi të Teheranit për shkak se Trumpi e konsideron terrorizmin kryesisht si mishërim të sunizmit radikal, por edhe sepse ai është i hapur për të bashkëpunuar me Rusinë dhe regjimin e Esadit. Iranianët kanë pritur me kënaqësi gjithashtu akuzat e Trumpit drejtuar Arabisë Saudite për tolerancë kundër organizatave radikale dhe kërcënimin e tij se do t’i japë fund importit të naftës saudite. Deklarata e presidentit të ri amerikan se do të rihapë bisedimet në lidhje me marrëveshjen bërthamore shfaqet vetëm si një zhvillim, që do të konsumojë qendrat e pushtetit pragmatik të moderuar brenda Iranit.

Shkurtimisht, politika e jashtme, që Donald Trumpi pritet të ndjekë për Lindjen e Mesme, jo vetëm që nuk duket se do të sheshojë një pjesë të konflikteve në këtë rajon, por s’do të ndryshojë shumë as shpërndarjen aktuale të balancës së pushteteve.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit